Nga 13 prilli, për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, por sidomos pas agresionit ndaj Ukrainës në vitin 2022, Vladimir Putin mbetet pa sabotatorin e tij më të madh: kalin e tij të Trojës, gjembin në këmbën e Europës që ka bllokuar apo ngadalësuar çdo veprim kundër Rusisë. Viktor Orban, për momentin, del nga skena. Por këtë javë njeriu që lideri i vjetër hungarez e quante “luani” duke krahasuar veten me “miun” që e ndihmon si në fabulën e Ezopit, do të ketë gjëra të tjera për të menduar.

Pas pak ditësh në Rusi nis zyrtarisht lufta kundër VPN-ve, rrjeteve që krijojnë lidhje të fshehta me faqe apo platforma të ndaluara si YouTube, WhatsApp apo Telegram. Do të duhet gjithashtu të zbatohet ndalimi total i Telegram-it, i vendosur vetëm tre ditë më parë. Është një hap delikat edhe për një autokrat. Bllokimi i VPN-ve do të thotë të shkosh kundër 65 milionë rusëve, ndalimi i Telegram-it prek mbi 50 milionë. “Nuk është më një luftë kundër kundërshtarëve liberalë”, thotë shkrimtari nga Moska Andrei Kolesnikov, i shpallur prej kohësh “agjent i huaj”. Sipas tij, “kjo është një luftë kundër shoqërisë në tërësi”. Mbi të gjitha është shkelje e marrëveshjes së pashkruar që Putini ka bërë me rusët, ose të paktën me shtresat më të pasura të qyteteve të mëdha: më lini të gjithë pushtetin dhe do të jetoni të qetë një jetë që duket moderne. Sot ajo marrëveshje është copëtuar.

Për herë të parë në Rusi duken qartë shenja ngurtësimi në një sistem që po çahet: përplasje të brendshme në majat e shtetit, pakënaqësi mes elitave të Moskës që janë rritur pas vitit 1991 për absurditetet oruelliane të pushtetit, zhgënjim dhe rënie popullariteti në opinionin publik për klimën e rëndë të luftës, stagflacionit dhe tani edhe për mohimin e internetit që po bëhet gjithnjë e më shumë shenjë dalluese e putinizmit. Le të shohim.

Së pari një sqarim: ajo që vijon nuk është parashikim se Putini do të rrëzohet patjetër në një të ardhme të afërt apo jo, dhe as paralajmërim për fund të shpejtë të luftës në Ukrainë. Diktatori mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, i mbyllur në pallatin e tij, i mbrojtur nga njerëzit e tij, i bllokuar në luftën e tij, i paaftë të ecë përpara, të kthehet pas apo të ndryshojë drejtim, pa një strategji tjetër përveç djegies së një numri të madh jetësh dhe qindra miliarda dollarësh për fitore gjithnjë e më të vogla në një territor të shkatërruar në Donbas.

Në shkurt, për herë të parë që nga viti 2023, Ukraina rifitoi më shumë territore sesa humbi. Në mars avancimi i ushtrisë së Moskës u ngadalësua në një të tretën e ritmit tashmë minimal të një viti më parë. Ndërkohë janari dhe shkurti në Rusi ishin muaj recesioni: sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ekonomia u tkurr me 1.8 për qind krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë, ndërsa inflacioni vazhdon të rritet.

Në këtë kuadër, pushteti në Moskë po merr disa nga vendimet më të çuditshme dhe në pamje të parë pa arsye të viteve të fundit. Nuk jepet asnjë shpjegim, as për arsyet dhe as për përgjegjësit. Në mars, për herë të parë, rrjeti mobil i internetit u fik në gjithë Moskën, një metropol shumë i digjitalizuar me 14 milionë banorë, për rreth njëzet ditë. Autoritetet u përpoqën të shmangnin paralizën, pasi nuk mund të rezervohej taksi, të paguhej në dyqane apo të përdorej as banjo publike, duke nxjerrë një listë me 120 faqe të lejuara: disa banka, platforma zyrtare e mesazheve Max dhe disa rrjete transporti publik. Por këtu doli një tjetër çudi, kur faqja e lajmeve The Bell zbuloi se lista e adresave të lejuara ishte dhënë nga shërbimi “Shkencë dhe Teknologji” i FSB-së, shërbimi sekret pasardhës i KGB-së, me sinjalin se “urdhri vinte nga lart”.

Për arsyet e bllokimit autoritetet kanë heshtur si kurrë më parë. Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, u kufizua të thoshte “arsye sigurie”. Pa konfirmim kanë mbetur zërat se Putini është trembur nga mënyra si Izraeli gjeti dhe vrau udhëheqësin suprem Ali Khamenei duke sulmuar celularin e tij përmes rrjetit mobil të Teheranit. Por nuk është i vetmi shenjë paranoje në rritje. Që nga e premtja e kaluar, çdo akses në Telegram është plotësisht i ndaluar dhe tani ka nisur edhe lufta ndaj VPN-ve që lejojnë shmangien e bllokimeve kombëtare. Sipas Forbes Russia, urdhri për të goditur këto shërbime vjen nga një dekret presidencial i klasifikuar, pra nga një urdhër sekret i vetë Putinit. Në fund të marsit, ministri për Zhvillimin Digjital Maksut Shadayev mblodhi operatorët kryesorë të telekomunikacionit dhe u dha udhëzimet: kush dyshohet se përdor VPN duhet të taksohet dhe t’i kufizohet hyrja në internet.

Nuk ka rëndësi që një gjë e tillë është teknikisht e vështirë. Është vetëm një hap më tej në një trend që po vazhdon. Në vitin e fundit, 77 për qind e banorëve në Rusi janë prekur nga ndonjë formë bllokimi të rrjetit. Por këtë herë ndodh diçka e re: edhe elitat e Moskës, njerëz brenda sistemit, po bëjnë të ditur se nuk e kuptojnë çfarë po ndodh. Në Rusinë e sotme, Putini duket si një relike e formuar në kohën e KGB-së disa dekada më parë. Aq analog sa kur ra Muri i Berlinit kaloi orë të tëra duke djegur dokumente në një sobë në Dresden derisa ajo shpërtheu. Aq i mbërthyer pas obsesioneve të vjetra sa ka thënë se interneti është një projekt i CIA-s që vazhdon të zhvillohet si i tillë.

Ndërkohë Rusia ka ecur përpara, edhe ajo e Putinit. Kritikat kanë ardhur fillimisht nga aleatët e tij. Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, ka kujtuar se Telegram është një infrastrukturë jetike për mbijetesën në zonën e tij pranë Ukrainës sepse shërben për koordinimin e alarmit për dronët. Deputetë të Dumës si Yevgeny Popov, Vitaly Milonov apo Nikolay Nivichkov janë ankuar se nuk arrijnë të komunikojnë me votuesit. Guvernatorja e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina, ka theksuar se përfshirja e disa bankave në listën e lejuar dhe përjashtimi i të tjerave shtrembëron konkurrencën. Ndërsa një nacionalist si Sergei Mironov i ka quajtur thjesht “idiotë” funksionarët që bllokojnë Telegram.

Dhe këta janë aleatët e diktatorit. Të tjerët janë edhe më kritikë. I gjithë sektori digjital, prej vitesh një forcë e rëndësishme në Rusi, ndihet i tradhtuar. Një sondazh i muajit të kaluar nga Levada dhe Laboratori i së Ardhmes i Novaya Gazeta tregon se zemërimi dhe lodhja janë kudo. 52 për qind e rusëve thonë se janë të lodhur nga gjithçka, lufta, inflacioni, ekonomia e dobët dhe kufizimi i internetit. 73 për qind janë të lodhur nga konflikti dhe vetëm 9 për qind janë entuziastë. Edhe mes atyre që besojnë se Rusia po shkon në drejtimin e duhur dhe se Putini po bën punë të mirë, dy të tretat janë të lodhur nga lufta. Pavel Durov, themeluesi i Telegram-it, tashmë flet si lider opozite dhe bën thirrje për rezistencë digjitale.

Mikhail Khodorkovsky, opozitar i burgosur për dhjetë vjet nga Putini, thotë se këto vendime të pazakonta lidhen me rritjen e ndikimit të FSB-së në administratën presidenciale. Ai kujton edhe raste të fundit ku shërbimet sekrete kanë arrestuar njerëz pranë Sergei Kiriyenko, një nga figurat kryesore të pushtetit, çka tregon për një luftë të ashpër të brendshme.

Në librin e tij, Andrei Kolesnikov përshkruan marrëveshjen që Putini u ka ofruar rusëve për 26 vite: një dorëzim i përgjegjësisë individuale në këmbim të stabilitetit. Por në vitin 2026, interneti është pjesë e këtij “stabiliteti”. Dhe për shumë rusë, rënia e Bashkimit Sovjetik është vetëm një kujtim i largët. Marrëveshja mes pushtetit dhe popullit po çahet. Popullariteti i Putinit ka rënë në nivelet më të ulëta që nga 2022. Kjo e vë në vështirësi edhe për luftën, sepse i duhen më shumë ushtarë, por ka frikë nga reagimi i njerëzve në rast mobilizimi.

Sot, Putini duket në një rrugë pa dalje. Njerëzit rreth tij luftojnë për pushtet dhe e shtypin vendin, ndërsa afrohen zgjedhjet për Dumën. Sipas Alexandra Prokopenko, për momentin sistemi mund të qëndrojë, por sa më rigid bëhet, aq më shumë rriten çarjet.

“Ajo që po ndodh nuk mjafton ende për një reagim kolektiv kundër regjimit”, thotë ajo. “Por pika-pika gërryen gurin.”

Mund të duhet shumë kohë, ndoshta deri në fundin e këtij regjimi, ose ndoshta më pak. Sepse edhe 40 vjet më parë askush nuk e parashikoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Dhe askush nuk do ta imagjinonte që pushteti i ri do të bëhej po aq i rrezikshëm sa ai i Putinit./CorrieredellaSera