Katër persona, 3 spanjollë dhe një shqiptare pritet të gjykohen në Gjykatën e Posaçme, pasi SPAK ka mbyllur hetimet dhe i akuzon për pastrim parash si grup i strukturuar kriminal. Domingo Romillo Iriarte, Mihaela Munteanu Manole, Alvaro Romillo Castillo dhe shqiptarja Doris Pere dyshohet se ngritën një skemë për futjen në ekonominë shqiptare të parave me origjinë të dyshuar kriminale, përmes tre bizneseve fiktive, të krijuara posaçërisht gjatë vitit 2024, me të njëjtën adresë dhe pa asnjë veprimtari ekonomike. 

Hetuesit kanë zbuluar transferta bankare me vlera të larta, fatura të dyshuara si fiktive dhe pagesa pa dokumente që të justifikonin transaksionet e shumta pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë.

Vetëm në një rast janë blerë dy toka me sipërfaqe totale 23.16 hektarë me vlerë 1,621,200 euro. SPAK thotë se tokat vlenin më shumë seç janë shitur në kontratë.

Por si funksiononte skema? Nga hetimet ka rezultuar se Castillo, babai i tij Domingo Romillo Iriarte dhe partnerja Mihaela Munteanu Manole kanë krijuar kompani një shtete të ndryshme si, Spanjë, Portugali, Shqipëri, SHBA, Republika Dominikane dhe Estoni. Shoqëritë fiktive, kishin si objekt veprimtari në fushën e turizmit dhe  realizonin shitblerje të pronave të paluajtshme me vlera qesharake në treg 7 €/m2, me qëllim pastrimin e parave.

Domingo Romillo Iriarte po hetohet në Spanjë për mashtrim piramidal dhe pastrim parash, lidhur me veprimtarinë e tij financiare ndërkombëtare. Në qendër të skemës qëndron i biri, i njohur në rrjetet e koduara si “Luis” apo “Cryptospain”. Ai komunikonte me klientët në platformën Telegram, duke i bindur të investonin shuma që nisnin nga 1.5 milionë euro, pa pasur detyrimin të identifikoheshin. Kjo e bënte të pamundur gjurmimin e transaksioneve financiare.

Sipas organit të akuzës, Domingo Romillo Iriarte kishte rolin kryesor në organizimin e skemës, ndërsa dy të pandehurit e tjerë administronin kompanitë dhe kryenin lëvizjet financiare. Ndërkohë, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në procedurat administrative dhe bankare të kompanive në Shqipëri. Gati 23 ha tokë u sekuestruan në Dhërmi me dyshimet për pastrim parash nga të pandehurit  përmes së cilës kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 30 milionë euro.

Përveç sipërfaqes së tokës, në sekuestro u vunë 3 bizneset, dy automjetet dhe llogaritë bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë në pronësi të spanjollit Alvaro Romillo Castillo. Kjo dosje u hetua fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, por më pas  kjo e fundit  shpalli moskopetencen dhe ia kaluar hetimin Prokurorisë së posaçme pasi konstatoi se katër personat  kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.136 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

  1. Domingo Romillo Iriarte, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,”Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
  2. Mihaela Munteanu Manole, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
  3. Alvaro Romillo Castillo, i akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”“Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 287, 28/4,  333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
  4. Doris Pere, e akuzuar për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit kanë krijuar dhe përdorur shoqëritë tregtare “Ëingëort” sh.p.k., “Ëortnova” sh.p.k. dhe “Ëortend” sh.p.k., të regjistruara në Shqipëri gjatë muajit qershor 2024 me kapital minimal, me të njëjtën adresë për të tre shoqëritë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

Sipas provave të administruara, këto shoqëri janë përdorur si mekanizma për futjen e fondeve me origjinë të dyshuar kriminal, në qarkullimin dhe integrimin në ekonominë formale. Hetimet kanë evidentuar, transaksione bankare dhe tatimore me vlera të konsiderueshme, fatura të dyshuara si fiktive, pagesa pa dokumentacion ekonomik justifikues, si dhe transferta ndërkombëtare me subjekte të huaja, të lidhura me personat e përfshirë në këtë skemë.

Shoqëria “Ëortend” sh.p.k. ka realizuar qarkullime financiare në vlera të larta, të cilat nuk përputhen me aktivitetin e deklaruar dhe kapacitetet reale ekonomike të saj. Gjithashtu, janë konstatuar kreditime bankare që tejkalojnë vlerën e faturave të lëshuara, pagesa ndaj shoqërive të huaja pa dokumentacion justifikues, si dhe blerje të pasurive të paluajtshme dhe automjeteve me vlerë të lartë. Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro.

Nga akti i ekspertimit vlerësues ka rezultuar se vlera e tregut e këtyre pasurive në momentin e shitblerjes ishte më e lartë se vlera e deklaruar në kontratë.

Gjatë hetimit është administruar informacion i ardhur përmes bashkëpunimit ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore të Mbretërisë së Spanjës, ku rezulton se disa prej të pandehurve janë subjekt hetimi për vepra penale të mashtrimit.

Nga analiza e provave, ka rezultuar se i pandehuri Domingo Romillo Iriarte ka pasur rolin drejtues dhe organizues në krijimin dhe funksionimin e skemës, duke administruar shoqëritë tregtare,  duke orientuar qarkullimin e fondeve dhe vendosur për investimet në pasuri të paluajtshme dhe asete të tjera.

Të pandehurit Mihaela Munteanu Manole dhe Alvaro Romillo Castillo dyshohet se kanë marr pjesë në këtë strukturë kriminale përmes rolit të tyre formal në shoqëritë, “Ëortnova” sh.p.k. dhe “Ëortend” sh.p.k., duke kontribuar në krijimin e pamjes së ligjshme të veprimtarisë ekonomike dhe në qarkullimin e fondeve.

Ndërsa e pandehura, Doris Pere dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës duke kryer veprime administrative, bankare dhe organizative në Shqipëri përfshirë sigurimin dhe përdorimin e adresave për shoqëritë tregtare, si dhe kryerjen e pagesave të ndryshme në emër të tyre.

Mbi pasuritë në pronësi të të pandehurve Domingo Romillo Iriate, Alvaro Romillo Castillo dhe Mihaela Munteanu Manote është vendosur masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.  

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka çmuar se provat e mbledhura janë të mjaftueshme për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të të pandehurve të sipërcituar.