Mesa duket deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, arriti të bindë Qeverinë që të ndërmarrë hapa konkrete për mbrojtjen e Lumit Drin.

Pasi i paraqiti Kuvendit në mënyrë demostrative ndotjen dhe dëmtimin që po pëson Lumi Drin, Koçeku lajmëron sot se Ekzekutivi është vënë në lëvizje. Deputetja thotë se ministri i Mjedisit në Shqipëri, Sofjan Jaupaj, dhe ministrja e Mjedisit në Kosovë, kanë nënshkruar një memorandum për shpëtimin e Lumit Drin.

“Kur i mbajta këto 2 shishe në Kuvend, unë isha duke shpresuar realisht për këtë ditë. Dhe sot kam një lajm të mirë për të gjithë ne. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërmarrë angazhimin e parë politik për shpëtimin e Drinit (lumi). Është nënshkruar një memorandum nga ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, dhe ministres së Mjedisit të Kosovës, Fitore Pacolli, posaçërisht për Drinin. Drini nuk është vetëm i Shkodrës, Drini është i të gjithëve ne. Drini e ka “kokën” në Kosovë, por “trupin” e ka në Shqipëri. Dhe duhet ta mbrojë, të ndërgjegjësohemi dhe ta shpëtojmë lumin e Drinit. Ky ujë është si shpirti i shqiptarit, dhe kështu duhet ta shohin të gjithë turistat që vijnë”,- thotë Koçeku.

Në seancën parlamentare të 30 marsit, deputetja socialiste u shfaq në foltoren e Kuvendit më 2 shishe ujë, që ilustronin degradimin e Lumit Drin. Njëra shishe ishte e mbushur me ujë të pastër dhe transparent, që simbolizonte pastërinë e ujit të Lumit Drin më parë, ndërsa shishja tjetër ishte e mbushur me ujë të ndotur e të turbullt, duke pasqyruar kështu gjendjen e lumit sot.