Sipas prokurorit të çështjes ngjarja i arrestuari Meshini megjithëse pretendon se nuk ka lidhje me krimin e rëndë, në pamjet filmike rezulton se ka ngritur dorën lart dhe e ka drejtuar në drejtim të viktimës, por nuk dallohet qartë nëse ai në dorë mban armë ose jo.
Një tjetër fakt sipas prokurorit të Tiranës se pse duhet të qëndrojë në burg Meshini, është pasi menjëherë pas krimit ai nuk është drejtuar në banesë e tij apo në polici për të denoncuar ngjarjen, por ka shkuar me shoqërinë për të darkuar.
Avokati:Verifikoni mirë pamjet filmike
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Meshinit, avokati i tij Ferdinand Doja, kërkoi nga prokuroria të marrë pamjet filmike dhe të vërtetojë këto fakte, duke këmbëngulur se i mbrojturi prej tij nuk kishte lidhje me krimin.
Po ndërsa i riu mohoi akuzat e ngritura nga prokuroria në dosjen e prokurorisë thuhet se nga rrëfimet e dëshmitarëve rezulton e provuar që i dyshuari Meshini ishte nën shoqërinë e Kasmit, kur këtë të fundit e qëlluan për vdekje me pesë plumba. Madje, thotë prokurori, Meshini shfaqet me dorën drejtuar viktimës, duke ngritur dyshime se edhe ai mund të ketë qëlluar në drejtim të mikut të tij. Për këtë arsye, ndaj 25-vjeçarit është ngritur dhe akuza e armëmbajtjes pa leje.
Por nëse ai ka qëlluar ose jo në drejtim të 42-vjeçarit, prokuroria është në pritje të rezultateve të laboratorit kriminalistik, ku janë dërguar për ekzaminim armët e gjetura. Pozitën e Meshinit në krim e komprometuan, jo vetëm thëniet kontradiktore dhënë para hetuesve, por edhe fakti se pas krimit 25-vjeçari nuk shkoi në polici të kallëzonte ngjarjen, por doli të darkonte me të njohur. Ndaj për të gjitha këto ai është kyçur të paktën për momentin prapa hekurave.
Ndërkohë në polici Mario Meshini deklaroi se: “…Pashë një person më shumë se 1 metër e 80 cm i gjatë. Në kokë kishte një kapuç dhe e mbante të mbledhur deri te balli. Dallova që ishte me mjekër”. Pikërisht detaji për mjekrën, që dëshmoi dy ditë më parë Meshini ka qenë ai që ka shërbyer si indicia për policinë për të zbuluar autorin.
Koka i grupit, dyshime se porositi vrasjen e mikut të Shullazit
Mes pjesëtarëve të këtij grupi është edhe një emër jo pak i njohur për policinë. Bëhet fjalë për shtetasin Altin Aurel Hoxhallari, i cili ndodhet në kërkim nga policia, dhe që është “koka” e këtij grupi të strukturuar kriminal, katër anëtarët e të cilit janë arrestuar nga policia, mes të cilëve edhe një grek.
Ky i fundit ishte dhe vrasësi me pagesë i Devi Kasmit, ngjarje që tronditi kryeqytetin pak ditë më parë. Në vitin 2015, Aurel Hoxhallari u arrestua nga uniformat blu së bashku me kushëririn e tij, Amarildo Hoxhallari, pasi dyshoheshin si porositësit e vrasjes së Pajtim Serjanit, njëri prej miqve të Emiljano Shullazit.
Në atë kohë, dy kushërinjtë Hoxhallari dyshohet se i kishin siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme të dyshuarit Arjanit Sterio për të kryer ekzekutimin e Serjanit, ku nga shkëmbimi i zjarrit me policinë mbeti i vdekur atentatori Sterio. Ndërkohë, Aurel Hoxhallari u la i lirë nga gjykata, pasi nuk u gjetën prova të forta për të vërtetuar lidhjen e tij me atentatin ndaj Serjanit.
d.c./shqiptarja.com