Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, SIlvio Gonzato, ka njoftuar ditën e sotme takimin e tij të parë me Klodian Braho, që nga zgjedhja e tij si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.
Përmes një postimi në adresën zyrtare të ambasadës së BE-së në Tiranë në Facebook, Gonzato deklaron nevojën për vazhdimin e "rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit".
Gjithashtu, ambasadori thekson se Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un.
“Takimi i parë me Kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho. E përgëzova për arritjet e SPAK-ut deri më sot dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të rezultateve të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forcimi i kapaciteteve hetimore dhe garantimi i standardeve të larta në hetime dhe ndjekje penale, janë vendimtare për konsolidimin e progresit dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur SPAK-un dhe sundimin e ligjit në Shqipëri,” Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.
Komente









