Parrullat e protestës për Zvërnecin depërtuan deri në Kuvend kur gjatë fjalës së Ulsi Manjës, opozita nisi të këndonte “Rama, jepe dorëheqjen.” I pashqetësuar nga kjo, kryetari i Komisionit të Ligjeve u kujtoi se protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e Sali Berishës.

Ulsi Manja: Ju jeni opozita apo protesta? Nëse jeni opozita parlamentare, jeni opozita. Protesta është në shesh. Me sa kam dëgjuar, thonë larg partitë nga protesta. Ju rrini atje anash. Ky krahu këtej s’ka arsye të ulë kokën as sot, as mot, as sa do të ekzistojë Shqipëria! Ne kemi bërë kaq shumë punë të mira për Shqipërinë sa në 2013 ju as nuk i bëtë dot.

“Rama jepe dorëheqjen”, këndojnë deputetët.

Ulsi Manja: Ju bërtisni sa të doni, të kërkoni edhe dorëheqjen e Ramës, pa diskutim... unë kam minutat e mia, ju mund të vazhdoni këngën. Kur të mbaroni këngën... meqë ju kënduat një këngë që këndohet në protestë, unë po ju them një gjë: kjo protestë qytetare sigurisht që është shumë e bukur, por është normale në një demokraci të protestohet dhe të kërkohet dorëheqja e një kryeministri. Kjo protestë ka edhe një risi të bukur: kërkohet dorëheqja e liderit të opozitës, atij që zgjodhët në maj. Keni parë protestë që kur kërkon dorëheqjen e qeverisë, të kërkojë edhe të opozitës?

Deputetët e opozitës vijojnë me refrenin, kurse Manja mori situatën në dorë për të bërë dirigjentin.

"1,2, 3, 4, ngrijeni zërin! 3, 2 është refren! Shqiptarë, ja ku e keni opozitën që keni votuar më 11 maj! Ramën do ta keni deri më 2029 kryeministër dhe me votën e shqiptarëve, do të jemi edhe një mandat tjetër!", tha Manja.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Debate për investimet në Zvërnec, PD thirrje në kor: Rama të dorëhiqet! Balla-opozitës: Zogjtë e bufit si Flamingo nga Temu