Pas vlerësimit të performancës, të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Pëtrgjithshme të Policisë së Shtetit, proces i cili do të vazhdojë për të gjitha drejtoritë vendore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka firmosur mesditën e sotme shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Altin Mena, dhe të zv.drejtorit për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka, me motivacionin për performancë të dobët.

Altin Mena është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, ndërsa në detyrën nga e cila u shkarkua është komanduar Kujtim Gjoka.

Taulant Gjoka, i cili u shkarkua nga detyra e zv.drejtorit për Rendin në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është emëruar Shef i Sektorit të Sigurisë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Është shkarkuar nga detyra edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Mariglen Duçi, i cili është emëruar Shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës. Ndërsa Shef i Komisariatit të Policisë Dibër është emëruar Ervis Gjoshi.

Është shkarkuar nga detyra edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz, Besmir Dervishi. Ai është emëruar Shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në vend të Dervishit, në krye të Komisariatit numër 5 është emëruar përkohësisht Sentilian Ndreu.