TIRANË- Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim zhvilloi sot në ambientet e Kryesisë së Kuvendit një takim me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla me të cilin bisedoi për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, vijimin e reformës në drejtësi dhe mbështetjen e SHBA për integrimin e Shqipërisë në BE.

"U takuam për të diskutuar për rritjen e bashkëpunimit gjatë kremtimit tonë të njëqindvjetorit; vazhdimi i zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbështetet nga  SHBA dhe nevoja për t'u integruar në BE,  duke respektuar rolin institucional të Parlamentit", tha Kim. 

Një ditë më parë Kim u takua me kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeajn, takim të cilin e përdori për t’i dërguar një mesazh të qartë Sali Berishës, duke theksuar se Alibeaj është kryetar i komanduar i PD, deklaratë kjo që nxiti reagimin e ashpër të mbështetësve të Berishës.

Ndonëse nuk është pohuar të ketë lidhje, por të gjitha takimet e ambasadores amerikane po zhvillohen në një kohë kur trojka socialiste, Balla-Spiropali-Gjiknuri, ka nisur negociatat për gjetjen e presidentit të ri që do të zëvendësojë Ilir Metën. Duket se emri i presidentit të ri mund të jetë një ndër temat e bisedimeve të Yuri Kim me krerët e dy grupeve kryesore parlamentare në Shqipëri, por edhe me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla