Të paktën 10 persona të armatosur dyshohet se kërcënuan biznesmenin Vasil Bedinaj në një prej hoteleve të tij në Vlorë. Ai ka lajmëruar policinë duke deklaruar se autorët e armatosur i kanë kërkuar 5 mln euro. Menjëherë ata u larguan nga hoteli, por policia duke shkuar drejt vendit të ngjarjes ka pikasur në rrugë një mjet duke lëvizur me shpejtësi, së cilës iu vunë në ndjekje.
Në makinë u gjend një armë dhe 3 prej autorëve të dyshuar. Në përpjekje për t’i ikur Policisë, drejtuesi i Range Rover-it ka humbur kontrollin dhe mjeti ka përfunduar i përmbysur në rrugë, siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv.
Disa persona kanë rrethuar makinën në përpjekje për të nxjerrë nga aty 3 autorët e dyshuar. Dy prej tyre kanë përfunduar në spital, ndërsa njëri është dërguar në komisariat.
"Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli. Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë konstatuar 3 shtetas, 2 prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri, pistoletë. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje", njoftoi Policia.
Lajmi kryesor:
Vlorë/ 10 persona me armë në hotelin e Vasil Bedinajt! Biznesmeni: Kërkuan 5 mln euro, më kërcënuan! 3 të arrestuar, u përplasën kur po ndiqeshin nga policia (VIDEO)









