Për të gjithë besimtarët ortodoksë në Fier, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u Ngjall” e bashkë me të u ngjall edhe shpresa. Ceremonia e Pashkës u kremtua në kishën e Shën Gjergjit, ndërkohë që u ndoq nga qindra besimtarë të cilët ishin mbledhur brenda dhe jashtë ambienteve të kishës duke u lutur në një ndër ditët më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, për më shumë paqe, harmoni e begati.
Besimtarët fillimisht morën pjesë në meshën e ringjalljes së Krishtit që pasoi me lutjen e traditës sipas liturgjisë me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas besimtarët ortodoksë morën dritë nga Drita e Zotit, duke ndezur qirinj nga Mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla Hyka.
Në fjalën e tij, ai theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket së mirës dhe jo së keqes.
Urimi “Gëzuar Pashkët” bashkoi të gjithë besimtarët të cilët uruan më shumë paqe e dashuri në këto kohë të trazuara.
Teksa fishekzjarret ndriçuan qiellin në mesnatë, besimtarët ortodoksë sipas traditës morën qirinjtë e ndezur në kishë e më pas iu drejtuan shtëpive të tyre.
Lajmi kryesor:
Krishti u ngjall! Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkën, Kryepeshkopi Joan: Bëni paqe në zemrën tuaj, ta përhapim në botë











