Sali Berisha bën prapa ktheu pas sulmit të dhunshëm me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku brenda ndodheshin artistë të huaj, të cilëve iu rrezikua jeta. Pas reagimit të ndërkombëtarëve të cilët dënuan ashpër sulmin ndaj artistëve, Berisha u hoq sikur nuk ishte në dijeni se brenda vilës kishte artistë. “Unë e mora vesh se është qendër kulturore pasi ndodhi ngjarja”, tha Berisha kur u pyet nga gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, ndonëse vila prej janarit 2025 ka hapur dyer si qendër kulture për artistët.
Para SPAK ku u paraqit për masën detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, Berisha vijoi me skenarët se “njerëz të policisë kriminale ishin futur mes turmës dhe u kanë thënë protestuesve se aty banonte Rama”, duke aluduar për policë të infiltruar mes turmës.
Edhe ndjesën e kërkoi duke thënë të pavërteta. Në përpjekje për të minimizuar sulmin e dhunshëm, Berisha tha se brenda vilës në momentin kur u hodhën molotovë ishin vetëm 2 zonja, por e vërteta është se në qendrën e kulturës ndodheshin 10 artistë dhe 3 persona pjesë e stafit.
“Për sa i përket tani meqë hyra në këtë temë, sigurisht ndjej shumë keqardhje për ata të huaj që kanë qenë aty dhe i siguroj se ata nuk kanë qenë kurrë objekt i atyre që i kanë hedhur ato mjete piroteknike. Jo, por nuk e kanë ditur se janë aty. Sidoqoftë për ata ndjej keqardhje të madhe, nuk duhej të ndodhte kurrsesi. Dy të huaj kanë qenë aty, dy zonja. Nuk e ka ditur njeri fare. Një gjë është trashëgimia e Enver Hoxhës, unë për shembull e mora vesh pasi pyeta dhe më thanë se është bërë qendër kulturore.
Ajo mund të ishte muze i torturave çnjerëzore, por qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është një fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut, për 40 mijë të internuar, për 120 mijë të persekutuar. Ajo qendër kulturore vetëm mendja e sëmurë e Edi Ramës që adhuron Enver Hoxhën, unë nuk kisha dëgjuar kurrë. Ajo mund të ishte muzeu i torturave dhe ajo mund të bëhej muzeu i torturave çnjerëzore të diktaturës. Megjithatë me këtë unë nuk justifikoj fare dhe prania e atyre dy të huajve është keqardhje e madhe për mua. Unë e mora vesh që ajo është shndërruar qendër kulturore absolutisht pasi ndodhi ngjarja, pasi pyeta”, tha Berisha.
Në fakt, qëndrimi i Berishës bie në kundërshti me atë çfarë ndodhi në terren. Molotovët dhe fishekzjarrët ndaj vilës së Enver Hoxhës, sot e kthyer në qendër kulture nën menaxhimin e fonacionit francez Art Explora, shpërthyen vetëm pak metra pasi aty kaloi Sali Berisha, nën shoqërinë e Flamur Nokës, Gazment Bardhit dhe të tjerëve drejtues të PD. Për sulmin e dhunshëm, Policia arrestoi 4 protetsues, ndërsa çoi në SPAK Klevis Balliun, por edhe kësaj kryepërgjegjësi Sali Berisha shpëtoi.
Komente








