Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të "Shqiprís së Ré" qi do dalë ditën 28 nëntor. S'e pata kët mendim. Por "Shqipëria e ré" e di t'a fusi njerin në valle edhe kur s'e ka zanat kërcimin a s'âsht në fel me kërcye.Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m'âsht dashun t'a lodh mjaft mênden për me gjetun nji themë qi t'i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzí të madhe prej kënduesve të ksaj fletoreje. Ah të kishem qênë dhe un poet, sa m'a kishte ânda me i a çue dikuj zêmrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m'a pat bâmë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me "Kuvêndin e Deshmorvet" po në rasën e 28 Nëntorit ! Por mue kët cilsí m'a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zêmra. Më vjen mâ tepër për dore me i thirrë mêndes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën t'eme kryesisht djelmnís, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë mâ shumë për argumenta qi munt t'a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e mâ së madhes ditë të historís së kombit t'onë, se sa për ligjerata qi t'a mallëngjejnë e t'i ndezin gjakun.
Plot 20 vjet para, më 28 - XI - 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t'ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t'ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj'ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.Hân' e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizondi i atdheut t'onë ; ishte tue lemë dielli i lirís. Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvêndi : flàmur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenshe në mes flàmur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n'ajrin t'onë mbas katër shekujsh e gjymsë.Atypraty nji zâ i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zêmrash të lame nga çëdo mëkat : rroftë Shqipnija !" Brohorí të padame e lot mallëngjimi....
20 vjet para !
Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s'kishi lemë edhe ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm : "ku janë ata burra qi ngritën për të parët flàmurin kombtar ?" E un ju përgjigjem : mâ mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t'u a tregojë brezave t'ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e deshirue këtê me gjithë zêmër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngîmë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i idés e i deshirit qi kan ushqye. Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si lânda qi merr me vete nji lumë për me e lânë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E mâ në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet t'ona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t'u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kênd nga deshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se mâ të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsis shqiptare kanë me qênë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tânë shijen e idealit të thjeshtë që ushqeni !
Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë bâmë veten flî për t'i a mbërrîmë asaj dite e mâ vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s'u dihen a së mund t'u përmênden emnat. Mu nj'ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë deshmuer n'altarin e Atdheut.
"Por, do të më thoni, çfarë deshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnín s'e bânë Shqiptarët por Evropa ?"
Po, kështu thonë përnjimênd ata qi s'kanë çue as nji gisht dore për Shqipnín e lirë ; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji "mrekullí" t'atillë e ndoshta as sod s'u besojnë syvet të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s'e njohin historin e kombit të vet, qi s'e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej. E ça me thânë mbandej për nji tjetër kategorí Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s'kanë besue se mund të bâhej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tâna armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lânë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shêmbun ? E mbasi panë se Shqipnija u bâ, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me bërtitun me sa u punoi zâni : " rroftë Shqipnija ", e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.
Shqipnín e bâni Evropa ashtu si bâni Jugoslavín, Çeko-Slovakín, Polonín, Rumanín e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sà i përket kontinentit t'onë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t'u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirín e tyne.
Shqipnín e bâni kombi shqiptar vetë. E bâni forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bâmë ballë me shekuj, si shkâmb graniti, valve mâ të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mângjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe mâ se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helinët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fés të përdorun pa fé shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruen fé, por jo kurrë kombsí. As fuqija magjike e besimit nuk i bâni me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s'e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t'asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.
Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsín me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsín e tij ; luftoi për lirí.
E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t'onë kur parimi i kombsis âsht imponue si bazë e politikës ndërkombtare ? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsín shqiptare.
E si do t'a mohonte Evropa të qênët e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fés së krishtênë i ka dhânë nji Fatos si Skanderbegun e shumë gjak të derdhun për at qytetnim, për at fé e për lirí të vet.
Evropa bâni Shqipnin ? E pse mos me thânë mâ mirë, mâ drejt se Evropa e cungulloi, e përgjysmoi Shqipnin ? Shkëputi pjesët mâ të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë mâ zí se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshrire, jashtë çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në mâ të madhen apathí. Jo, djelmnija shqiptare s'ka si u beson përrallave të Shqiptarvet pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e kombin e vet. Ajo do t'i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për lirí ; do t'i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t'idés kombtare.
Dita XXVIII Nânduer âsht pa dyshim mâ e madhja ditë gzimi për kombin t'onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s'âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t'anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar âsht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këtê kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zêmër në zín e gjâmën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zêmrat e atyne fatzezve. Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën e ka bâmë natyra rrumbullake e mbas natës s'errët do të lejë pa tjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t'ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidomos zêmrat e djelmnis s'onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.
Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjâje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk âsht burim pasunimi të veçantë, a mâ mirë me thânë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje qi s'e kanë lodhun kurrë mênden për atdhe veçse për t'a shfrytue. Ajo âsht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumnín e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.Lirija i gjân nji bime delikate qi lyp mâ të madhin kujdes e tokë t'aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t'i napë kombit pemët e veta për ditë mâ të mira e mâ të plota. Toka e ksaj bime âsht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. "Shqipnija u bâ, tash duhet të bâjmë Shqiptarët" po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb mâ se nji gjymsë shekulli përpara.
Kjo âsht barra mâ e rândë e mâ e shênjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t'ardhmen e Shtetit t'onë e bashkimin e të tânë kombit ndën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmní! "Shqipëria e Ré" Kostancë (Rumani) 1932
Gjashtë vjet pavarësi, XXVIII nëntor, (Nga Sotir Gjika)
Shqiptarët shikuan Europën t'i njihte një nga një në Shtete më vehte popujt e siujdhesës Ballkane, e sicilin prej syresh të rëndojë mbi Shqipëriën, nisën të mendohen thellë dhe përnjimênd për shka i tirej Atdheut të Gjergj Kastriotit. U bindën atbotë se tepër fort qênkshin rrêjtur një palë shqiptarësh që rrëke rrëke e patën derdhur gjakun e kulluar të vetin për lirin e Greqiës ; e u bindën edhe se Tyrqia as deshte me vërtet e as kish se qysh me e pritë mynxyrën që me vrap po turrej kaha lagjet e Dheut t'onë. Duheshin masa të rrepta për me e ndalë rrebeshin. Europa qe mbledhur në Kuvênd në Berlin e, me një çinizmë të padëgjuar, pat dekretue të çkëputeshin nga kurm'i Mëmëdheës e t'i u epshin Shtetevet të rinj të Ballkanit ngasra të tëra fjeshtë shqiptare. Shqiptarët u çuan e ngritën krye forra kundër paudhësiës europjane, tuj lidhë Besë. Qênë burra me fletë, i u paçim faën, të Parët tanë t'asokohe. Nga lëvizja e tyre lindi Lidhja e Prizrenit, të tre vjetët punim të gjallë kombëtar të së cilës kanë me pushtue faqen më të bukur të historiës së Përlindjes Shqiptare. Por athue se fuqia e e drejta shqiptare do t'a çvulosnin dot çka së bashku kishin vulosur në Kuvênd të Berlinit përfaqësonjësit e Europës, t'asaj Europe q'ishte Kali me krahë i të trië Perandorivet oligarqike që patën bërë më të madhin kob kundër qytetërimit, copëtimin ndërmjet të Polloniës ? Jo ! Europa i a shtrëngoi kështu rripat, i a ckërmiti dhëmbët Stambollit pse s'i shtrëngonte Shqiptarët t'i falshin Malit të Zi e kundër qëndresës të papërkulëshme e kreshnike të këtyre të fundit s'u turpërua të dërgojë anijet e saj n'ujërat e Ulqinit e të Tivarit!
Le t'i a lemë tani pakëzë fjalën Poetit q'e këndon me melankonië të trishtimtë por me kryelartësië shqiptari atë ndodhië të zezë :
Po n'a thonë se Malit t'Zi
Pjeterburgu i'a dha fjalën
Me hi mbrenda në Shqyptarí
Turbull Drini kû rreh valën ;
E veç m'kâmbë ushtrín ka çue
Ke Cetina Knjaz Nikolla
Malet t'ona me i pushtue
Kû i bân nâna djelmt sokola.
Shqiptarët i dhanë asisoj lëvizjes së tyre karakter ndërkombëtar e brênda e jashtë Shqipëriës i a filluan punës, ashtu sikundër s'kishin bërë pa ngjarë lufta ruse - tyrke. E pemët e veprimit tyre u dukën kur - tek kazani po ziente në Ballkan, që më vonë do të pëlciste me luftën ballkane - tyrke e Shtetet ballkanas, të lidhur ndërmjet sa për të coptuar Shqipëriën, e cila i a pati krreur me pushkë Qeveriës së Stambollit njoftimin e të 14 pikavet të njohura - Austro-Hungaria me Italiën i u duall zot të drejtavet të Kombit shqiptar në Kuvêndin e Londrës (1912-13) dhe prej Kuvêndit krryen ndërtimin e një Shteti shqiptar.
Më 28 Nëntor 1912 shqiptarët, të mbledhur në Vlorë nën kryesië t'Ismail Qemal Beut, ngrinin Flamurin kombëtar e ay shênj i shenjtë që për katërqint e ca vjet e kish shkretuar Vêndin me çdukjen e tija, dijl prap në shesht e, madhështor si qëmoti, fillonte me u tunt n'erë nëpër qytetet, katundet, fushat, malet e kodrat e Arbëriës jetike, tuj përhapë e tuj shtië gazin e shpresën nëpër gjindjet shqiptare. Qe mbushur një mrekullië e historiës. Europa më së fundi bënte, pas aqë kohe, vepër qytetnore.
Por atë çikëzë diell që shkrepi të ngrohë dhe të shkëlzejë lagjet e Shqipëriës, e zuri përnjëherësh reja. Të zeza ditë ka shkuar Vênd'i ynë që kur , pa e gëzuar dot mirë djellin e liriës, nisi të mos i vejë buza më gas. Sido na vate filli, prap flamuri valoi, po valon e do të valojë në Shqipërië.
Dita e 28 Nëntorit âsht e para dit'e Përlindjes s'onë dhe ndër festat t'ona kombëtare âsht pra m'e shënuara. E tillë do të jetë sa të rrojë fara shqiptare.
Ne e pritëm, edhe sivjet, këtë ditë të shënuar, me atë brohorië dhe me atë dalldië që fuqia e shpirtit t'onë âsht e zonja të ndjenjë, të mbajtur gjithënjë, nga shpresa e nga besa, që janë për ne hyll'i karvanit se nuk do t'i mungojnë Atdheut ditë të bardha. Rroftë Shqipëria !
KUVENDI Romë, e Enjte, 28 nëntor 1918
Njëmbëdhjetë vjet pavarësi
DITA 28 NANDUER kujtime e mendime (Nga Luigj Gurakuqi)
Lufta e zgjedhjevet po zien në të katër anët e Shqipnìs, lufta e zgjedhjevet për Kuvendin kushtetues. Prîsat e popullit, udhëheqsit e Shqipnìs së rè, janë ndàm lagje lagje, kanë formuem grupe e partì e, kush me armën e së drejtës në dorë, kush me premtime të rrêjshme, me dredhì e me friksime, po mundohen me tërhekun sa mâ shumë antarë prej vetes, antarë të bindun, antarë mendimesh e idhès, apo me fituem sa mâ tepër miq të ditës e me kaparuem votën e tyne.Populli, populli i mjerë, ai qi vuen e paguen, herë u beson e u shkon mbrapa me bindje këtyne prîsave, herë tërhiqet edhe rrêhet prej tyne. Diku diku, populli hyn në ketë luftë pa marrë vesht akoma qëllimin, pa kuptuem mirë shkakun e saj.
Kuvendi kushtetues, ligja themelore, forma definitive e Shtetit janë fjalë të reja, janë idhè t'errta për tê.Pakë, ndër prîsa e udhëheqës, janë atà qi mundohen t'a zgjojnë e t'i ndrisin mendjen popullit, qi i thonë kjarisht të vërtetën e qi përpiqen t'a drejtojnë n'udhë të mbarë. Ka, mjerisht, mâ shumë asish qi thonë se, vullneti i popullit nuk do marrë para sysh e qi, ndonsè e quejnë veten popullorë, mendojnë se populli duhet të shtrohet e të ndigjojë, e të lêhet me u drejtuem vetëm prej atyne, pse atà vetëm, e askush tjetër, janë të zotët me e këshilluem për të mirë e me pregatitun fatbardhësin e tij.
Me gjithë këtê, lufta e zgjedhjevet po bâhet ditë për ditë mâ e ashpër; kundërshtimet e popullit po shtohen; këshillet e dredhìt e prîsavet vijojnë.
Por sot, ndërmjet tymit e trazimit të kësaj lufte, nji rreze drite po na duket për së largu, nji za i mallshëm po ndigjohet, qi rrall na tingëllon në vesh. - Asht agimi, qi sot ka skuqun majet e Kaninës, âsht brohorija e burravet, qi përshëndesin flamurin e ngrehun në Vlonë. Sot âsht festa e Ditës 28 Nânduer 1912!
Edhe atëherë nji luftë tjetër ziente në Shqiprì, por jo si këjo e sotshmja. Ishte luftë e përgjakshme, luftë e shkaktueme prej fqijvet t'anë, qi kërkoshin me fituem fushat e Shqipnìs, me rrëmbyem malet t'ona. Por Zoti premtoi ndryshe, Shqipnija duel më vete.
Andej festa e sotshme. Këjo ditë fatbardhë duhet të jetë nji ditë armëpushimi për nè, ditë qi, na përmendë sa e sa kujtime t'âmbla, qi na qorton e na ep mësime për kohën e ardhëshme.Në ketë ditë na këthejnë në mend kohët e zeza, kohët e mjerueshme t'atdheut, e pësimet e shumta të komit t'ënë nen zgjedhë të huej.Hijet e thata e të mrâjtuna të dëshmorvet tanë, qi dhàn jetën për me na fituem lirìn, na dalin sot përpara e na mësojnë se sa të shtrênjtë duhet t'a kemi atdhèn t'ënë, se si do t'i mprojmë kufijt e làm me gjak prej tyne, se s'do t'i harrojmë kurrë vllaznit e mbetun në robnì.
Por këjo ditë e lume, qi na kujton Kuvendin e Vlonës, kuvend i mbledhun në kohë të rrezikut e qi i hodhi themelin Shtetit t'ënë, na mëson edhe se si do të sillemi në këto zgjedhje, se si do të pregatitemi për Kuvendin e afërm, qi do t'i apë formën e Shtatutin definitiv këtij Shteti. Agimi i kësaj dite duhet të jetë agimi i jetës së rè të popullit shqiptar; rrezet e tija duhet t'i hapin syt këtij populli mâ tepër se këshillet e se premtimet t'ona.Guximi i atij grushti Shqiptarësh qi, tue pasun besim në gjallsìn e popullit, muer vdekën më sy e i u përgjegj, me shpalljen e mëvetesìs s'atdheut, kërcnimit t'anmiqvet qi kishin pushtuem tokët t'ona, duhet t'u vlejë për mësim edhe të gjithë atyne, qi përbuzin vullnetin e popullit, qi ketë popull duen t'a shtrojnë e t'a poshtënojnë me mjetin e paligjshëm të dajakut.Por le t'a dijnë mirë se edhe sot puna do të dalë ndryshe. Tue ndjekun shembullin e burravet të Vlonës e tue u mbështetun në të drejtat, qi i shigurojnë ligjët e Shtetit, jemi shigur se populli shqiptar ka për t'a shfaqun lirisht vullnetin e vet, ka për të vepruem ashtû si t'i a presë mendja, pa frike e pa trembje.
Rroftë Shqipnija e Populli shqiptar! Rroftë Dita 28 Nânduer!
"ORA E MALEVE" Shkodër, e Merrkuere, 28 Nanduer 1923
(ad.ti/shqiptarja.com)