Klubi portugez i futbollit, Benfica, ka ftuar grupin e djemve të shpëtuar tajlandez për t’u stërvitur në kampin e tyre të futbollit. Ishte vetë presidenti i klubit Luis Filipe Vieira, ai që i shkroi ambasadorit tajlandez në Portugali për t’i përcjellë ftesën në kampin e Seixalit.
Ne besojmë se ky gjest i thjeshtë mund të ndihmojë fytyrat e tyre që të rifitojnë buzëqeshjen, të cilën asnjë fëmijë nuk duhet ta humbasë.
Luis Filipe Vieira, presidenti i Benficas
Skuadra "Zogjtë e egër", me 12 djem të moshës 11 deri 16 vjeç, dhe trajneri i tyre 25 vjeçar u bllokuan në një shpellë teksa po zhvillonin seancën e tyre stërvitore.
Pas 17 ditëve të bllokuar në shpellë, me ndihmën e Marinsave tajlandezë dhe zhytësve të huaj, djemtë dhe trajneri i tyre ia dolën të dilnin shëndoshë e mirë nga shpella. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për njërin prej zhytësve vendas, i cili humbi jetën për shkak të mungesës së oksigjenit teksa po i dërgonte ushqime djemve.