TIRANË- Sulme me gurë, molotovë e fishekzjarrë ndaj policisë, institucione të sulmuara, zjarre dhe shkatërrime në rrugët e kryeqytetit. E njëjta panoramë dhune dhe kaosi edhe në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Protestuesit e maskuar i vunë flakën Komisariatit nr. 3, ku nga sulmet me molotovë mbetën të lënduar disa efektivë. Deri më tani bilanci i të lënduarve është, 16 policë, 1 i mitur dhe gazetarja Elira Kadriu.

Sulmeve nuk u shpëtoi as selia e Partisë Socialiste, ku u thyen xhamat e hyrjes kryesore, ndërsa përplasje të ashpra u regjistruan edhe pranë Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme dhe Sheshit Skënderbej. Për orë të tëra, protestuesit sulmuan me breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh efektivët, ndërsa policia përgjigjet me ujë me presion dhe gaz lotsjellës. Aktualisht protestuesit po lëvizin nëpër rrugët e Tiranës. 

Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta e kësaj të diele nisi më vonë, rreth orës 12:30, me grumbullimin e protestuesve përpara Ministrisë së Arsimit. Forca të shumta policie dhe autobotë me ujë ishin vendosur në gatishmëri, ndërsa për gati një orë situata ishte e qetë. Por rreth orës 13:20 nisën sulmet e para me gurë drejt forcave të rendit, ndërsa situata u përshkallëzua rreth orës 13:50. Gjatë hedhjes së gurëve mbeti e lënduar në pjesën e legenit edhe gazetarja Elira Kadriu, për të cilën mbërriti një ambulancë. Policia ndërhyri duke shoqëruar disa protestues dhe duke ushtruar kontrolle në çantat e tyre.

Pas orës 14:00, protestuesit u larguan nga Ministria e Arsimit dhe nisën një marshim nëpër rrugët e Tiranës. Ata kaluan pranë Bashkisë, Kishës Ortodokse, Bllokut të Ministrive, zonës së Toptanit dhe 9-katësheve, për t'u rikthyer sërish drejt qendrës.

Pas rreth një ore marshim, dhuna u zhvendos te selia e Partisë Socialiste. Një grup protestuesish, kryesisht të rinj të maskuar, arritën të kalonin kordonin e policisë dhe nisën të godisnin godinën me gurë e sende të forta, duke thyer xhamat. Nga brenda selisë së PS-së u panë të dilnin edhe persona të maskuar me shkopinj në duar, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.

Një detaj që bie në sy në pamjet e siguruara nga Report Tv është edhe mënyra se si protestuesit furnizoheshin me gurë. Një person i maskuar lëvizte me biçikletë elektrike, në pjesën e pasme të së cilës kishte vendosur një arkë të kuqe të mbushur me gurë. Prej saj, protestuesit merrnin gurët që më pas i hidhnin drejt selisë së Partisë Socialiste.

Pas përplasjeve te selia e PS-së, protestuesit marshuan sërish nëpër Bllokun e Ministrive dhe rreth orës 15:30, për herë të parë gjatë ditës, morën drejtimin e Kryeministrisë. Por këtë herë, ndryshe nga protestat e mëparshme, gurët e trotuareve në të dyja anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ishin hequr që në orët e para të ditës me fadromë, për të penguar përdorimin e tyre gjatë sulmeve ndaj policisë.

Kjo nuk i ndali protestuesit e maskuar, të cilët nisën të shkulin pllakat e gurit nga vetë rruga ku qarkullojnë automjetet, pranë instalacionit “Reja” dhe Bllokut të Ministrive. Me gurët e shkulur nga rruga nisën sulmet ndaj efektivëve të vendosur para Kryeministrisë. Policia reagoi menjëherë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit dhe duke zbrazur bulevardin.

Pas ndërhyrjes, policia zhvendosi automjetet dhe forcat e saj më poshtë në bulevard, pranë Ministrisë së Brendshme, në përpjekje për të penguar rigrumbullimin e protestuesve përpara Kryeministrisë. Edhe në këtë zonë pati përplasje, me protestuesit që hodhën gurë e molotovë në drejtim të efektivëve. Pas shpërndarjes nga Kryeministria, turma u nda në disa grupe. 

Lajm në përditësim... 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:40
U sulmua me molotov nga protestuesit, Report Tv brenda komisariatit numër 3, xhamat të bëra copash (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet nga dëmet brenda komisariatit numër 3, i cili u sulmua me molotov nga protestuesit.

Ora 18:39
'Tym e flakë', protestuesit zhvendosen sërish te Mininistria e Brendshme, vijojnë me aktet vandale (VIDEO)

Protestuesit janë mbledhur sërish te Mininistria e Brendshme.

Ata kanë vijuar me aktet vandale duke sulmuar me gurë e fishekzjarre.

Ndërkohë një pemë është përfshirë nga flakët. Policia hedh ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Ora 18:36
Gurë e fishekzjarrë drejt efektivëve të Policisë, protestuesit e dhunshëm zhvendosen te Pedonalja! Përplasje të forta (VIDEO)

Përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë janë zhvendosur në zonën e Pedonales në Tiranë.

Disa dhjetëra protestues të dhunshëm kanë sulmuar me gurë dhe fishekzjarrë efektivët e Policisë, ndërkohë që e gjithë zona është e përfshirë nga kaosi total.

Ora 18:21
Të shtrirë në tokë, disa efektivë policie të lënduar pasi protestuesit i vendosën flakën Komisariatit nr.3 (VIDEO)

Disa  punonjës policie kanë mbetur i lënduar pasi protestuesit i vendosën flakën Komisariatit nr.3.

"Janë shumë efektivë të lënduar, nuk e dimë se sa", tha një efektivë

Nga pamjet live që Report Tv solli shihet se disa prej punonjësve shihen të shtrirë në tokë brenda institucionit.

Ata janë marrë me ambulancë për të marrë mjekim të specializuar.

Ora 18:15
Akte vandale në Tiranë, protestuesit e dhunshëm i vënë zjarrin Komisariatit nr.3! Flakët përhapen me shpejtësi në ambientet e brendshme (VIDEO)

Protestuesit e dhunshëm i kanë vendosur flakën Komisariatit nr.3 në zonën e Mine Pezës në Tiranë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, duket se zjarri është vendosur në ambientet e brendshme të Komisariatit dhe ka marrë përhapje të madhe.

Ora 17:59
Protestuesit nuk ndalin aktet e dhunës, breshëri fishekzjarrësh ndaj efektivëve (VIDEO)

Protestuesit po përplasen me policinë në qendër, pranë Bankës së Shqipërisë dhe sheshit Skëndërbej. Breshëri fishekzjarrësh janë lëshuar në drejtim të efektivëve.

Ora 17:47
Protestuesit dhunojnë qytetarin nga Korça, merret nga ambulanca, nuk dihen shkaqet! Lëndohet edhe një polic (VIDEO)

Një qytetar, i ardhur nga Korça në Tiranë, është dhunuar nga disa protestues në sheshin Skënderbej në Tiranë. I gjakosur, i shtrirë në tokë, qytetarit i kanë ardhur në ndihmë punonjësit e Policisë që ndodheshin në terren për të ruajtur rendin. Po ashtu, atij i ka ardhur në ndihmë edhe Elona Lalaj, drejtuesja e Policisë Bashkiake në Tiranë.

‘Shyqyr që dole gjallë’- dëgjohet t’i thotë qytetarit një prej efektivëve të Policisë.

Por i lënduar nga sulmet e protestuesve ka mbetur edhe një efektivë policie, i cili pavarësisht se është i gjakosur në fytyrë, i vjen në ndihmë qytetarit të dhunuar.

Ora 17:31
Përplasjet zhvendosen te sheshi 'Skënderbej'! Protestuesit sulmojnë me gurë policinë, efektivët ndërhyjnë me ujë me presion (VIDEO)

Sheshi Skënderbej është kthyer në arenën e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në ditën e gjashtë të protestës në Tiranë. Protestuesit kanë vijuar sulmet me gurë ndaj efektivëve, ndërsa uniformat blu janë kundërpërgjigjur me ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Në këtë orë, kur në ditët e mëparshme përplasjet zhvilloheshin përpara Kryeministrisë, këtë herë ato janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej. Ndërhyrjet e vazhdueshme të policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, si dhe zhvendosja e forcave të rendit më poshtë në bulevard, kanë penguar rigrumbullimin e protestuesve te Kryeministria, duke e zhvendosur përballjen në qendër të kryeqytetit.

Ora 17:29
Me këmishë, kollare dhe kapele sportive, aktivisti Sazan Guri shfaqet në protestën e dhunshme në Tiranë

1792337416_ztrujdtyo.JPG

Aktivisti Sazan Guri është filmuar ditën e sotme në protestën e dhunshme në Tiranë, e cila po vijon për të gjashtën ditë me radhë.

Sazan Guri ka qenë i veshur me këmishë, kollare dhe mbante në dorë një kapele sportive.

Ora 17:16
Zjarr dhe gurë 'beteja' te Ministria e Brendshme, hidhet ujë dhe gaz lotsjellës (VIDEO)

Policia ka hedhur ujë dhe gaz lotsjellës pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.

Protestuesit hodhën molotovë dhe gurë në drejtim të policisë.

Ora 17:10
Përshkallëzohet situata në Tiranë, disa të shoqëruar (VIDEO)

Policia ka shoqëruar disa protestues pas përshkallëzimit të tensioneve te Ministria e Brendshme.

Ora 17:07
Tirana në kaos, protestuesit e dhunshëm ‘zbrazin’ sasi të mëdha molotovi pranë Ministrisë së Brendshme (VIDEO)

Protestuesit e dhunshëm kanë hedhur sasi të mëdha molotovi pranë Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

Protestuesit përshkallëzuan dhunën pasi efektivët e Policisë nisën shoqërimin e disa personave në atë zonë.

Ora 17:05
Tensione te Ministria e Brendshme, protestuesit përplasen me policinë: Nuk jemi në luftë civile (VIDEO)

Protestuesit përplasen me policinë pas hedhjes së fishekzjarreve te Ministria e Brendshme.

“Nuk jemi në luftë civile”, tha një protestuese.

Ora 16:36
Protestuesit i vënë flakën dhe përmbysin koshat e mbeturinave te ‘Asim Vokshi’, efektivët e Policisë lirojnë rrugën

1792334233_fxykvhupo.JPG

Në rrugën Asim Vokshi në Tiranë, protestuesit e dhunshëm u kanë vënë flakën dhe kanë përmbysur koshat e mbeturinave.

Ndërkohë efektivët e Policisë në atë zonë po punojnë për lirimin e rrugës nga sendet e forta të hedhura nga protestuesit në këtë aks.

Ora 16:36
Protestuesit vijojnë marshimin në rrugicat e lagjes në Tiranë! Policia i ndjek nga pas

1792334540_protestatkunderqeverise.jpg

Protestuesit kanë vijuar me marshimin e tyre në kryeqytet.

Një pjesë e tyre është duke lëvizur në një rrugë lagjeje në 'Mine Peza'.

Ndërkohë policia i ndjek nga pas.

Ora 16:27
Protesta e dhunshme në Tiranë, një grua në bulevardin ‘Zogu i Parë’ ndihet keq! Disa persona i vijnë në ndihmë

1792333717_dytiygp.JPG

Një grua, e pranishme në protestën e dhunshme që po zhvillohet prej 6 ditësh në Tiranë, nuk është ndjerë mirë teksa ndodhej në bulevardin ‘Zogu i Parë’.

Disa persona të pranishëm në tubim, i kanë ardhur në ndihmë gruas dhe e kanë shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Ora 16:22
VIDEOLAJM/ Ja si furnizohen me gurë protestuesit! I maskuari i transporton me biçikletë elektrike në një arkë të kuqe, të tjerët mbushin duart dhe sulmojnë selinë e PS

Pamjet e siguruara nga Report Tv tregojnë mënyrën se si protestuesit janë furnizuar me gurë gjatë sulmit ndaj selisë së Partisë Socialiste.

Në video shihet një protestues i maskuar dhe me një biçikletë elektrike, i cili transporton një arkë të kuqe të vendosur në pjesën e pasme të saj. Nga kjo arkë, protestuesit marrin gurët që më pas i hedhin në drejtim të selisë së PS-së.

Ora 16:19
Protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës, pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit (VIDEO)

Pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe ujit protestuesit janë shpërndarë në rrugët e Tiranës.

Një pjesë e tyre ka shkuar drejt 'Zogut I'.

Ora 16:19
Protestat/3 të lënduar në Spitalin e Traumës, mes tyre një 15-vjeçar dhe një gazetare! Ministria e Shëndetësisë përgënjeshtron lajmin për vdekjen e një të mituri

Tre persona kanë mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës si pasojë e protestave të sotme në Tiranë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, deri në orën 16:00 të kësaj të diele, më 18 tetor, në spital janë paraqitur një efektiv policie, një i mitur 15 vjeç dhe një përfaqësuese e medias. Gjendja e të treve është e qëndrueshme dhe ata po kryejnë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa po marrin trajtim mjekësor.

Ministria ka përgënjeshtruar kategorikisht edhe lajmin që po qarkullon për humbjen e jetës së një të mituri, duke theksuar se informacioni është i pavërtetë. Ajo u bën thirrje mediave dhe qytetarëve të verifikojnë informacionet përpara se t'i shpërndajnë, për të shmangur panikun, shqetësimin e familjarëve dhe tensionet e panevojshme.

Ora 16:14
Protesta e dhunshme në Tiranë, një vajzë ndihet keq dhe humb ndjenjat! Disa persona i vijnë në ndihmë (VIDEO)

Në zonën pranë Sheshit Skënderbej, një vajzë është ndjerë keq dhe ka rënë pa ndjenja gjatë protestës.

Disa persona, të pranishëm në protestë i kanë ardhur menjëherë në ndihmë. Ende nuk dihet nëse gjendja e saj është përkeqësuar për shkak të gazit lotsjellës, apo për arsye të tjera.

Ora 16:11
Kaos në 'zemër' të Tiranës, protestuesit sulmojnë me fishekzjarre policinë (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar me fishekzjarre policinë në qendër të Tiranës.

Ora 15:59
Vijojnë aktet e dhunshme, protestuesit djegin koshat e mbeturinave në zonën e 'Myslym Shyrit' (VIDEO)

 

Protestuesit kanë vijuar sërish me djegien e koshave.

Në zonën e Myslym Shyrit kanë djegur 4 kosha mbeturinash në mes të rrugës.

Ora 15:53
Policia zpraps protestuesit nga Kryeministria me gaz lotsjellës dhe ujë (VIDEO)

Policia ka zprapsur protestuesit nga Kryeministria pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës dhe ujë.

Ora 15:52
Vijojnë sulmet me gurë ndaj policisë në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'! Protestuesit shkulin pllakat e trotuareve dhe i hedhin drejt efektivëve

Sulmet ndaj policisë po vijojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit janë vendosur në vijën e parë, përballë forcave të rendit. Në këmbët e tyre janë grumbulluar mijëra gurë dhe copa pllakash të shkulura nga trotuaret, të cilat po i hedhin drejt efektivëve të policisë, herë një nga një e herë në grup.

Ora 15:50
Sulmet me gurë e sende të forta, Policia nis shoqërimin e protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit (VIDEO)

Pas sulmeve me gurë dhe sende të forta të protestuesve të maskuar kundër efektivëve, Policia ka nisur shoqërimin e disa personave në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv duket një grup efektivësh teksa shoqërojnë një prej protestuesve, ndërkohë që situata në bulevard vijon të mbëtet e tensionuar.

Ora 15:46
Protestuesit nisin sulmet me gurë te Bulevardi, dëmtojnë xhamin e makinës së policisë! Hidhet gaz lotsjellës dhe ujë (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur sulmet me gurë te Bulevardi ku kanë dëmtuar edhe xhamin e një makine policie.

Hidhet gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 15:34
Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit': Të ruajt Zoti (VIDEO)

Protestuesi i maskuar gjuan me llastiqe te 'Bulevardi Dëshmorët e Kombit'.

Ndërsa shikon para kamerës, protestuesi i thotë gazetares 'Të ruajt Zoti'.

Protestuesit hoqën pllakat e trotuarit dhe i shpërndanë.

Ora 15:22
Protestuesit e maskuar para kryeministrisë, heqin pllakat e trotuarit dhe i shpërndajnë për sulm (VIDEO)

Protestuesit kanë lëvizur drejt Kryeministrisë.

Ata kanë hequr pllakat e trotuarit dhe më pas i kanë shpërndarë për sulm.

Ora 15:10
U sulmua nga protestuesit, policia kordon sigurie te selia e PS (VIDEO)

 

Policia ka krijuar një kordon te selia e Partisë Socialiste duke mos i lejuar protestuesit të përparojnë.

Ora 15:05
Protesta e dhunshme, një fëmijë i mitur në mesin e 'betejës'! Efektivi e ndihmon të largohet (VIDEO)

 

Ndërsa disa protestues sulmuan me gurë selinë e PS, aty pranë turmës u gjend edhe një i mitur.

Nuk dihet nëse ishte aty familjarë apo kalimtar.

Ndërkohë për mos t'u trembur një efektiv policie i ka ardhur në ndihmë që të largohet.

Ora 14:49
Protestat e dhunshme, protestuesit sulmojnë me gurë selinë e PS: Hajdeni çuna! Ndërhyn policia (VIDEO)

Protestuesit kanë sulmuar me gurë selinë e Partisë Socialiste, duke thyer xhamin e derës kryesore.

"Merrni gura çuna, hajdeni", dëgjohen të thonë ata.

Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.

Ora 14:41
Protestuesit marshojnë nëpër Tiranë, djegin kosha mbeturinash e tentojnë të shkatërrojnë kioska (VIDEO)

Protestuesit kanë nisur një marshim nëpër rrugët e Tiranës pasi janë larguar nga Ministria e Arsimit. Në “Rrugën e Barrikadave” kanë djegur disa kosha mbeturinash.

Disa protestues të maskuar po përpiqen të shkatërrojnë një kioskë, qepenat e së cilës janë të mbyllur, duke e goditur me shkelm.

Ora 14:41
'Pse t’u gjuajmë tulla policëve? S’kanë faj', apeli i qytetarit mes protestuesve: Të mos biem pre e politikës së keqe!

 

Një protestues ka bërë thirrje që qytetarët të mos përplasen me efektivët e policisë, gjatë ditës së gjashtë të protestave antiqeveritare në Tiranë. Përmes mikrofonit të mediavve, ai u kërkoi të gjithë protestuesve të mos përdorin dhunë ndaj policëve dhe këtyre të fundit të frenojnë nga kundërpërgjigja duke theksuar se ata nuk janë përgjegjës për situatën por politika që ka sunduar në këtë vend për mbi 35 vjet. 

“Kam një mesazh për popullin dhe Policinë e Shtetit. Të mos biem pre e politikës së keqe, që po na shkatërron prej 46 vjetësh. Pse të mytemi me policinë kot? Pse t’u gjuajmë tulla? S’kanë faj. Politikanët po tallin menderen me ata dhe me ne”, u shpreh protestuesi.

Ora 13:54
Sulmet me gurë, shoqërohen disa protestues! Policia i shpërndan me ujë e gaz (VIDEO)

Për disa momente, protesta pësoi një tension gjatë të cilit policia ka shoqëruar disa protestues.

Deri tani, policia ka ndërhyrë me ujë e gaz dhe i ka zhvendosur protestuesit nga “Rruga e Durrësit” në kryqëzimin me sheshin “Skënderbej.” Protestuesit janë shpërndarë në disa drejtime, ndërsa policia është tërhequr.

Ora 13:49
Protestuesit sulmojnë me gurë e vënë zjarre, policia reagon me gaz lotsjellës

 

Një tjetër përplasje mes protestuesve që gjuajnë me gurë dhe policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Protestuesit kanë nisur të vënë edhe zjarre nëpër rrugë dhe të hedhin kapsollë.

Në terren ndodhen 2 makina ujëhedhëse.

Ora 13:37
Protesta te Ministria e Arsimit, gazetarja goditet me gur, protestuesit i hapin rrugën ambulancës

 

Protestuesit e pozicionuar para Ministrisë së Arsimit i kanë hapur rrugën një ambulance pasi gazetarja Elira Kadriu raportohet të jetë lënduar pasi është goditur me gur në pjesën e legenit. Megjithatë, nuk munguan as thirrjet “hape bagazhin.”

Ora 13:36
Protestuesi valëvit flamurin kuqezi, disa vajza ia marrin valles

Një protestues para Ministrisë së Arsimit është shfaqur duke valëvitur flamurin kuqezi. Aty pranë, disa protestuese hedhin valle para policisë, e cila qëndron në gatishmëri.

Ora 13:33
Protesta te Ministria e Arsimit, protestuesit të acaruar me policinë: Keni fëmijë ju? Na vratë ore!

 

Disa protestues kanë shkëmbyer disa fjalë të ashpra me një nga policët brenda autobotit të ujit te Ministria e Arsimit.

-Keni fëmijë ju ore?

-Na vratë ore!

-Jeni shqiptarë a ça jeni? Çfarë janë këta?

Ora 13:13
Nisin përgatitjet për përplasje pranë Ministrisë së Arsimit! Protestuesit shkulin pllakat e trotuareve për t'i përdorur kundër policisë

 

Protestuesit e mbledhur pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë kanë nisur të shkulin pllakat e trotuareve, ndërsa protesta antiqeveritare hyn në ditën e gjashtë.

Është ora 13:20 dhe siç shihet edhe nga pamjet që vijnë nga terreni, disa prej tyre po i grumbullojnë pllakat e shkulura, duke i bërë gati për t'i përdorur kundër forcave të policisë.

Kjo ndodh ende pa nisur përplasjet, ndërsa gjatë pesë ditëve të mëparshme gurët dhe pllakat e trotuareve janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e rendit.

Ora 13:06
Protestat e dhunshme hyjnë në ditën e gjashtë, mes turmës pranë Ministrisë së Arsimit shfaqet Luiz Ejlli

 

Ndërsa pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë po mblidhen qytetarë të shumtë për ditën e gjashtë të protestave antiqeveritare, mes turmës është shfaqur edhe Luiz Ejlli, fituesi i Big Brother VIP Albania. Prania e tij vjen në një kohë kur protestuesit po grumbullohen për të vijuar protestat, të cilat gjatë pesë ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të dhunshme.

"Mesazhin ia kanë dhënë për 135 ditë, po ia japi edhe këtë ditë të 6të, ca mesazhi tjetër duhet?" dëgjohet të thotë ai