TIRANË- Sulme me gurë, molotovë e fishekzjarrë ndaj policisë, institucione të përfshira nga flakët dhe shkatërrime në rrugët e kryeqytetit. E njëjta panoramë dhune dhe kaosi është përsëritur edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Protestuesit e maskuar i vunë flakën Komisariatit nr. 3, ndërsa nga sulmet me molotovë u përfshi nga zjarri edhe dera kryesore e Ministrisë së Brendshme. Sulmeve nuk u shpëtoi as selia e Partisë Socialiste, ku u thyen xhamat e hyrjes kryesore. Bilanci i deritanishëm është 16 të lënduar, një i mitur dhe gazetarja Elira Kadriu.
Për orë të tëra, rrugët e Tiranës janë kthyer në arenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, me sulme të vazhdueshme pranë Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Sheshit Skënderbej. Protestuesit kanë hedhur breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh drejt efektivëve, ndërsa policia ka ndërhyrë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërkohë, grupe protestuesish vijojnë të lëvizin nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa një grup u kthye sërish te selia e PS.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e kësaj të diele nisi më vonë, rreth orës 12:30, me grumbullimin e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit. Forca të shumta policie dhe autobotë me ujë ishin vendosur në gatishmëri, ndërsa për gati një orë situata ishte e qetë. Por rreth orës 13:20 nisën sulmet e para me gurë drejt forcave të rendit, ndërsa situata u përshkallëzua rreth orës 13:50. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar në pjesën e legenit edhe gazetarja Elira Kadriu, për të cilën mbërriti një ambulancë. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa protestues dhe duke ushtruar kontrolle në çantat e tyre.
Pas orës 14:00, protestuesit u larguan nga Ministria e Arsimit dhe nisën një marshim nëpër rrugët e Tiranës. Ata kaluan pranë Bashkisë, Kishës Ortodokse, Bllokut të Ministrive, zonës së Toptanit dhe 9-katësheve, për t'u rikthyer sërish drejt qendrës.
Pas rreth një ore marshim, dhuna u zhvendos te selia e Partisë Socialiste. Një grup protestuesish, kryesisht të rinj të maskuar, arritën të kalonin kordonin e policisë dhe nisën të godisnin godinën me gurë e sende të forta, duke thyer xhamat. Nga brenda selisë së PS-së u panë të dilnin edhe persona të maskuar me shkopinj në duar, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Një detaj që bie në sy në pamjet e siguruara nga Report Tv është edhe mënyra se si protestuesit furnizoheshin me gurë. Një person i maskuar lëvizte me biçikletë elektrike, në pjesën e pasme të së cilës kishte vendosur një arkë të kuqe të mbushur me gurë. Prej saj, protestuesit merrnin gurët që më pas i hidhnin drejt selisë së Partisë Socialiste.
Pas përplasjeve te selia e PS-së, protestuesit marshuan sërish nëpër Bllokun e Ministrive dhe rreth orës 15:30, për herë të parë gjatë ditës, morën drejtimin e Kryeministrisë. Por këtë herë, ndryshe nga protestat e mëparshme, gurët e trotuareve në të dyja anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin hequr që në orët e para të ditës me fadromë, për të penguar përdorimin e tyre gjatë sulmeve ndaj policisë.
Kjo nuk i ndali protestuesit e maskuar, të cilët nisën të shkulin pllakat e gurit nga vetë rruga ku qarkullojnë automjetet, pranë instalacionit “Reja” dhe Bllokut të Ministrive. Me gurët e shkulur nga rruga nisën sulmet ndaj efektivëve të vendosur para Kryeministrisë. Policia reagoi menjëherë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit dhe duke zbrazur bulevardin.
Pas ndërhyrjes, policia zhvendosi automjetet dhe forcat e saj më poshtë në bulevard, pranë Ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të penguar rigrumbullimin e protestuesve përpara Kryeministrisë. Edhe në këtë zonë pati përplasje, me protestuesit që hodhën gurë e molotovë në drejtim të efektivëve. Pas shpërndarjes nga Kryeministria, turma u nda në disa grupe.
Lajm në përditësim...

Situata në qendër të Tiranës është përshkallëzuar.
Disa protestues kanë tentuar të djegin një kioskë pranë '9-katëshit'.
Edhe më herët ata kanë djegur disa kioska.
Protestuesit kanë vijuar me aktet vandale.
Ata i kanë vënë flakën flakën koshave të mbeturinave te '21 Dhjetori'
Një grup protestuesish kanë nisur marshimin në 'rrugën e Kavajës'.
Ndërkohë policia po i ndjek nga pas.
Protestuesit kanë sulmuar sërish policinë.
Ata kanë hedhur fishekzjarre e gurë drejt tyrte në qendër.
Blutë i janë përgjighur me gaz lotsjellës.
Protestuesit nuk i kanë ndalur sulmet e tyre ndaj efektivëve të policisë. Pasditen e sotme gjatë kaosit të krijuar në qendër të Tiranës disa protestues të maskuar rrahën dhe shtrinë në tokë një efektiv policie.
Por ata nuk janë mjaftuar me kaq. Në një video që ka shpërndarë Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS, disa protestues të tjerë shihen që gjuajnë me shkopoinj dhe gurë efektivë të policisë.
"Studentët janë këta? Një pjesë e të arrestuarve janë shtetas të huaj. Moralistët vazhdojnë të thonë protesta e studentëve", shkruan Balla.
Selia e PS sërish në shënjestër të protestuesve.
Pasi thyen xhamat ata kanë hedhur kapsolla
Dera kryesore e Ministrisë së Infrastrukturës është përfshirë nga flakët, pas hedhjes së fishekzjarreve dhe molotovëve nga protestuesit.
Forcat RENEA ka zbarkuar te Kryeministria ashtu si një natë më parë.

Protestuesit kanë nisur të shpërndahen sërish në zona të ndryshme në kryeqytet.
Një pjesë e tyre qëndrojnë te sheshi 'Skënderbej'
Report Tv sjell pamjet nga dëmet brenda komisariatit numër 3, i cili u sulmua me molotov nga protestuesit.
Protestuesit janë mbledhur sërish te Mininistria e Brendshme.
Ata kanë vijuar me aktet vandale duke sulmuar me gurë e fishekzjarre.
Ndërkohë një pemë është përfshirë nga flakët. Policia hedh ujë me presion për shpërndarjen e tyre.
Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë janë zhvendosur në zonën e Pedonales në Tiranë.
Disa dhjetëra protestues të dhunshëm kanë sulmuar me gurë dhe fishekzjarrë efektivët e Policisë, ndërkohë që e gjithë zona është e përfshirë nga kaosi total.
Disa punonjës policie kanë mbetur i lënduar pasi protestuesit i vendosën flakën Komisariatit nr.3.
"Janë shumë efektivë të lënduar, nuk e dimë se sa", tha një efektivë
Nga pamjet live që Report Tv solli shihet se disa prej punonjësve shihen të shtrirë në tokë brenda institucionit.
Ata janë marrë me ambulancë për të marrë mjekim të specializuar.
Protestuesit e dhunshëm i kanë vendosur flakën Komisariatit nr.3 në zonën e Mine Pezës në Tiranë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se zjarri është vendosur në ambientet e brendshme të Komisariatit dhe ka marrë përhapje të madhe.
Protestuesit po përplasen me policinë në qendër, pranë Bankës së Shqipërisë dhe sheshit Skëndërbej. Breshëri fishekzjarrësh janë lëshuar në drejtim të efektivëve.
Një qytetar, i ardhur nga Korça në Tiranë, është dhunuar nga disa protestues në sheshin Skënderbej në Tiranë. I gjakosur, i shtrirë në tokë, qytetarit i kanë ardhur në ndihmë punonjësit e Policisë që ndodheshin në terren për të ruajtur rendin. Po ashtu, atij i ka ardhur në ndihmë edhe Elona Lalaj, drejtuesja e Policisë Bashkiake në Tiranë.
‘Shyqyr që dole gjallë’- dëgjohet t’i thotë qytetarit një prej efektivëve të Policisë.
Por i lënduar nga sulmet e protestuesve ka mbetur edhe një efektivë policie, i cili pavarësisht se është i gjakosur në fytyrë, i vjen në ndihmë qytetarit të dhunuar.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar pamjet kur qytetari dhunohet nga protestuesit dhe ka shkruar se ai gjendej për një hall familjar në Tiranë dhe sipas tij, Policia ka ndërhyrë në kohë për ta shpëtuar.
“Policia e Shtetit ka ndërhyrë në kohë për të shpëtuar nga dhuna e protestuesve një qytetar nga Korça, i cili gjendej në Tiranë për një hall familjar”, ka shkruar Balla krahas pamjeve në rrjetet sociale.
Sheshi Skënderbej është kthyer në arenën e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Protestuesit kanë vijuar sulmet me gurë ndaj efektivëve, ndërsa uniformat blu janë kundërpërgjigjur me ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Në këtë orë, kur në ditët e mëparshme përplasjet zhvilloheshin përpara Kryeministrisë, këtë herë ato janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej. Ndërhyrjet e vazhdueshme të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, si dhe zhvendosja e forcave të rendit më poshtë në bulevard, kanë penguar rigrumbullimin e protestuesve te Kryeministria, duke e zhvendosur përballjen në qendër të kryeqytetit.
Aktivisti Sazan Guri është filmuar ditën e sotme në protestën e dhunshme në Tiranë, e cila po vijon për të gjashtën ditë me radhë.
Sazan Guri ka qenë i veshur me këmishë, kollare dhe mbante në dorë një kapele sportive.
Policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.
Protestuesit hodhën molotovë dhe gurë në drejtim të policisë.
Policia ka shoqëruar disa protestues pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.
Protestuesit e dhunshëm kanë hedhur sasi të mëdha molotovi pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë.
Protestuesit përshkallëzuan dhunën pasi efektivët e Policisë nisën shoqërimin e disa personave në atë zonë.
Protestuesit përplasen me policinë pas hedhjes së fishekzjarreve te Ministria e Brendshme.
“Nuk jemi në luftë civile”, tha një protestuese.
Në rrugën Asim Vokshi në Tiranë, protestuesit e dhunshëm u kanë vënë flakën dhe kanë përmbysur koshat e mbeturinave.
Ndërkohë efektivët e Policisë në atë zonë po punojnë për lirimin e rrugës nga sendet e forta të hedhura nga protestuesit në këtë aks.

Protestuesit kanë vijuar me marshimin e tyre në kryeqytet.
Një pjesë e tyre është duke lëvizur në një rrugë lagjeje në 'Mine Peza'.
Ndërkohë policia i ndjek nga pas.
Një grua, e pranishme në protestën e dhunshme që po zhvillohet prej 6 ditësh në Tiranë, nuk është ndjerë mirë teksa ndodhej në bulevardin ‘Zogu i Parë’.
Disa persona të pranishëm në tubim, i kanë ardhur në ndihmë gruas dhe e kanë shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pamjet e siguruara nga Report Tv tregojnë mënyrën se si protestuesit janë furnizuar me gurë gjatë sulmit ndaj selisë së Partisë Socialiste.
Në video shihet një protestues i maskuar dhe me një biçikletë elektrike, i cili transporton një arkë të kuqe të vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga kjo arkë, protestuesit marrin gurët që më pas i hedhin në drejtim të selisë së PS-së.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit protestuesit janë shpërndarë në rrugët e Tiranës.
Një pjesë e tyre ka shkuar drejt 'Zogut I'.

Tre persona kanë mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës si pasojë e protestave të sotme në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 16:00 të kësaj të diele, më 18 tetor, në spital janë paraqitur një efektiv policie, një i mitur 15 vjeç dhe një përfaqësuese e medias. Gjendja e të treve është e qëndrueshme dhe ata po kryejnë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa po marrin trajtim mjekësor.
Ministria ka përgënjeshtruar kategorikisht edhe lajmin që po qarkullon për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se informacioni është i pavërtetë. Ajo u bën thirrje mediave dhe qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t'i shpërndajnë, për të shmangur panikun, shqetësimin e familjarëve dhe tensionet e panevojshme.
Në zonën pranë Sheshit Skënderbej, një vajzë është ndjerë keq dhe ka rënë pa ndjenja gjatë protestës.
Disa persona, të pranishëm në protestë i kanë ardhur menjëherë në ndihmë. Ende nuk dihet nëse gjendja e saj është përkeqësuar për shkak të gazit lotsjellës, apo për arsye të tjera.
Protestuesit kanë sulmuar me fishekzjarre policinë në qendër të Tiranës.
Protestuesit kanë vijuar sërish me djegien e koshave.
Në zonën e Myslym Shyrit kanë djegur 4 kosha mbeturinash në mes të rrugës.
Policia ka zprapsur protestuesit nga Kryeministria pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës dhe ujë.
Sulmet ndaj policisë po vijojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit janë vendosur në vijën e parë, përballë forcave të rendit. Në këmbët e tyre janë grumbulluar mijëra gurë dhe copa pllakash të shkulura nga trotuaret, të cilat po i hedhin drejt efektivëve të policisë, herë një nga një e herë në grup.
Pas sulmeve me gurë dhe sende të forta të protestuesve të maskuar kundër efektivëve, Policia ka nisur shoqërimin e disa personave në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.
Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket një grup efektivësh teksa shoqërojnë një prej protestuesve, ndërkohë që situata në bulevard vijon të mbëtet e tensionuar.
Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë te Bulevardi ku kanë dëmtuar edhe xhamin e një makine policie.
Hidhet gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.
Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'.
Ndërsa shikon para kamerës, protestuesi i thotë gazetares 'Të ruajt Zoti'.
Protestuesit hoqën pllakat e trotuarit dhe i shpërndanë.
Protestuesit kanë lëvizur drejt Kryeministrisë.
Ata kanë hequr pllakat e trotuarit dhe më pas i kanë shpërndarë për sulm.
Policia ka krijuar një kordon te selia e Partisë Socialiste duke mos i lejuar protestuesit të përparojnë.
Ndërsa disa protestues sulmuan me gurë selinë e PS, aty pranë turmës u gjend edhe një i mitur.
Nuk dihet nëse ishte aty familjarë apo kalimtar.
Ndërkohë për mos t'u trembur një efektiv policie i ka ardhur në ndihmë që të largohet.
Protestuesit kanë sulmuar me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke thyer xhamin e derës kryesore.
"Merrni gura çuna, hajdeni", dëgjohen të thonë ata.
Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.
Protestuesit kanë nisur një marshim nëpër rrugët e Tiranës pasi janë larguar nga Ministria e Arsimit. Në “Rrugën e Barrikadave” kanë djegur disa kosha mbeturinash.
Disa protestues të maskuar po përpiqen të shkatërrojnë një kioskë, qepenat e së cilës janë të mbyllur, duke e goditur me shkelm.
Një protestues ka bërë thirrje që qytetarët të mos përplasen me efektivët e policisë, gjatë ditës së gjashtë të protestave antiqeveritare në Tiranë. Përmes mikrofonit të mediavve, ai u kërkoi të gjithë protestuesve të mos përdorin dhunë ndaj policëve dhe këtyre të fundit të frenojnë nga kundërpërgjigja duke theksuar se ata nuk janë përgjegjës për situatën por politika që ka sunduar në këtë vend për mbi 35 vjet.
“Kam një mesazh për popullin dhe Policinë e Shtetit. Të mos biem pre e politikës së keqe, që po na shkatërron prej 46 vjetësh. Pse të mytemi me policinë kot? Pse t’u gjuajmë tulla? S’kanë faj. Politikanët po tallin menderen me ata dhe me ne”, u shpreh protestuesi.
Për disa momente, protesta pësoi një tension gjatë të cilit policia ka shoqëruar disa protestues.
Deri tani, policia ka ndërhyrë me ujë e gaz dhe i ka zhvendosur protestuesit nga “Rruga e Durrësit” në kryqëzimin me sheshin “Skënderbej.” Protestuesit janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia është tërhequr.
Një tjetër përplasje mes protestuesve që gjuajnë me gurë dhe policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë nisur të vënë edhe zjarre nëpër rrugë dhe të hedhin kapsollë.
Në terren ndodhen 2 makina ujëhedhëse.
Protestuesit e pozicionuar para Ministrisë së Arsimit i kanë hapur rrugën një ambulance pasi gazetarja Elira Kadriu raportohet të jetë lënduar pasi është goditur me gur në pjesën e legenit. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet “hape bagazhin.”

Një protestues para Ministrisë së Arsimit është shfaqur duke valëvitur flamurin kuqezi. Aty pranë, disa protestuese hedhin valle para policisë, e cila qëndron në gatishmëri.
Disa protestues kanë shkëmbyer disa fjalë të ashpra me një nga policët brenda autobotit të ujit te Ministria e Arsimit.
-Keni fëmijë ju ore?
-Na vratë ore!
-Jeni shqiptarë a ça jeni? Çfarë janë këta?
Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë nisur të shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa protesta antiqeveritare hyn në ditën e gjashtë.
Është ora 13:20 dhe siç shihet edhe nga pamjet që vijnë nga terreni, disa prej tyre po i grumbullojnë pllakat e shkulura, duke i bërë gati për t'i përdorur kundër forcave të policisë.
Kjo ndodh ende pa nisur përplasjet, ndërsa gjatë pesë ditëve të mëparshme gurët dhe pllakat e trotuareve janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e rendit.
Ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po mblidhen qytetarë të shumtë për ditën e gjashtë të protestave antiqeveritare, mes turmës është shfaqur edhe Luiz Ejlli, fituesi i Big Brother VIP Albania. Prania e tij vjen në një kohë kur protestuesit po grumbullohen për të vijuar protestat, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.
"Mesazhin ia kanë dhënë për 135 ditë, po ia japi edhe këtë ditë të 6të, ca mesazhi tjetër duhet?" dëgjohet të thotë ai
-
DIGJNI SELITE E PS DHE PD..ATY BURON E KEQJA E KOMBIT TONE..DY PARTI ANTISHQIPTARE....KANE 35 QR NA VJEDHIN E VRASIIN....DIGJNI DHE PARLAMENTIN...
Përgjigju











Komente
Komento