Përmbytja e stallave nga dalja e lumit Seman në disa ferma ka shkaktuar situata problematike në blegtori. Sot Report Tv shkoi tek një fermer në Fier, Arjan Mërdani, i cili nga përmbytja pësoi dëme të konsiderueshme jo vetëm në bagëtinë e tij të imët, por edhe te 20 lopët dhe disa viça. Pa dyshim, edhe baza ushqimore është përmbytur, duke u dëmtuar.

Ai sot kishte marrë disa punëtorë për të larguar dengjet me bar të përmbytura nga ujërat e lumit, me qëllim që të mos dëmtonin dengjet e barit që ishin fqinje me to, ndryshe nga ato të tjerat.

Blegtori Arjan Mërdani tha se shtetit u ka siguruar ndihma ushqimore për kafshët, por sipas tij janë të pakta në raport me humbjet që kishte pësuar.

“Më kanë sjellë 25 thasë me koncentrat, por nuk janë të mjaftueshme për dëmet e shkaktuara.”

Gjithsesi, për sa i përket ujërave që kanë përmbytur edhe tokat bujqësore, por edhe stallat, nga pamjet shihet se ujërat janë larguar dhe tashmë fermerët mund të bëjnë pastrimin e stallave të tyre të përmbytura. Niveli i lumit Seman në këtë zonë ka rënë dhe nuk ka më rrezik që ujërat të shkaktojnë probleme.