Pas Ukrainës, Rusia synon
Moldavinë dhe vendet Balltike...

Të flasësh për Suedinë në Shqipëri, krijon një ndjesi të së paaritshmes, të diçkaje aq perfekte, që është vite drite larg realitetit Ballkanik. I sapokthyer nga një udhëtim pune, vendosa të ndaj disa përshtypje dhe fakte me lexuesit shqiptar, fillimisht për lirinë e medias, e më tej për frikën më të madhe suedeze që lidhet me rilindjen e Bashkimit Sovjetik. Liria e medias në Suedi, siç mund ta imagjinojnë të gjithë është në nivelet më të larta në Europë dhe Botë.

Për ta ilustruar këtë argument, mjaft të citoj sondazhet zyrtare, që tregojnë se media me besueshmërinë më të lartë prej vitesh renditet Televizioni Publik, institucion që transmeton dhe mbeshtet pothuajse 70 % të investigimeve nga gazetarët, ku pjesa më e madhe kanë rezultuar me dorëheqjen e ministrave. Madje sipas disa opinionistëve lokalë këto investigime sollën edhe ndryshimin e qeverisë në zgjedhjet parlamentare të 14 Shtatorit 2014. Pas një investigimi të gazetarit Erik Palm, që nxorri në pah abuzimet në shtëpitë e të moshuarve, dhe sjelljen brutale të punonjësve. Nuk mbeten pas agjensitë e lajmeve të tjera, si grupi mediatik “TT”, më I njohuri në Suedi dhe jo vetëm.

Kur i drejtova një pyetje drejtorit të lajmeve Mats Olsson, se në ç’mënyrë përballonin konkurencën e fortë nga mediat e tjera, ai u përgjigj shkurt, inovacioni! Veçanërisht për të gjetur mënyra për të tërhequr sa më shumë publikun e gjerë, për ta bërë pjesë të lajmit jo vetëm si lexues. Gjatë bashkëbisedimit se me çfarë teme ishte duke punuar aktualisht, zoti Olsson iu përgjigj se po pregatiste një kronikë të zgjeruar për “Ditën e Baballarëve”. Përgjigje që krijoj ilaritet te ne gazetarët që vinim nga Ballkani, ku përvec politikës, çdo diskutim tjetër na duket jo serioz, madje dhe qesharak (mjafton të shikosh renditjen e lajmeve më të rëndësishme). Por pavarësisht gjithë perfeksionit suedez në gjithçka, kriza ekonomike, po shkundte mediat vendase, duke sjellë shkurtime të stafit dhe mbyllje të zyrave në shumë lokalitete.


Frika më e madhe Suedeze, rizgjimi i Rusisë
Një pjesë e rëndësishme e udhëtimit në “Venecian e Veriut”, ishte dhe parlamenti kombëtar. Një ndërtesë që në pamjen e jashtme të lë përshtypjen e modestisë dhe thjeshtësisë skandinave. Por që në brëndësi fsheh ndërthurjen e traditës mbretërore me frymën parlamentare të kohëve moderne. Pas vizitave në disa ambiente që ngjasonin me galeri arti, me punime klasike me mermer jeshil dhe piktura që trajtonin portretete të personazheve më me ndikim në historinë e vendit, më bëri përshtypje edhe një portret në bronx, i kryeministrit të njohur suedez Olof Palme, i vrarë, në rrethana ende të pasqaruara në 28 shkurt 1986.

Duket e pamundur por mësova se në Suedi ishin vrarë disa politikanë të lartë, mes tyre dhe ish ministrja e jashtëme Anna Lindh, ndër figurat më karizmatike. Ajo u vra brutalisht me thikë ndërsa po zgjidhte disa fustane në një dyqan nga Mijailo Mijailović, shtetas serb. Ngjarja e ndodhur në shtator të 2003, tronditi përsëri Suedinë dhe ndryshoi masat e sigurisë ndaj personaliteteve, duke e bërë të detyruar pasjen e truprojes. Pas vizitave axhenda vijoi me një mbledhje serioze në komisionin e jashtëm, duke na shkëputur nga ai udhëtim në kohë, në korridore e salla parlamentare.

Që për pak momente më ngjasonte sikur futesh në një epokë të historisë dhe pas pak minutash futeshim në një tjetër! Mbledhja drejtohej nga ish deputeti i njohur suedez Mats Johansson, themelues i Forumit të Botës së lirë. Johansson ishte zgjedhur për 8 vjet deputet me ish partinë në pushtet të Liberal Konservatorëve, dhe nuk kandidoi me dëshirë në zgjedhjet e shtatorit 2014. Fillimisht pyetjes së gazetarëve për integrimin, zoti Johansson iu përgjigj se Stockholmi zyrtar mbështet zgjerimin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Pa harruar se duhet të përmbushen kushtet! Por këto ishin vetëm pyetjet e lehta, para pyetjeve të sikletshme që iu bënë me vrullin ballkanik, ish zyrtarit të njohur suedez. Vetëm disa javë më parë, Suedia u bë vendi i pare në Bashkimin Europian, që njohu zyrtarisht shtetin e Palestines, një vendim që ngjalli debate, për shkak të luftës mes 2 fraksioneve që kanë ndarë territorin në 2 zona influence.

Zoti Johansson tha se ky hap nuk ka sjellë ndonjë reagim të fortë nga Izraeli, duke shtuar edhe ndaj këtij shteti, Suedia ka qenë shumë favorizuese. Por përgjigja e një pyetjeje tjetër, shkaktoi më shumë habi, dhe fokusohej te çëshja e interceptimit të një nëndetëse ruse në ujërat Suedeze, e cila për 5 ditë ishte lajmi kryesor në mediat vendase dhe ato ndërkombëtare. Ish deputeti tha se lufta e ftohtë është rikthyer, parashikim që e kishte cekur vite më parë me publikimin e dy librave. Por çfarë do të ndodhë më pas, nëse Rusia vazhdon zgjerimin e filluar nga presidenti i kontravers Vladimir Putin?

Johansson i përgjigjet shkurt. Radhën e ka Moldavia dhe më pas vendet Balltike! Ky moment shkaktoi heshtje në sallën e komisionit të jashtëm, heshtje që u thye nga batuta e zotit Johansson, se është koha e drekës! Pavarësisht se jemi larg zonës së nxehtë, luftërat dhe tezat Ruse, janë kthyer në makthe për vendet si Suedia, Finlanda, Polonia, Estonia, Letonia, Lituania etj, që e njohin brutalitetin e pushtimeve të ushtrisë së kuqe. Nga kjo bisedë kuptohej qartazi se frika ndaj dremitjes së ariut rus, nuk ka ikur asnjëherë! Madje tani ishte kthyer me vrrullin e viteve 80! Aq sa nga sondazhet e fundit qytetarët në shumicë dërrmuese, kërkojnë anëtarësimin e plotë në NATO. Suedia është një nga shtetet që ka partneritet të ngushtë me Aleancën, por nuk ka preferuar asnjëherë të jetë pjesë.

Nuk mund të lija jashtë vëmendjes edhe temën aktuale për ne Shqiptarët, emigrimin dhe qëndrimin e politikës Suedeze ndaj emigrantëve dhe azilkërkuesve. Po është e vërtetë Suedia I mirëpret emigrantët. Zyrtarët që takuam, u shprehën se do të vazhdojnë me një politikë të hapur ndaj azilkërkuesve, por kjo vlente për ato shtete që kanë “realisht” probleme. Shtete si i Palestina, Siria, Iraku apo Afganistani. Madje vitin që vjen do të dyfishohej numri I personave që do të përfitojnë azil.

Por pavarësisht politikës së derës së hapur, emigrantët e jashtëlingjshëm ishin kthyer në problem të madh për vendasit, aq sa në zgjedhjet e fundit parlamentare partia e ekstremit të djathtë kishte patur rritje të dukshme. Në një vend që njihet për tolerancën “ekstreme” ndaj gjinive, racave dhe komunitetit LGBT. Fakt që kishte future jo pak në mendime komentuesit dhe gazetarët në epiqëndrën skandinave. Kjo foto e ilustron më së miri problemin me emigratët që po ballafaqohet Suedia.

muzeu

Fotoja është shkrepur në hyrjen e muzeut për çmimin Nobel, ku duket qartë një emigrant  i paligjshëm, që po flinte në një nga portat kryesore të muzeut të famshëm. Pavarësisht motit të ashpër, me temperatura që si mesatare në muajt e dimrit shkojnë -5, Suedia është një vend “magjik”. Që në vetvete s’ka asgjë të jashtëzakonshme, përveç dashurisë që njerëzit kanë për natyrën, duke u renditur ndër vendet më të mira për të jetuar, në Botë!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Rama viziton Poliklinikën e Specialiteteve, do ofrojë 22 shërbime! Risi në specialitete si kirurgjia, ortopedia apo infektivi

Shkodër/ Rama viziton Poliklinikën e Specialiteteve, do ofrojë 22 shërbime! Risi në specialitete si kirurgjia, ortopedia apo infektivi