Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon pasurimin e liqeneve të vendit me rasate peshku. Ndalesën e radhës ministri Bledi Çuçi e bëri në liqenin e Prespës, ku nisi procesi i hedhjes së rreth 300 mijë rasateve të krapit.
“Sot jemi në liqenin e Prespës ku do të hedhim rreth 300 mijë rasate të krapit, i cili është një krap specifik për ujërat e këtij liqeni. Ky rasat është përgatitur në qendrën që ne kemi këtu. Kjo është një sasi e konsiderueshme për liqenin. Rasati këtu është më i rritur sepse ka nevojë të jetë më i formuar. Besoj se me këtë sasi kemi një pasurim të konsiderueshëm të liqenit", është shprehur Çuçi.
Sipas tij, kjo është një ndihmesë shumë e madhe për peshkatarët dhe liqeni i Prespës është model pasi nuk ka fare gjueti të paligjshme të peshkut.
Gjatë këtij viti zënia e krapit në liqenin e Prespës është rritur ndjeshëm, duke kapur sasinë rreth 100 kuintalë sipas peshkatarëve.
Javë më parë ministri Çuçi ishte i pranishëm edhe në liqenet e Ohrit dhe Fierzës, ku nisi gjithashtu pasurimi me rasate korani e krapi. Në liqenin e Ohrit sivjet është hedhur sasia më e madhe ndonjëherë; mbi 1.5 milionë rasate korani, ndërsa në Fierzë rreth 160 mijë rasate krapi.
Ministria e Bujqësisë do të vijojë mbështetjen për peshkimin, si një prej sektorëve me rritjen më të madhe në vend.