Pavarësia, Korkuti: Qeveria
financon vepra diletante

Pavarësia, Korkuti: Qeveria <br />financon vepra diletante
TIRANE- Promovimi i Albumit “Ismail Qemali” i Prof. Dr. Kristo Frashërit iu ka dhënë shkas akademikëve të shpërthejnë në pakënaqësi e akuza ndaj politikave që ndjek  qeveria dhe shteti shqiptar për organizmin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë. Nënkryetari i Akademisë së Shkencave, zoti Myzafer Korkuti ka rreshtuar një varg absurditetesh që nga diletantizmi i konkursit për një monument të Pavarësisë në Tiranë e deri tek milionat që qeveria jep për shoqatën "Vatra" në Amerikë, në një kohë që sipas tij, 'Varta' duhet të financojë botimet në Shqipëri.
Shkak i shpërthimit të nënkryetarit të ASH, z. Myzafer Korkuti është bërë një nga kujtimet e Ismail Qemalit të hedhura në Album nga akademiku Kristo Frashëri mbi pasionin e Ismail Qemalit për arkeologjinë, në kohën e studimeve në "Zhosimea", ku ai përcaktonte vendin ku është në të vërtetë tempulli i Dodonës Pellazgjike. "Këto që dëgjojmë e shohim sot se do të ngrihet një monument tjetër i pavarësisë në Tiranë më duken si ato dilentanizmat e atyre që Dodonën antike 1500-vjeçare duan ta çojnë në Kalanë e Këlcyrës. Me këtë dua t'ju them se edhe ngritja e Monumentit të Pavarësisë në Tiranë është një dilentatizëm", u shpreh i revoltuar zoti Korkuti. Pas kësaj, në intervistën për Shqiptarja.com, Korkuti shprehu hapur disa nga gabimet fatale të qeverisë në këtë 100-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë, si p.sh pse nuk është statuja e Ismail Qemalit në Tiranë, kur mes 25 burrave të shtetit është madje edhe muzikanti polak Frederik Shopen.

Zoti Korkuti, pse jeni kundër ngritjes së Monumentit të Pavarësinë në Tiranë?
-Kompleksi madhështor që është bashkë me varrin Ismail Qemalit dhe vendi ku është ngritur flamuri është i papërsëritshëm në Histori. Ne vazhdojmë të bëjmë festa dhe të bëjmë monumente. Le të bëjmë monumente për ngjarjet e historisë për të gjitha figurat, por nuk mund të themi që do bëjmë një monument të pavarësisë. Ka të tjera gjëra më të rëndësishme: Akademia e Shkencave ka pa botuar disa vepra që lidhen me 100-vjetorin e pavarësisë si "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" e akademik Kristo Frashërit; "Shteti i pavarur shqiptar 1912-1939" i Arben Putos; "Popullsia e Kosovës në vitet 1851-1912", përgatitur nga Kristaq Prifti. Por nuk ka asnjë mundësi financiare për t'i botuar këto vepra.

Për cilat figura konkretisht duhen ngritur monumente?
-I them qeverisë, institucioneve që të bëjnë vepra të tjera dhe me përmbajtje historike. Le të rreshtohen mbi 25 figura të shquara që i meriton ky vend, por pse të mos ketë dhe një monument për themeluesin e shtetit shqiptar për figurën e Ismail Qemalit?! Kjo është një padrejtësi që i bëhet kësaj figure. Monumenti i Pavarësisë është i ngritur. Ja tek është monumenti. Ky është madhështor, është një vepër madhështore, ja tek është. (tregon fotografinë e Monumentit të Pavarësisë në Vlorë). Atje është bërë pavarësia. Atje ngrihet monumenti. Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit. Pra, edhe "tempulli" i pavarësisë sonë është në Vlorë. Ç'duhet në Tiranë. Ndërsa një burri shteti si Ismail Qemali i takon një monument në Tiranë. Aty ku kemi shtetin shqiptar duhet të kemi edhe themeluesit. Ne nuk do ta vendosim ku duam neve këtë monument. Si mund të bëhet kështu në Histori.
Në tiranë ka 25 monumente të burrave të shquar, Natyrisht është i Skënderbeut, i Faik Konicës, Jeronim de Radës, Faik Konicës, Avni Rustemit, Sulejman Pashës, Qemal Stafës, Myslim Ketës, Zogut të Parë, Ahmet Kazazit, disa monumente të Nënë Terezës, Adem Jasharit, madje edhe Frederik Shopenit e ndonjë tjetri. Më thoni, ju lutem nëse kam të drejtë apo jo të pohoj edhe njëherë atë që kam thënë një vit më parë në prani të Presidentit të Republikës se në Tiranë duhet të ketë një shesh me një monument për Ismail Qemalin ku ne kryeqytetasit të kemi mundësi në raste festash kombëtare ta nderojnë dhe të vendosim një buqetë me lule tek monumenti i Tij.

Ju pohuat se janë gati disa vepra madhore për pavarësinë dhe nuk keni fonde si Akademi...
-Albumi i Kristo Frashërit është financuar nga një fondacion i huaj. Janë tre vepra madhështore të akademikut Kristo Frashërit, "Lidhja shqiptare e Prizrenit" dhe publiku duhet ta dijë se pavarësia e Shqipërisë arriti në saj të ngjarjes së Prizrenit. Janë ngjarjet më të rëndësishme që çuan në këtë pavarësi. Ai e ka ripunuan veprën e tij, shkruar që pesëdhjetë vjet përpara. E ka ripunuar dhe e ka përshtatur që ta botojë. Është 600 faqe, por nuk ka mjete financiare. Po kështu akademiku Arben Puto ka bërë një vepër po kaq monumentale "Shqipëria '12-'39" të ripunuar dhe gati për botim. Nuk kemi mjete. Kristaq Prifti ka një vepër tjetër për Kosovën. Është pjesë e shtetit shqiptar, pavarësia dhe Lidhja e Prizrenit si mund të kuptohen pa këto vepra. Pra duhet ta ndryshojmë këtë. Hajde ta botojmë këtë. S'kemi mjete financiare e si do të evokojë shkenca të kuptohet historia e krijimit të shtetit shqiptar dhe rëndësia e memorialëve në shërbim të së vërtetës historike.

Mendoni se mund ta ketë edhe të pamundur shteti shqiptar për të financuar gjithë sa thatë më sipër?
-Nuk ka kuptim kjo. Sepse unë di që është dhënë një 30 milionësh për "Vatrën" te shqiptarët e Amerikës. Paradoks është. Sigurisht dhe ajo do të festojë 100-vjetorin e Pavarësisë, si shumë nga ata që kanë pasur rolin dhe do ta festojnë këtë 100-vjetor, por një mik i imi, Gjon Gjonlekaj, që është studiues në Nju Jork dhe merret me studime për të ndriçuar këtë periudhë sa mori vesh tha: Si është e mundur që ju t'i jepni 30 milionë "Vatrës". Vatra e Amerikës është në atë gjendje që t'ju jap ju mundësinë për të botuar veprat e për pavarësinë. Ky paradoks i pranueshëm.

E keni ngritur ju vetë këtë çështje?
-Ja po e ngre. Edhe kryetari ynë i Akademisë është anëtar i Komisionit qeveritar për festimin e 100-vjetorit. Ka marrë pjesë në disa mbledhje, i kemi paraqitur me shkrim kërkesat tona. Dhe akoma sot po mbaron prilli dhe nuk është dhënë asnjë mjet financiar. Kur do bëhen këto vepra?!

Akademia e Shkencave solli para disa viteve një tjetër botim të vyer të Kristo Frashërit për Pavarësinë. Sa i rëndësishëm është ai?
Bëhet fjalë për librin "Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë", një libër me 280 faqe me 2 pjesë të rëndësishme dhe një vështrim historik përthithëse por edhe një pjesë të dytë me dokument të botuara dhe të pabotuara, duke e ilustruar shumë mirë këtë ngjarje madhështore. Në këtë libër u botua Akti i Shpalljes së Pavarësisë me të gjithë shpjegimet e nevojshme, dokumenti i shkruar në dy faqe, si dhe saktësimi që autori i shkrimit në gjuhën shqipe është Luigj Gurakuqi. Natyrisht aty korrigjon edhe disa shkrime që ishin retushuar në kohën e monizmit ku nuk ishin përfshirë për qëllime politike disa firmëtarë.
Por nga ajo kohë duhet të kujtojmë diçka të rëndësishme.
Me rastin e atij botimi Akti i Pavarësisë u shumëfishua dhe u ekspozua në muret e Kuvendit Shqipërisë. Me sa duket për t'i dhënë vlere u shtua dhe një emër, u firmos nga kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli Çobo. Pra në komunizëm i hoqën ca emra, tani i shtuan një emër!!!!
Krejt ndryshe kishte vepruar Lef Nosi, në 1924 kur botoi disa broshura me dokumente të shpalljes së pavarësisë dhe disa vite më vonë në, '37-ën në 25-vjetorin e Pavarësisë kur botoi origjinalin e dokumentit të Pavarësisë, të cilin e shtypi dhe shumëfishoi bile edhe e shiti në një formë simbolike. Kopja që njohim sot, është ajo e botuar nga Lef Nosi.

Pse e lidhët me Dodonën aktin e ngritjes së monumentit?
-"Dodona është në rrënojat e Melemingosë që më vonë u provua se ishte faltorja e famshme e Dodonës". Këto janë thënie të Ismail Qemalit. Gërmimet që bëri arkeologu Karapanos dhe studiues të tjerë më vonë provuan katërcipërisht se Dodona gjendet rreth 25 km në jugperëndim të Janinës. E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë sepse sot në shekullin e 21-të në Tiranë botohen libra dhe shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellazgjike qenka në malin e Tomorit, një tjetër në Ulqin dhe nja një muaj më parë e kanë lëvizur dhe kanë çuar në Këlcyrë të Përmetit.

Cila nga monumente e tjera, siç u shprehët ju në konferencë për konkursin mbi Monumentin e Pavarësisë janë shprehje e "diletantizmit të qeverisë"?
-Unë thashë që çdo ngjarje dhe çdo monument ka domethënien e vet, ka kohën e vetë. Diletantizëm është që të lëvizësh një monument që i takon një fakti historik të njohur dhe ta çosh në një vend tjetër. Është me të vërtetë diletantizëm se shtrembërohet historia. Unë ju thashë një shembull që nuk mund të lëviz tempulli i Dodonës pellazgjike. Është atje. Tek popullsia që ishte, s'ka rëndësi kujt i takon në pikëpamje etnike. Janë të ndara faktet historike nga fantazitë. Atje është monumenti. Është në Vlorë. Nuk e lëvizni dot, nëse ka ndonjë që e thotë këtë. Le të bëhen gjërat për pavarësinë. Nuk kam kundër, ka plot vepra të parealizuara.

Si duhej organizuar 100-vjetori i pavarësisë sipas jush?
-Festime e nderime janë bërë në çdo përvjetor të shpalljes. Dëshiroj të kujtoj disa prej tyre: Më 28 nëntor 1932 qeveria shqiptare organizoi rivarrimin e trupit të Ismail Qemalit. Nga Sheshin qendror i qytetit u bë pelegrinazhi drejt Kaninës. Kortezhin e ndiqte banda muzikore "Vatra" me marsh funebër. I dërguari i posaçëm i mbretit, Gjeneral Leon Xheraldi zbuloi Monumentin e Luftëtarit që ishte mbuluar me një napë të zezë, që u zgjidh nga Odise Paskali bashkë me monumentin e Luftëtarit Rilindës që janë sot në Sheshin e Flamurit. Më 28 nëntor 1962 me solemnitet të madh u festua në Vlorë Shpallja e Pavarësisë, veç të tjerave u rindërtua dhe u pasurua Shtëpia e Pavarësisë që më vonë mori emrin Muzeu Kombëtar i Pavarësisë. Me rastin e 70- vjetorit u përurua një monument skulpturor në bronz që përfaqëson një nga arritjet më të shënuara të skulpturës monumentale kushtuar luftës së popullit për pavarësi nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri. I lartë 17 metra dhe përkrah shtizës së flamurit të luftëtarit krijon një ansambël arkitekturor solemn dhe të papërsëritshëm.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja