TIRANË- Mbyllet edhe varreza e Tufinës, pas asaj të Sharrës disa muaj më parë.

Drejtoria e Shërbimit Funeral të Tiranës ka njoftuar zyrtarisht bashkinë se nuk ka më asnjë metër katror të lirë për të varrosur personat që ndërrojnë jetë. Ata kanë kërkuar që të realizohet projekti i shpronësimit, si e vetmja zgjidhje për këtë situatë emergjente.

Bashkia e Tiranës akuzon qeverinë se nuk i hap rrugë shpronësimit të truallit, si e vetmja zgjidhje për këtë problem. Ministria e Brendshme thotë se bashkia nuk është treguar korrekte në plotësimin e dokumentacionit për shpronësimin e truallit.

S'KA ME VEND PER VARRE
Drejtori i Shërbimit Funeral të kryeqytetit, Besim Kuka, na shpjegon se aktualisht nuk më asnjë vend të lirë. Në këtë situatë ai na tregon se është i detyruar të gjejë zgjidhje emergjente duke hapur varre të reja në vende të papapërshtatshme, siç janë rrugët e varrezës dhe një pjesë trualli e cila rrezikohet nga rrëshqitjet. 
“Edhe Tufina që ishte në gradën e fundit të hapësirës, edhe ajo u mbyll dhe në këto moment nuk ka asnjë hapësirë për varre”, thotë Besim Kuka, drejtor i Shërbimit Funeral të Tiranës.

Se si do ti përgjigjet Shërbimi i Funeral kërkesave për varre, Kuka shpjegoi se, “do t'i përgjigjemi me ato hapësira që ndoshta nuk janë shumë të favorshme për varrim. Akoma është e pasistemuar mirë por edhe mbrapa do t’i bëjmë ca sistemime por do të ndërhyjmë edhe nëpër rrugicat midis parcelave për hapjen e varreve të reja”, thotë ai.

Më tej ai na shpjegon se vetëm shpronësimi do ta zgjidhte këtë situatë emergjente, por brenda sipërfaqes që pritet të shpronësohet ata kanë parashikuar të ngrenë edhe varrezat murale. 

“Do t’i shtohet një hektar e gjysmë, me një fjalë 15 mijë metra Tufinës dhe 10 mijë metra varrezës së Sharrës. Kjo parashikohet për rreth 2 vjet deri në 2 vjet e gjysmë. Brenda këtij projekti që do të zbatohet edhe ky miniprojekti i varreve murale”, tregon Besim Kuka, drejtor i Shërbimit Funeral të Tiranës

BASHKIA: E KA FAJIN QEVERIA
Pasdite reagoi Bashkia e Tiranës e cila akuzoi qeverinë se nga ana e saj nuk ka reaguar ndaj shqetësimit të ngritur për mungesën e hapësirave për varre të tjera. 
 
Sipas Bashkisë së Tiranës, “mungesa e vendimit të qeverisë që i hap rrugën shpronësimit për interes publik bën të pamundur vazhdimin e kryerjes së ceremonive mortore në të dy varrezat publike të Tiranës në Sharrë dhe Tufinë.”

MINISTRIA E BRENDSHME: E KA FAJIN BASHKIA
Më pas ka reaguar edhe Ministria e Brendshme.
Ajo sqaron se bashkia nuk është treguar korrekte në plotësimin e dokumentacionit për shpronësimin e truallit dhe zgjidhjen e këtij problemi, Ministria e Brendshme thotë se, “në qoftë se edhe Bashkia Tiranë do punonte me ritmin që punon kjo qeveri për qytetarët, ky problem sot nuk do ishte, e as Bashkia Tiranë nuk do kishte motiv për të bërë politikë edhe me varrezat.”

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)