Pas pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale se shërbimet e trombektomisë dhe arteriografisë nuk ofrohen në QSUT, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar duke theksuar se shërbimi është funksional dhe në gatishmëri për çdo pacient që ka nevojë për trajtime të avancuara neurovaskulare

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, shefi i Shërbimit të Neuroradiologjisë Diagnostikuese dhe Intervencionuese në QSUT, prof. asc. Arben Rroji, shfaq ambientet e kabinetit të ri dhe thotë se stafi është gati të kryejë ndërhyrjet për pacientët.

“Aktualisht jemi në kabinetin e angiografisë, që është pjesë e shërbimit të neuroradiologjisë intervencionuese dhe diagnostikuese, ku ne jemi përgatitur për të pritur pacientin e parë për trombektomi, e cila, siç dihet, është një patologji emergjence”, u shpreh Rroji.

Ai shtoi se personeli mjekësor është në gatishmëri për realizimin e kësaj procedure, ndërsa në vijim kabineti do të zgjerojë gamën e trajtimeve edhe për patologji të tjera neurovaskulare, si aneurizmat, MAV-et dhe fistulat.

Shërbimi i trombektomisë është bërë funksional prej disa ditësh në QSUT, pas investimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, që solli pajisjen e angiografisë dhe ngritjen e kabinetit të radiologjisë intervencionuese. Kjo u jep mjekëve mundësinë të ndërhyjnë më shpejt te pacientët me goditje në tru, si edhe të trajtojnë sëmundje të tjera të enëve të gjakut.

Sipas QSUT-së, brenda vitit 2026 në shërbimin e neurokirurgjisë do të instalohet edhe një akselerator linear për trajtimin e pacientëve me tumore të trurit. Ndërkohë, angiografi biplanar dhe kabineti i radiologjisë intervencionuese kanë kapacitet për rreth 200 procedura të avancuara në vit.