Pas rrëzimit të shtatores, ç’i tha
Berisha Ramiz Alisë për Hoxhën

Pas rrëzimit të shtatores, ç’i tha<br />Berisha Ramiz Alisë për Hoxhën<br>
Pas botimit të dy pjesëve të para të procesverbalit të mbledhjes së Presidiumin e Kuvendit Popullor, me 20 shkurt 1991, pak orë pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, Shqiptarja.com sjell pjesën e tretë të procesverbalit, ku i jepet fund diskutimeve pa mbërritur në një marrëveshje konkrete me partitë politike për zgjidhjen.

Ramiz Ali e mbyll mbledhjen me kërcënimin që do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme nëse përfaqësuesit e partive politike nuk do ti bindnin studentët të dilnin nga greva dhe t’u bënin thirrje njerëzve të mos dilnin në rrugë. Më poshtë i sjellim të plota diskutimet e pjesës së tretë të procesverbalit të kësaj mbledhjeje. Ad.Pe.

(Vijon nga dje...

Spiro Dede: Shoku Ramiz, duhet të dalim me një thirrje që këtu që të jenë të gjitha organizatat për qetësimin e gjendjes, krahas masave që do të merrni ju dhe kohën që kërkoni.

Abdyl Backa: Shoku Ramiz ne jemi për këtë që të shkojmë te varri të qetësojmë gjendjen. Nuk ka rrugë tjetër, kjo është e pakonceptueshme.

Ramiz Alia: Shkoni.

Sali Berisha: Studentët duhet t’i nxjerrim nga greva duke u thënë që iu hoq emri Universitetit. Megjithatë ne me studentët komunikim nuk kemi.

Ramiz Alia: Nxirrini studentët tani shpejt. Unë këto kushte vë, dhe studentëve shkoni ua thoni, që të mundet unë të kryej funksionet e mia medoemos dua të meditoj sepse nuk janë punë të lehta. Të krijoj këshill presidence, të krijoj qeveri, të ndryshoj qeveritë, të krijoj qeveri tjetër pune, të ketë një program të caktuar çfarë do të bëhet se nuk është kaq e thjeshtë, mos e pandehni kështu, nuk mund të bëhet kjo shkel e shko. Prandaj këtë çështje e kërkoj absolute nga ju, në qoftë se doni të bashkëpunoni, në qoftë se doni që të mos shkallëzohen masat e gjendjes së jashtëzakonshme.

Marash Hajati: Shoku Ramiz, këto ditë nuk ju mungojnë nga ne, i keni pa diskutim. Por nuk është fjala se ne jemi kundër këtyre tri ditëve, nuk diskutohet kjo, çështja është që tashti urgjentisht në radio duhet njoftuar që presidenti bëri këtë deklaratë, ne që jemi mbledhur jemi plotësisht dakord që të ketë tri ditë, por gjatë kësaj kohe do të shikohen këto e këto gjëra. Puna është të qetësohet situata, është puna për ta fituar këtë kohë jo për ta humbur. Prandaj kjo duhet bërë tani urgjentisht në radio. Ka ndonjë që është kundër këtyre tri ditëve?

Zëra: Jo, nuk ka.

Marash Hajati: Atëherë në këto tri ditë që u dhanë nga këto parti do të shikoj këto çështje se nuk ka kohë.

Ramiz Alia: Unë do të shikoj çështjen e këshillit presidencial dhe çështjen e krijimit të një qeverie pune.

Abdyl Backa: Shoku Ramiz, përpara se të shpërndahemi, të tëra forcat demokratike, përpara se të shpërndahemi t’i bëjnë një thirrje popullit që të japin këtë mundësi dhe me këto masa që do të marrë Presidenti.

Sali Berisha: Po, në televizor do të bëhet.

Abdyl Backa: Dhe që të tëra forcat ranë në një marrëveshje.

Sabri Godo: Unë mendoj se ju duhet t’i drejtoni një mesazh vetë kombit shoku Ramiz.

Sali Berisha: Kjo është kryesorja.

Ramiz Alia: Çfarë t’i them?

Marash Hajati: Të bëhet me nënshkrime.

Sali Berisha: Është më mirë të dalim në televizor e në radio se sa të nënshkruajmë këtu. Të dalë secili dhe të thotë fjalët e veta. S’ka rëndësi nënshkrimi.

Sabri Godo: Ju do t’i thoni popullit ato që keni menduar ju.

Sali Berisha: Është më e dobishme kjo.

Marash Hajati: Unë nuk e kam hallin te televizioni, urgjenca është tashti në radio. Urgjentisht duhen ndërprerë të gjitha programet dhe duhet lexuar kjo. Pastaj të bëhet në televizion.

Sali Berisha: Është më e dobishme dalja e secilit përfaqësues. Dalja veças e secilit përfaqësues në këtë situatë është më e dobishme për mendimin tim.

Marash Hajati: Urgjentisht njëri pas tjetrit, tashti.

Sali Berisha: Dakord, urgjentisht njëri pas tjetrit. Kjo po, kjo është më e dobishme.

Spiro Dede: Po studentëve atje?

Sali Berisha: Studentëve, më fal, hajde të shkojmë bashkë. Sot na kanë nxjerrë, nuk na lanë të futemi se sot kanë mbyllur derën dhe nga mëngjesi deri tani nuk kanë lënë njeri. Prandaj, mundësisht t’ua komunikojmë heqjen e emrit se ndryshe nuk zgjidhet.

Marash Hajati: Hajde të shkojmë bashkë.

Sali Berisha: Te studentët?

Marash Hajati: Te studentët, na lënë të hyjmë, hajde të shkojmë. Në qoftë se do t’i dalim zot kësaj pune dhe ta mbyllim, hajde të shkojmë.

Sabri Godo: Nuk janë studentët, është turma.

Ramiz Alia: Ajo është turmë e drejtuar.

Sali Berisha: Jo, shoku Ramiz.

Ramiz Alia: Pse më thua jo, ky të thotë: ndryshe do të vemi te varri.

Sali Berisha: Kush të thotë?

Ramiz Alia: Ja këta që janë atje brenda. Ç’më thua kështu?

Sali berisha: Kush, grevistët?

Ramiz Alia: Nuk ma thotë një turmë këtë po grevistët. Blendi Gonxhe ma thotë, në emër të tyre. Ç’më thua kështu, turma. Keni gjetur një fjalë për t’u fshehur pas saj.

Sali Berisha: Jo.

Ramiz Alia: Ja kështu është, ky ta thotë hapur.

Marash Hajati: Shoku Ramiz nuk duhet humbur kohë. Të dalim në radio.

Ramiz Alia: Mblidhni mendjen.

_________: Duhet në gjakftohtësi se po shkojmë drejt shkatërrimit kështu.

Sali Berisha: Sigurisht.

Ramiz Alia: Unë jua thashë dhe mbrëmë, i keni hipur kalit keq. Kini kujdes!

_________: Shoku Ramiz, a mund të them edhe unë një mendim? Ne kemi marrë kontakt me punëtorë dhe me drejtues të tyre gjatë këtyre kohëve. Duhet të keni të qartë opinionin e punëtorëve që gjendjen ekonomike e kemi shumë të rëndë ju nuk dini se çfarë hamë e çfarë pimë ne. Po ashtu po e vuajmë edhe ne në kurriz. Që për të marrë shkas dhe për të bërë analizë të figurës së Enver Hoxhës ju po e shikoni që njerëzit pranojnë të shkojnë në fund të botës dhe të mos rrinë në vendin e tyre. A është bërë ndonjë çikë politikë e mbrapshtë në këtë drejtim? Edhe mund të jetë bërë por njerëzit ngarkojnë me përgjegjësi Partinë e Punës dhe shokun Enver që taktika dhe skema ekonomike ka qenë jo e rregullt, jo se është bërë ndonjë gjë me qëllim, por ne kemi qenë të fundit dhe kemi mbetur të fundit. Jemi jo të fundit në Evropë, po të fundit në botë. Ky opinion është i pjesës dërrmuese të punëtorëve shoku Ramiz dhe kjo është ajo që njerëzit nuk më duan mua, nuk i duan shokët, dhe thonë je djalë i mirë, je burrë i mirë, por ç’e do, je komunist. Pse ç’kam bërë? Ti nuk ke bërë po Partia e Punës ja ku na çoi. Ja shiko s’kam kurrgjë, kam 20 vjet minator, nuk kam një radio, nuk kam televizor.

Adil Çarçani: Ne jemi të fundit nga tërë shtetet e botës, po se ka shtete ku vdesin urie...

__________: Po ata nuk i dinë këto shoku Adil se nuk kanë qenë ndonjëherë. Ne kemi thënë gjithnjë suksese, suksese, po kur vjen puna një ditë jemi në krizë ekonomike dhe ka humbur besimi.

Ramiz Alia: Nuk janë këto probleme që duhet të diskutojmë. Duhen bërë më të thella këto analiza, s’është punë që bëhet kështu kjo. Se ja ti ke një mendim, tjetri ka një mendim tjetër.

__________: Duhet vepruar me qetësi.

Ramiz Alia: Tani nuk ka qetësi.

__________: Me kokë të ftohtë.

Ramiz Alia: Kaq e ftohtë ka qenë koka, sa s’bëhet, shumë-shumë e ftohtë.

Leka Shkurti: Shoku Ramiz, jemi dakord të bëjmë këtë që thamë, domethënë të përpiqemi të krijojmë qetësinë. Unë të them të drejtën, po e shtroj dyshimin tim. Si do ta sigurojmë ne qetësinë? Me thirrjet tona në televizor e radio? Unë këtë e kam me dyshim, a do të binden vërtet që të krijohet qetësia apo jo? Megjithatë ta provojmë edhe këtë. Po pastaj?

     Sabri Godo: Këtu nuk ka kohë dhe Leka ka të drejtë. S’ka kohë për prova dhe Leka ka të drejtë të plotë, kjo nuk bëhet me thirrje në televizion e në radio.

Ramiz Alia: Në qoftë se sot televizioni do të japë nga ato skena të monumentit ta dini, po e them me përgjegjësi të plotë, se e kuptoj, që sot ose sonte në Shqipëri do të ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme. Këtë ta dini, se Shqipërinë e masin njerëzit me Tiranën,  po nuk është këtu Shqipëria. Kini parasysh, do të ndodhin katastrofa sonte. Ta dini. Prandaj t’u drejtova ty si kryetar i gazetarëve. Gazetarët po duan të bëjnë sensacione. Nga nxitësit e kësaj sot ishte dhe televizioni mbrëmë, sa për dijeni. Dhe ata janë anëtarë të PD-së ose simpatizantë të saj. I ke të seksionit atje.

Sali Berisha: Këtë nuk e mohoj që ka seksion. Po drejtuesit nuk janë, asnjë.

Ramiz Alia: Drejtori po tregohet shumë liberal, në kuptimin që po bëhet i paanshëm.

Sali Berisha: Drejtori është anëtar i Partisë së Punës.

Ramiz Alia: Mirë, dakord, po është redaktori që e ka bërë atë dhe sot redaktori po e bën. Unë po ju them, po dolën ato skena sonte do të bëhet nami në të tërë Shqipërinë.    

_________: Ka një komandë të televizionit.

Ramiz Alia: Ai është i orientuar nga qeveria që të bëjë disa gjëra.

Spiro Dede: Mund të marrë përsipër shoku Marash mund të vërë zap në shtyp, në televizion e kudo.

Adil Çarçani: Për atë do të vendosim ne si qeveri.

Ramiz Alia: Atë e ka qeveria se Marashi nuk ka gjë.

Adil Çarçani: Qeveria ka vendosur sot atje, po ju njoftoj, një komision që drejton televizionin. Drejtorin që kërkoi dorëheqjen e hoqi dhe ka vendosur një grup që do të drejtojë atje, prandaj nuk ke të drejtë ti të caktosh.

Sali Berisha: Një mendim dha ai.

Sali Berisha: Tashti do të bëni thirrje apo si e keni mendimin?

Marash Hajati: Unë them të bëhet urgjentisht thirrja, një deklaratë dhe të lexohet menjëherë.

Sali Berisha: Jo, më falni, nuk sjell gjë. Ne mund ta bëjmë, po më mirë ta bëjë secila parti veças se vetëm sa bëhet objekt diskutimesh dhe nuk sjell. E bëmë një dhe kemi më se dy muaj objekt sulmesh. Ka mundësi që më shumë kemi nxitur me të. Ne nxjerrim njeriun tonë në radio dhe televizion të bëjë thirrje për qetësimin e gjendjes.

Marash Hajati: Shoku Sali, më falni, edhe ajo e përbashkëta jam dakord që nuk jep gjë, dakord. Por ne urgjentisht duhet të bëjmë diçka. E para, unë mendimin e kam që presidenti merr këtë pushtet.

Sali Berisha: Shumë dakord jam.

Marash Hajati: E dyta, fill pas tij të flasësh ti, të flas unë, të flasim të tërë me radhë. Jam dakord kështu, fill pas tij. Ta bëjmë kështu në qoftë se duam të shpëtojmë kombin. Këtu nuk bëhet më fjalë për parti e organizata, ta dini, këtu do të bëhen sulme nga gjithë rrethet e Shqipërisë. Dhe këtë nuk duhet ta bëjmë. Jemi shqiptarë e kemi treguar gjakftohtësi, ta bëjmë këtë. Do të thotë kush që kjo nuk është e tëra, nuk është e tëra, është fillimi dhe këtë ta bëjmë ne urgjentisht. Tani duhet në 1630 të lexohet kjo në radio. Nuk ka rëndësi çfarë themi ne këtu, dikush që dëgjon në tërë Shqipërinë, të dëgjojë në këtë radio që po flet kështu: 1-2-3-4 e të flasë Saliu, unë e kush të jetë e të niset një pjesë shokësh andej. Për mendimin tim tani duhet t’i lëmë të gjitha, tani është kombi, është Shqipëria.

Ramiz Alia: Tani unë kaq kisha, ju bëni punën tuaj, unë do të bëj punën time. Unë po ju them, në orën 1800 unë shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

Këtë desha t’jua them përpara. Në qoftë se më jepet kjo kohë, unë dua tri ditë që të mund të veproj lidhur me këto çështje. Mund të dal të flas në televizion sonte, ta dini aktin që u bë unë do ta konsideroj vandal, që ta kemi të qartë. Unë do ta konsideroj një akt vandal i dënueshëm nga tërë populli shqiptar se unë nuk mund të justifikoj vandalizmat. Nuk flas për çështjen si është dhe si duhet vlerësuar vepra e Enver Hoxhës, ky është një problem politik që duhet trajtuar me kulturë, që duhet trajtuar me respekt për të vënë në dukje qoftë anët pozitive, qoftë anët negative, por shkatërrimi i veprës, i busteve është vandalizëm në kuptimin e plotë të fjalës.

Prandaj unë nuk mundem dhe për një arsye të thjeshtë, kemi bërë një dekret për atë. Ai dekret merret nëpër këmbë, të tjerët kush do le ta marrë në mbrojtje dhe ta lavdërojë këtë heroizëm të këtyre të rinjve që e kanë marrë tani e kanë çuar te sheshi i studentëve dhe bëjnë atje si të jenë indianë. Këto janë gjëra me të vërtetë të shëmtuara. Dhe ai më thotë më jep përgjigje. Ata ose duhet të dalin dhe të tregojnë që janë djem të kësaj toke ose ndryshe unë do të jap urdhër të mbyllen të tëra shtigjet e sheqerit të helmuar apo të pahelmuar. Në qoftë se duan ta bëjnë grevën e urisë ta bëjnë tamam.

Unë mendoj që këtu duhet punuar seriozisht ndryshe ajo do të vijë duke u shkallëzuar.

Sali Berisha: Më falni se ju i bëtë konkluzionet, por përsëri, meqenëse kam qenë thellësisht i implikuar në bisedimet që kemi bërë dy net rresht, unë them që për hir të zgjidhjes së problemit dhe për të mos e ngatërruar lëmshin më tej, emri “Enver Hoxha” t’i hiqet Universitetit të Tiranës sepse edhe një herë them ai është një varr i madh, një gjëmë e madhe që sensibilizon një Tiranë të tërë dhe në qoftë se e lëmë atë aty të gjitha masat, unë jam i bindur, që do të na shkojnë kot. Prandaj, ju lutem shumë edhe një herë, për hir të situatës, se nuk kam asgjë, besoj se i kini të qarta konceptet e mia për zgjidhjen e problemit, por për hir të përmirësimit të situatës ju duhet t’ia hiqni emrin Universitetit “Enver Hoxha” dhe gjendja të qetësohet.

Po nuk e hoqëm emrin ne nuk qetësojmë situatën se, në qoftë se do të ishte hequr emri në kohë, unë shpreh bindjen absolute, që kjo situatë nuk do të na ishte krijuar. Është e vërtetë se kanë dashur ta heqin bustin e Enver Hoxhës por asnjëherë nuk kemi lejuar, ky ka qenë motivi që ne si parti nuk kemi kërkuar miting në sheshin “Skënderbej”. Se kanë thënë njëqind herë do t’i përvishemi bllokut, prandaj gjëra kështu të mos lejojmë. Edhe ne të marrim masa që t’i parandalojmë gjërat se në qoftë se lëmë grevën e urisë, greva lemeris jo vetëm Shqipërinë, po Ballkanin, Evropën dhe më gjerë.

Ramiz Alia: Mirë e mbyllim mbledhjen.

(Pasi është mbyllur mbledhja dhe pjesëmarrësit ngrihen për t’u larguar ndërhyn Spiro Dede).

Spiro Dede: Unë jam me daljen e një vendimi sa më shpejt.

Ramiz Alia: Të cilit vendim?

Spiro Dede: Për heqjen e emrit se e quaj një ndër rrugët dhe mjetet për të qetësuar shumë. Unë kështu e quaj dhe unë po të dal në televizion do ta them këtë gjë.

Ramiz Alia: Mirë, dakord, punën tënde e ke.

Spiro Dede: Jo, më falni, unë nuk kam marrë mendimin. Po të jetë për punën time, le të vijë një përfaqësues tjetër.

Adil Çarçani: Ti mund të dalësh po Komiteti Qendror vendosi ndryshe dhe ti shoku Spiro nuk mund të dalësh ndryshe Komitetit Qendror të Partisë. Në qoftë se nuk do të dalësh, le të dalë një tjetër.

Spiro Dede: Jam plotësisht dakord.

Pas kësaj mbledhjeje me përfaqësuesit e partive e të organizatave të ndryshme u mblodh edhe Presidiumi i Kuvendit Popullor po për të njëjtin problem.

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri

112-vjetori i Pavarësisë/ Kryebashkiaku i Nju Jorkut uron shqiptarët: Do jemi gjithmonë krah njëri-tjetrit! Djali më thotë do jetoj në Shqipëri