Ish-bosi i firmës piramidale VEFA Vehbi Alimuçaj rrezikon të dënohet me 6 vite burg, pasi ka rezultuar se ai në bashkëpunim me djalin e tij Artanin, ka fshehur në Hungari një shumë prej mbi 900 mijë dollarëve amerikanë. Ka qënë prokurori i Task-Forcës Ardian Braho, i cili i ka kërkuar gjykatës së Tiranës një dënim prej 6 vite heqje lirie për Vehbi Alimuçaj, për akuzën e “Pastrim të produkteve të veprës penale.

”Gjykimi është zhvilluar me procedurë të shkurtuar dhe, në përfundim, prokuroria kërkon dënimin me 4 vjet burgim. Ndërkohë, për të njëjtën fakt penal, gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë pak muaj më parë dhe ka dënuar me 4 vjet burgim edhe djalin e tij, shtetasin Artan Alimuçaj. Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Vehbi Alimuçaj, i cili ka qenë administrator i firmës piramidale “Vefa”, është dënuar për veprën penale të “Mashtrimit” për një numër shumë të madh personash.

Dy llogaritë 1 mln USD
Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se në të njëjtën bankë në Hungari, djali i tij, Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë. Sipas prokurorisë, këto para kanë origjinë nga aktiviteti i paligjshëm i mashtrim- it të kreditorëve të tij nëpërmjet kompanisë “Vefa Holding”. Për këtë shkak me 6 maj të vitit 2010 nisi hetimin ndaj Vebi dhe Artan Alimuçajt.

Personi nën hetim Vebi Alimuçaj ka themeluar në vitin 1992 shoqerinë "Vefa Holding", në të cilën ishte ortaku i vetëm dhe administratori. Llogaria bankare e Alimuçajt, me 328 mijë dollarë, është hapur në me 2 qershor të vitit 1996 në Hungari, dhe ky fakt është konfirmuar nga autoritetet hungareze nëpërmjet përgjigjes së një letërporosie të dërguar autoriteteve shqiptare.

Dy muaj më vonë, në të njëjtën bankë, është hapur një llogari tjetër në emër të djalit të Vebi Alimuçajt, Artan Alimuçaj me një vlerë prej 647 mijë dollarësh amerikanë. Ai mësohet se kishte autorizuar një hungarez si përfaqësues të tij për të kryer veprime në llogarinë e tij bankare në këtë vend.

Tentimi i transferimit
Këto para u tentuan të transferohen në me 5 maj të vitit 2010, kur banka identifikoi një transfertë të dyshimtë nga një person drejt një kompanie private. Banka bllokoi transfertën dhe të nesërmen dy llogaritë me 975 mijë dollarë u sekuestrua nga porkuroria hungareze për llogari të autoriteteve shqiptare. Pas kësaj prokuroria e Tiranës nisi një hetim për pastrimin e parave ndaj Alimuçajt dhe të birit. Me 11 maj të vitit 2012, Prokuroria e Tiranës, i kërkoi autoriteteve hungareze kthimin e shumës.

Vetë Alimuçaj iu pati thënë hetuesve se ai kishte dijeni se në këto llogari ishin 10 mijë dollarë dhe jo kaq para, ndërsa pretendoi se nuk kishte dijeni për tjetër llogari të të birit. Madje ai pretendoi se nuk kishte tentuar të bënte ndonjë trasnfertë vetë. Ndërkaq nga ana tjetër djali i ish- bosit të “Vefa Holding”, Artan Alimuçaj, pretendoi se nuk kishte dijeni mbi llogarinë bankare në emër të tij në Hungari dhe madje po ashtu si i ati mohoi të ketë tentuar të kryente ndonjë transfertë.

Artan Alimuçaj. Në nëntor të 2015, gjykata i dënoi me 4 vite burg djalin
Fshehja e një shume prej 647 mijë dollarë në një prej bankave në Hungari, ka sjellë dënimin me 6 vite burg të djalit të ish-bosit të “Vefa Holding” Vehbi Alimuçaj. Dënimi i Artan Alimuçaj është dhënë në nëntor 2015 nga gjykata e Tiranës, e cila e ka shpalllur fajtor duke e dënuar fillimisht me 6 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim është reduktuar në 4 vite burg.

Nga ana tjetër në vendimin e saj gjykata e kryeqytetit ka urdhëruar konfiskimin e sasisë prej 647 mijë dollarëve së bashku me interesat e rrjedhura që ndodhen në Hungari dhe kjo shumë t’i kalojë në administrim shtetit shqiptar.


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)