Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar lidhur me rregulloren e re të hartuar nga kryetari i Gjykatës së Posaçme (GJKKO), Erion Bani dhe të miratuar sëfundmi për të hyrë në fuqi në 1 shtator, e cila censuron punën e mediave dhe pengon punën e avokatëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi është shprehur se drejtësia nuk duhet të trembet nga transparenca, por sipas tij, autoriteti i drejtësisë “forcohet pikërisht nga një proces i hapur, i drejtë dhe i kontrollueshëm nga opinioni publik.”
Për Blushin, seancat gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ish-Presidentit Ilir Meta dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, duhet të jenë publike .
Ai ka theksuar gjithashtu se rregullorja e re e GJKKO-së, e hartuar nga Erion Bani, kufizon lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim, shkel Kushtetutën dhe standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Reagimi i plotë i Blushit:
"Nuk mund të pranohet kurrë një standard i dyfishtë: hetimet, të cilat sipas ligjit duhet të jenë sekret, bëhen publike për vite me radhë, ndërsa gjykimi, i cili sipas parimit kushtetues duhet të jetë publik, shndërrohet në sekret dhe zhvillohet në fshehtësi dhe larg syrit të publikut.
Por kush është viktima e korrupsionit të zyrtarëve të lartë? Pa diskutim, publiku.
Prandaj publiku ka të drejtën legjitime të ndjekë proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë dhe të dëgjojë drejtpërdrejt, në mënyrë transparente, të dyja palët përballë gjykatës.
Një gjykatë vërtet e pavarur nuk ka arsye t’i trembet transparencës. Përkundrazi, autoriteti i saj forcohet pikërisht nga një proces i hapur, i drejtë dhe i kontrollueshëm nga opinioni publik.
Problemi bëhet serioz kur, përmes rregullave të brendshme, kufizohet jo vetëm liria e medias dhe e drejta e publikut për informim, por preken edhe parimet e hierarkisë gjyqësore, vendimet e KLGJ-së, garancitë kushtetuese dhe standardet e KEDNJ-së.
Transparenca e drejtësisë nuk mund të konsiderohet kërcënim për drejtësinë.
Përkundrazi, ajo është një nga garancitë themelore të besimit te drejtësia.
Dhe kur një proces gjyqësor mbyllet nga publiku në kundërshtim me parimet kushtetuese, çështja nuk është më thjesht se kush lejohet të hyjë në sallën e gjyqit. Çështja është nëse vetë drejtësia po respekton rregullat mbi të cilat mbështetet rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë."
Dokumenti i hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, vendos kufizime dhe ndalime, që praktikisht e ndalojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.









Komente
Komento