Mes përplasjeve të forta mes mazhorancës e opozitës, Kuvendi ka miratuar me 84 vota pro projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili kërkonte shumicë të cilësuar prej 84 votash për të kaluar.

Opozita bllokoi foltoren, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi prezantonte rendin e ditës. Me të marrë fjalën, kryedemokrati Sali Berisha bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve socialistë, për të cilët tha se meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash'.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.

Menjëherë kryeparlamentari Niko Peleshi kritikoi kreun e PD-së dhe i hoqi atij të drejtën e fjalës për gjithë ditën, me argumentin se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.

Fill pas këtij episodi, seanca plenare u ndërpre për disa minuta, për të rinisur në një moment të dytë. Edhe pasi rinisi, vijimi i saj nuk zgjati as për disa minuta, pasi për shkak se deputetët e opozitës kishin bllokuar foltoren, u ndërpre për të dytën herë.

Deputetët demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati u përjashtuan nga seanca plenare, pas përplasjeve dhe flakadanëve të hedhur në Kuvend.

Sipas rendit të ditës, seanca parashikonte shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Gjatë seancës së kaluar pati tensione dhe përplasje. Sekretariati i Etikës përjashtoi me 60 ditë 6 deputetë të Partisë Demokratike: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Lajm në përditësim…

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:29
Në shenjë solidarizimi me Erion Vishkullin e dëmtuar në protestë, disa deputetë të PD në Kuvend me një sy të fashuar

1793269785_xgchk.JPG

Disa deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Saimir Korreshi, Gjin Gjoni dhe Xhelal Mziu kanë shkuar në Kuvend me një sy të fashuar, në shenjë solidarizimi me 28-vjeçarin Erjon Vishkulli, i cili u dëmtua në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë, disa ditë më parë.

Ora 11:16
Tensione në Kuvend/ Deputetët e PD-së hedhin sende në drejtim të Ramës, kryeministri largohet nga salla

Deputetët e Partisë Demokratike kanë hedhur sende në drejtim të kryeministrit Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare, e cila është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes opozitës dhe mazhorancës. Rama është larguar nga salla e Kuvendit pas votimit për projektligjin “Për Bankën e Shqipërisë”.

Ora 11:15
Mes përplasjeve e flakadanëve, miratohet me 84 vota projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë

1793268708_kuvendivotimi.JPG

Miratohet në parim me 84 vota pro (83 me votim elektronik dhe 1 me karton) projektligji i ri për ‘Bankën e Shqipërisë’.

Ora 11:12
Opozita bllokon foltoren, Rama dhe Balluku mbërrijnë në seancën plenare (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ndërsa pak pas tij është parë të hyjë edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Seanca e sotme është shoqëruar me tensione që në nisje, pasi deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren, kanë goditur tavolinat dhe kanë ngritur pankarta në mbështetje të studentëve që protestojnë prej ditësh

Ora 11:08
Përplasjet dhe flakadanë në Kuvend, 4 deputetë demokratë përjashtohen nga seanca plenare (VIDEO)

Deputetët demokratë Blendi Himçi, Ivi Kaso, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati përjashtohen nga seanca plenare, pas përplasjeve dhe flakadanëve në Kuvend.

Ora 11:06
Tensione në Kuvend, opozita ndez flakadanë pas bllokimit të foltores! Kalohet në votim të pr.ligjeve pa diskutim (VIDEO)

 

Pas bllokimit të foltores, deputetët e opozitës ndezën flakadanë.

Pas kësaj situate u kalua në votim të pr.ligjeve pa diskutim.

Ora 11:03
Tensione në Kuvend/ Deputetët e PD-së tentojnë t’i afrohen Peleshit, Garda u bllokon rrugën (VIDEO)

 

Tensionet në Kuvend vazhduan pa ndërprerje teksa deputetët e Partisë Demokratike u përplasën edhe me punonjësit e Gardës. 

Deputetja demokrate Gerta Bardeli shihet në video teksa i afrohet zonës ku qëndrojnë ministrat e qeverisë, në përpjekje për t'iu afruar Niko Peleshit, por punonjëset e Gardës i pengojnë rrugwn dhe e orientojnë drejt shkallëve. 

Demokratët kanë vijuar të bllokojnë foltoren, duke kundërshtuar drejtimin e seancës nga kryeparlamentari Niko Peleshi

Më herët, ky i fundit i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën Sali Berishës, pas deklaratave të tij nga foltorja e Kuvendit.

Ora 10:47
Peleshi i ndërpreu fjalën, Berisha paralajmëron socialistët në Kuvend: Do keni fatin e Belinda Ballukut, të gjithë do shkoni pas saj në burg

1793266363_saliberishakuvend.jpg

Kryedemokrati Sali Berisha, edhe pasi Niko Peleshi i ndërpreu fjalën pas thirrjeve për dhunë, e vijoi deklaratën e tij përmes video-lives në rrjetet sociale.

Teksa tha se kryeministri Edi Rama do të ketë fatin e ish-diktatorit rumun Nikola Çaushesku, Berisha paralajmëroi deputetët dhe ministrat socialistë se do të shkojnë pas ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, në burg.

Më tej Berisha tha se dy kongresmenë amerikanë i kanë kërkuar sekretarit Marco Rubio sanksionimin e kryeministrit Rama dhe Ballukut.

Pjesë nga fjala e Berishës përmes video-lives në rrjetet sociale:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste, injoron të gjitha zhvillimet në rrugë, revoltën studentore dhe bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Këta mbrojnë krimet e tyre. Këta mbrojnë pasuritë e vjedhura. Këta mbrojnë vrasjet që kanë porositur. Këta janë më kriminelët në Shqipëri. Këta janë më kriminelë se ata që ndodhen në qeli. Ikni, ikni edhe ju. Ikni se do ikni. E keni parë ju se çfarë u bëjnë në debate? Se si ia nxijnë fytyrën si legeni? Se si ua nxjerrin fytyrën?

Si ka mundësi mor që ngriheni kundër studentëve, ngriheni kundër fëmijëve të shqiptarëve? Pasi u keni vrarë shpresën, doni t’i vrisni fizikisht. A e kuptoni ju pse luftojnë studentët? A e kuptoni betejën e tyre? Është betejë për çdo shqiptar, është betejë për këtë vend, për të ardhmen e tij, të cilën ia rrëmbyet, të cilën e shndërruat në pasuri përrallore, e shndërruat në konto bankare të pafundme, në vila e pallate. Në Evropë dhe në botë nuk ka një grup më kriminal se ju. Kaq është i Koresë së Veriut, por ai është për arsye ideologjike, jo për vjedhjen e qytetarëve.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, një mbështetje e madhe vjen Kongresi i SHBA. Dy kongresmenë ndër më të shquarit të atij vendi i dërgojnë një letër sekretarit Rubio. Kongresmeni Joe Ëilson, kryetar i Komisionit të Helsinkit në Kongresin amerikan dhe kongresmeni Keith Self. Në këtë letër ata kërkojnë sanksionimin e Edi Ramës. Ata kërkojnë sanksionimin e Lubi Ballukut. E di si do shkoni ju pas Lubisë, njëri pas tjetrit. E keni parasysh legjendën që kur i prekte zana, shndërroheshin në gurë. Ju do shndërroheni në të burgosur. Ju u ka peng Lubia. Pra, ju u ka prekur Lubia, të gjithë do jeni në burg si Lubia. Mos e mbroni Padrinon, mos e mbroni një kriminel, një shpirt xhelat.

Ora 10:44
Tensionet në seancën plenare, kryeministri Rama në ambientet e Kuvendit (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ndodhet në ambientet e Kuvendit, teksa kjo seancë e së enjtes ka nisur me tensione për shkak të opozitës.

Ora 10:21
Kuvend/ Berisha thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS: Meritoni plumba gome dhe çarje kafkash! Peleshi i heq fjalën për gjithë ditën: Kjo s'është procedurë (VIDEO)

 

Seanca plenare në Kuvend nisi me debate të ashpra mes opozitës e mazhorancës, ku deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren. 

Kryedemokrati Berisha mori fjalën dhe bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS, teksa tha se janë ata që meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash' dhe jo protestuesit.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.

Ndërkohë kryeparlamentari Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën, duke argumentuar se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.

Ora 10:11
Nis seanca plenare, deputetët e PD godasin tavolinat me duar! Bllokojnë foltoren (VIDEO)

 

Seanca plenare ka nisur me tensione. Deputetët e PD kanë bllokuar foltoren, teksa më parë goditën me duar tavolinat.

Ata gjithashtu mbajnë në duar foto nga protesta.

Ora 09:36
Seanca plenare/ ‘Blindohet’ perimetri i Kuvendit, dhjetëra makina Policie para godinës (VIDEO)

 

Dhjetëra makina dhe efektivë Policie janë pozicionuar ditën e sotme para Kuvendit të Shqipërisë, teksa është paralajmëruar mbajtja e seancës plenare për shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Ky grumbullim i forcave të Policisë vjen mes klimës së protestave të dhunshme që kanë ‘paralizuar’ gjatë këtyre ditëve kryeqytetin (ditët e fundit intensiteti i tyre ka rënë).