Pastruse

Pastruse

Foto ilustruese

Të jetosh vetëm, të shkruash në gazetë, të ikësh si i hazdisur nëpër katunde për të dëgjuar shushurimën e përrenjve, dhe shtëpinë ta mbash të rregullt, është e pamundur pa një pastruse. Tre a katër gra të lagjes të cilave ua qava këtë hall, kujtuan se po ua lypja. U thashë se fjala nuk ishte për lypje por për pastrim. Nuk u tundën.

Njëra tha: “Merr pastruse, përdore dhe si grua".
Tjetra ja priti: “Merr grua, përdore dhe si pastruse".

Ca gra të tjera i bënë secila reklamë kandidates së vet, kunata, mbesa, goca hallash, tezesh, dajallarësh, xhaxhallarësh, kushërira të para e të dyta e të treta, shoqe dhe shoqe të shoqeve, komshie dhe gjithfar’ stërlëngjesh. Ka mbaruar dy të mesme, është nga Dibra, nga Mati, nga Skrapari, ka një baba pensionist, nëna qorre, një vëlla shofer, tjetri vëlla i pa punë, çun xhaje brrber, dy motra të martuara, njëra burrin kollovar, tjetra burrin në burg, etj. Nuk ndalnin që nuk ndalnin edhe pse u thashë kaq herë se në kapitalizëm nepotizmi nuk ka kuptim.

Telefonova një gazete. Dy zonja që ofronin pastrim ishin të zëna. E treta tha; Unë jam një vajzë e re që mund t’ju pastroj. Besoj se më kuptoni. Po, i thashë, të kuptoj, por kam nevojë për pastruse jo për kurvë. Hoqa dorë nga gazetat. J'a qava hallin një zonje. U zhyt në mendime zonja. Ta kam gjet, tha. Pas dy ditësh erdhi me pastrusen. Nuk jam dosido un’, tha pastrusja. Kam eksperiencë. Punoj në disa vende. Pastroj plasma. Kam kalamaj të rritur. Vetëm një çupë më ka mbetur pa martuar. Kam ndërtuar shtëpi të re. Kemi mbjellë rrush rreth shtëpisë. Zjejmë raki.

E vuri re padurimin tim. Mori frymë thellë; “Kam qënë Shefe Plani !”, tha krejt e zbehtë në fytyrë duke pritur efeket shkatërruese mbi mua të bombës që sapo ma plasi para fytyrës. O hajvane, më erdhi t’i ulërij, por bëra si bëra heshta. Ramë dakord për pazarin pak më i vogël se rroga mujore e një polici. U ndamë me premtimin se do vinte të nesërmen në orën nëntë.

Nuk erdhi në nëntë. As në dhjetë. Erdhi në njëmbëdhjetë. Tha se do ta mbaronte pastrimin në orën 2. Epo mirë, i thashë, ti e di. Shtrëngova nofullat, Ika. Erdha në 2. Tha se kishte pastruar një dhomë. Se i ishte dashur të zbriste për të blerë disa lëngje dhe pluhura etj. etj. Më erdhi t’i ulërija, por prap durova. Iku me ngut duke më kujtuar se do vinte të nesërmen për ta mbaruar pastrimin e tërë shtëpisë. Mbeta i tmerruar nga gjithato llafe. Megjithatë jetë është kjo, thash me vete, sot do ketë pasur ndonjë hall, të presim si do vejë nesër e tutje, dhe i hodha një sy dhomës. Poshtë tavolinave, nën krevat dhe nëpër qoshe, pluhur dynjaja. U tërbova. Të nesërmen e prita në oborr. O mashtruese, i thashë, o hileqare, o llapaqene, na kto pare dhe hiqmu sysh. Nuk i lëvizi qerpiku. Mos bërtit, tha, dhe iku.

Prej atëhere, shtëpinë e pastroj si Partia e Punës Shqipërinë, me forcat e mia.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?