“Duke qenë i ekspozuar si lideri historik i së majtës, ai nuk mund të jetë i propozuar nga e djathta dhe kjo e bën vulnerabil mbështetjen e tij të gjerë parlamentare... Zoti Nano është në të drejtën e tij të testojë të gjithë faktorët parlamentarë nëse kanë mundësi ti japin mbështetje ose jo që ai të garojë për President të Republikës. Thashë Zoti Nano nuk ka një problem, por dy të tilla. E para duhet të sigurojë 20 firmat, që nuk është mision i pamundur, por i vështirë për rrethanat e zotit Nano. E dyta duhet të sigurojë që këto 20 firma të çojnë te 71 votat në Parlament, që më duket një mision gati i pamundur”- tha Patozi.
I pyetur nëse qeveria ka nevojë për ndryshime në mënyrë që para zgjedhjes së 2013 mazhoranca të ketë një tjetër ritëm, Patozi u shpreh se do ta shikonte si pozitive por jo të domosdoshme.
“Do ta shikoja si pozitive dhe jo si një gjë të keqe, nëse kryeministri do ta gjykonte të udhës. Jo thjesht sepse mbaruam zgjedhjen e Presidentit, por se hymë në një stad të final parazgjedhor për vitin 2013. Dhe sigurisht një imazh tjetër apo një ritëm tjetër mund të shtonte energjithë apo kapacitetet e qeverisë, në mënyrë që kjo të reflektojë dhe mbështetjen e zgjedhësve gjatë zgjedhjeve të ardhshme, por nuk është e domosdoshme “
Patozi është shprehur gjithashtu se edhe nëse presidenti do të emërojë zëvendëskryetarin e KLD-së, presidenti i ri, do të verë në vend atë që ai e konsideron si shkelje të Kushetutës që po bën presidenti në KLD.
“Ai kërkon të shkelë Kushetutën duke thënë se nuk po e shkel. Ai është duke goditur sistemin mu në zemër. Pas dy muajsh presidenti tjetër sigurisht do të ketë një kandidat të tijin. Presidenti tjetër do të jetë një person që di të lexojë Kushtetutën dhe puna e parë që do të bëjë ështëqë do të vërë në vend një shkelje. Një shkelje të Kushtetutës. Sepse i takon ta bëjë”
Përsa i përket reformës parlamentare, Patozi ka sqaruar edhe një herë se kërkesat e opozitës për votë të fshehtë dhe kohën e fjalës së kreut të opozitës janë të papranueshme.
Ndërsa sa i takon reformës zgjedhore ka siguruar se KQZ do të jetë në të njëjtin format dhe formulë zgjedhjeje si ajo aktualja, por me anëtarë të tjerë. Ai ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit të sistemit zgjedhor brenda kuadrit aktual ligjor.
(sg/shqiptarja.com)