Pas skandalit të barnave të rimbursueshme ku ishte krijuar një skemë mashtrimi, Urdhri i Farmacistëve ngre alarmin se kontrata e re që do të përdoret për regjistrimin e ilaçeve të rimbursueshme “lë shteg për abuzime të reja”.
 
Urdhri i Farmacistëve në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Drejtoreshës së Komanduar të Fondit, Milva Ekonomi, thotë se FSDKSH  ka monopolin për blerjen e shërbimit farmaceutik.
 
“Formulimi i ri parashikon, lë shteg veç për abuzime dhe ju kujtojmë që vetë Fondi është një institucion që e ka monopol blerjen e shërbimit farmaceutik. Duam të dimë, në një kohë kur fryma e qeverisë është ajo e bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore, urdhrave profesionalë dhe shoqatave të ndryshme, gjë që u shpreh qartë dhe në bashkëbisedimin e zhvilluar me Kryeministrin e vendit, mbi ç’baza Ju injoroni përfaqësimin dhe përfaqësuesit e një sistemi të tërë siç është ai farmaceutik?!- në një kohë kur ky i fundit ka një institucion të krijuar me ligj për ta përfaqësuar atë. Në qoftë se nuk realizohet takimi i kërkuar me farmacistët, nuk merren masa konkrete nga ana juaj për të ndrequr dëmet e shkaktuara në shtojcën gusht 2015, si dhe nëse nuk përcaktohen garanci ligjore për përfaqësim real, dy palësh në kontratat pasuese, ne nuk pranojmë të jemi pjesë sa për emër e mënyrave dhe formave që ju do të përdorni për të dëmtuar sistemin farmaceutik”, - përfundon letra e kreut të Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma.
 
Nga skema e mashtrimit ku u arrestuan disa drejtues të Fondit, u përfituan 500 milionë lekë të vjetra, duke plotësuar receta false të rimbursueshme.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)