Patton Bogs: Albpetrol
vlen 497 milionë dollarë

Patton Bogs: Albpetrol<br />vlen 497 milionë dollarë
TIRANE- Kompania shtetërore e naftës Albpetrol do të shitet së shpejti dhe sipas kompanisë konsulente amerikane "Patton Boggs", ajo sot vlen 420 milionë dollarë, ndërsa mëse një vit më parë vlente rreth 500 milionë.

Gjatë intervistës më të fundit në emisionin "Opinion", pak ditë më parë, ndërsa fliste për privatizimin e Albpetrolit, i pyetur për çmimin e shitjes së kompanisë shtetërore, kryeministri Sali Berisha u përgjigj se: "nuk e di, ia kemi lënë një konsulenti të famshëm ndërkombëtar". Konsulenti ndërkombëtar është firma amerikane "Patton Boggs", po ajo që privatizoi ARMO-n dhe që në sajtin e vet, ndërsa në 2010 shprehej se Albpetrol vlente 497 milionë dollarë, tani thotë se vlera e tij është rreth 420 milionë dollarë.

Në 16 dhjetor 2011, kompania amerikane "Patton Boggs" njofton lajmin se qeveria e Shqipërisë njoftoi këtë javë se do të shesë kompaninë shtetërore të naftës "Albpetrol", përmes një tenderi ndërkombëtar dhe sipas agjencisë AP asetet e kompanisë janë vlerësuar në 420 milionë dollarë. METE ka kërkuar asistencën e "Patton Bogs" për privatizimin dhe ekipin po e udhëheqin emra të njohur që në privatizimin e ARMO-s, tre vite më parë, siç janë Xhud Këri dhe Dejvid Faber që këshilluan qeverinë shqiptare për shitjen me 160 milionë dollarë të rafinerisë së naftës, ARMO në 2008.


Firma konsulente që do të gjejë blerësit e Albpetrolit i referohet një lajmi të agjencisë amerikane AP, që thotë se 100 për qind e aksioneve të kompanisë me qendër në Patos, përfshirë asetet, 6 burimet e naftës, një gazi, një rëre bituminoze dhe infrastrukturën, janë llogaritur në vlerën e 322 milionë eurove ose rreth 420 milionë dollarë. Kompania ende shtetërore ka 3000 puse nafte, që prodhojnë rreth 135 mijë tonë naftë në vit dhe punëson 4050 njerëz, thotë lajmi i agjencissë AP, të cilin e citon gazeta amerikane "Washington Post" në 15 dhjetor 2011.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Rojter, në 21 korrik 2010, Ferdinand Murati, drejtor i Albpetrolit thotë se është kundër privatizimit të plotë të ndërmarrjes, ide që ishte hedhur mëse një vit para se vendimi të votohej në parlament. Murati thotë se kompania do të shiste direkt produkte të naftës vetë në treg, duke i hequr monopolin kompanisë ARMO. Qeveria e kishte lejuar për herë të parë Albpetrolin që të shiste naftën e papërpunuar vetë, meqë ARMO, në vështirësi teknike, nuk arriti të merrte stokun prej 60 mijë tonësh të Albpetrolit.

Sipas Muratit, në 2009 Albpetroli kishte patur 3 milionë dollarë fitime dhe në gjashtë muajit e parë të 2010 kishte prodhuar 8 mijë tonë më shumë naftë të papërpunuar se planifikimi. Qeveria shqiptare kontraktoi konsulentin amerikan "Patton Boggs" për të zbuluar opsionet për shitjen e Albpetrolit. Shumica e burimeve të Albpetrolit u janë dhënë 3 kompanive të huaja me koncesione 20-25 vjeçare prej vitit 2004 dhe nxjerrja e naftës nga 350 mijë tonë në 2003 shkoi në 700 mijë tonë në 2010. Sipas Muratit, vlera e asteve të Albpetrolit, përfshirë ndërtesat, dhe infrastrukturën , rrjetin e transportimit të naftës etj llogaritej në 497 milionë dollarë. Këtë shifër që jepte drejtori i Albpetrolit e përsëriste edhe kompania amerikane "Patton Boggs", një ditë më pas, duke iu referuar sajtit "Balkans.com", në korrik 2010 dhe që gjendet në faqen e kompanisë www.pattonboggs.com.

(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik