Pavarësia, Tirana ngre flamurin
Përurohet sheshi "Shqiponja"

Pavarësia, Tirana ngre flamurin<br />Përurohet sheshi
TIRANE - Gjatë ditës së sotme Tirana çeli festimet për 100-vjetorin e pavarësisë. Personalitete të ndryshme të trevave shqiptare morën pjesë në inaugurimin e busteve, shesheve dhe aktiviteteve festive.

Kryeministri i vendit Sali Berisha ishte i pranishëm në përurimin e shtatores së Ismail Qemalit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ku e cilësoi heroin "babanë e pavarësisë". Ndërkohë që disa momente më pas, bashkë me kryebashkiakun Lulzim Basha inauguruan sheshin "Shqiponja", tek rrethrrotullimi i doganës.

Aktivitetet festive për 100-vjetorin e Pavarësisë nisën në orët e para të mëngjesit me ceremoninë e ngritjes së flamurit në Tiranë, ashtu si 100 vjet më parë, 26 nëntor 1912 kur flamuri u ngrit  nga patriotët tiranas Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu, Shefqet Ndroqi.

Festimet do të kulmojnë më 28 nëntor, kur janë parashikuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme, si dhe parada e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë e cila do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.

“26 nëntor 1912 deri sot shumë gjëra kanë ndodhur në rrugët, sheshet e familjet e qytetarëve. Por sot Tirana nuk është vetëm kryeqendra por shpresa dhe besimi e rrezaton anembanë kombit shqiptar. Sot kombi feston i bashkuar në Tiranë, Shkup, Preshevë, e Ulqin e kudo që ndodhen.”- tha kryetari i Bashkisë Lulzim Basha. Më pas u inaugurua dhe  Mozaiku i Flamurit, i përgatitur me gurë nga artisti Gëzim Hidri.

Në orën 18:30 u zhvillua Koncerti filarmonik i Orkestrës Rinore Shqiptare, drejtuar nga dirigjenti Aldo Ceccato (TKOB).

Në orën 18:30 në stadiumin “Qemal Stafa” u organizua ndeshja miqësore e futbollit Shqipëri-BE, ku morën pjesë yje të futbollit dhe artit, politikanë, gazetarë dhe diplomatë.

Në orën 20:00 u zhvillua edhe një koncert me këngë patriotike, me këngëtarë e grupe Rap (rruga“Murat Toptani”) Big Basta; Lazy feat Elia; Bimm-Bima; Egen Nr; Noizy; Tuna; Mc Kresha; Lyrical Son; Lavda; Dafina Zeqiri

Ndërkohë që edhe në rrethet e vendit si në Vlorë, Korçë, Elbasan, etj. kanë nisur festimet e para në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së vendit.


shqiponja me logo2
(Në foto, shqiponja e cila u inaugurua sot tek rrethrrotullimi i Doganës)


KUVENDI NDERON FIRMËTARËT E PAVARËSISË
Ora: 18:20 -
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në një ceremoni të organizuar në ambientet e tij, ka nderuar pasditen e sotme firmëtarët e Pavarësisë. Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti Bujar Nishani, Presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga, Kryeministri Sali Berisha, por edhe shumë personalitete të trevave shqiptare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka dorëzuar botimin special të "Akteve të Themelimit të Shtetit Shqiptar" pasardhësve të firmëtarëve të Aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se "Sot jemi thirrur jo vetëm për të festuar ditën kur pavarësia jonë lindi, por së pari jemi thirrur për t'u përkulur e për të nderuar me mirënjohje të thellë shpirtin e paepur e të pamposhtur të shqiptarisë, që bëri këtë ditë të mundshme. Jemi thirrur për t'i paguar atribut luftëtarëve shqiptarë, kryengritjeve shqiptare kudo, atyre në Kosovë, Shkup, malësi, veri e jug e në çdo kënd të trojeve shqiptare. Po të mos ishin këta burra te mëdhenj, po te mos ishin këta shqiptarë që e deshën këtë vend pa llogari, pa kushte, pa hile, po të mos ishte devotshmëria e tyre sot nuk do të ishim të gjithë bashkë, të lirë duke festuar".

INAUGUROHET SHESHI “SHQIPONJA”
Ora 17:10
Inaugurohet sheshi “Shqiponja” tek rrethrrotullimi i doganës në Tiranë. Ceremonia u zhvillua në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, ku të pranishëm ishin Kryeministri Sali Berisha, kryetari i Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha dhe 13 kryetarë të komunave nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Shqiponja është 6 metra e lartë dhe me bazament katër metra.

Në fjalën e tij Lulzim Basha u shpreh se “Jemi mbledhur për të nderuar këtë simbol të kombit në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Këtë simbol që askush nuk e vrau, askush nuk e futi në kafaz dhe nuk e harroi në shekujt. Ky simbol i mungonte Tiranës dhe vjen sot nga financimi i familjes Destani. Sot jemi më të lirë dhe më të fortë se dje”.

Lazim Destani, biznesmeni që financoi memorialin e shqiponjës në rrethrrotullimin e doganës theksoi se “ia dhuruam këtë shqiponjë kombit, çdo shqiptar e ka në zemër. Për lirinë e vendit të parët dhanë gjithçka nga vetja, të mësojmë nga historia për të ndërtuar atdheun tonë, për të siguruar lumturinë e të rinjve. Ta përshpejtojmë bashkimin tonë në të gjitha fushat për ta bërë realitet ëndrrën e shumëpritur të bashkimit kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë”.

"Ju uroj gëzuar qytetarëve të Tiranës, qytetarëve shqiptarë dhe shqiptarëve kudo që ndodhen: Gëzuar 28 nëntorin! Le të urojmë së bashku, me përpjekje të madhe, të frymëzuar nga vepra e atyre që bënë të mundur që sot ne të jemi të lirë, të punojmë për të bërë përfundimisht të vërtetë idealin më sublim të shqiptarëve, idealin e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kudo që janë", u shpreh Berisha.

KRIJOHET KUVENDIT KOMBËTAR I NJËSIVE VENDORE SHQIPTARE

Ora 16:30 Krahas ngritjes së flamurit në Tiranë, nga dita e sotme 26 nëntori do të kujtohet edhe si dita e vendimit për krijimin e Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Krijimi i Kuvendit u formalizua sot me miratimin e të zgjedhurve vendorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i zi e Presheva.

"Uroj që kjo datë e rëndësishme për qytetin e Tiranës, të kthehet në një datë për t’u mbajtur mend edhe për qytetarët që ne përfaqësojmë sot rreth kësaj tavoline, duke i dhënë sot aprovimin formal një prej iniciativave që kemi diskutuar së bashku këtu në Tiranë por edhe në Prishtinë, në Tetovë, në Preshevë, në Ulqin dhe kudo tjetër, në Gjakovë, atë të themelimit të Kuvendit Kombëtar të Njësive Vendore Shqiptare. Një kuvend i përhershëm, i organizuar sipas përvojave më të mira ndërkombëtare, evropiane e që do të shërbejë për të çuar sa më përpara, praktikat më të mira të mirëqeverisjes lokale dhe njehsimin kombëtar, pavarësisht se ku jetojnë qytetarët tanë", u shpreh Basha.

PERUROHET SHTATORJA E ISMAIL QEMALIT, BERISHA: BABAI I PAVARESISE

Ora 16:15
Është përuruar ditën e sotme shtatorja e Ismail Qemalit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit të monumentit të Ismail Qemalit Kryeministri Berisha u shpreh se sot jemi këtu për të uruar babain e pavarësisë së Shqipërisë.

“Jemi këtu për të përuruar shtatoren e atit, babait të pavarësisë së Shqipërisë. Njëri prej burrave më të mëdhenj, më të guximshëm të kombit tonë, Ismail Qemal Bej Vlora, Pasardhës i njëri prej familjeve më të fuqishme shqiptare”, u shpreh Berisha.  Lexoni shkrimin e plotë këtu

HAPET PANAIRI "BLEJ SHQIP"
Më pas në orën 11:30 u hap panairi “Blej shqip” në rrugën “Murat Toptani” si dhe ekspozita historike e AQSH “100 vjet Tirana” në trotuarin përpara Galerisë Kombëtare të Arteve. Në orën 12:00 grupe rock si Unit Band; Xhejn Kumria; The Room; Marsela Çibukaj; Grupi Na; Burn; Renis Gjoka Band do të performojë në rrugën Murat Toptani.

Ndërkohë që në Ministrinë e Jashtme u promovua botimi në anglisht i librit “The memories of Ismail Kemal Bey”. Publikimi i librit si edhe analiza shpjeguese e tij u  mbajt nga stërnipi i Ismail Qemalit, studiues Darling Vlora. Në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti morën pjesë përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të politikës, artit, kulturës etj.

DURRES, IMPROVIZOHET  MBERRITJA E ISMAIL QEMALIT

Në kalatet e portit detar 100 të rinj dhe të reja me flamurët kombëtarë kanë pritur mbërritjen e Plakut të Vlorës, i cili është përcjellë më pas në një karrocë të zbukuruar si në fillim të shekullit të kaluar drejt sheshit "Liria". Qindra nxënës, qytetarë, familjarë, por edhe të ardhur nga Kosova, kanë ndjekur në bulevardin "Epidamnus" karvanin e të rinjve që këndonin këngë atdhetare, ndërsa në sheshin para bashkisë fanfara frymore ekzekutonte Himnin e Flamurit. Familjarë të atdhetarëve delegatë në Kuvendin e Pavaresisë, deputetë, prefekti dhe kryetarja e këshillit të qarkut, së bashku me bashkëqytetarët, që kishin mbushur sheshin "Liria", ndoqën fjalën e kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako, i cili evokoi edhe një herë 26 nëntorin e vitit 1912, kur një grup atdhetarësh durrsakë dhe kryebashkiaku i atëhershëm Hafiz Ali Podgorica ngritën në të njejtin shesh flamurin që paralajmëronte shpalljen e Pavarsisë dy ditë më vonë në Vlorë.
Në sheshin qendror të qytetit bregdetar mbërriti edhe një flamur i gjatë 500 metra i nxënësve të shkollës që mban emrin e atdhetarit dhe poetit Vinçenc Prendushi, ndërsa një grup kalorësish imituan mbërritjen e luftëtarëve të Isa Boletinit nga Kosova.  Festa më pas u zhvendos në teatrin "Aleksandër Moisiu" për një koncert festiv me rastin e festës së 100-vjetorit të Pavaresisë së vendit.

NE VLORE MBERRIJNE KEMBESORET E PAVARESISE
11 shqiptarë të Kosovës të nisur më 10 nëntor nga Gjilani, pasi kanë përshkuar 518 kilometra rrugë në këmbë mbërritën në qytetin e Vlorës. Në mënyrë simbolike ata kanë sjellë flamurin kombëtar për të festuar më datë 28 Nëntor festën e pavarësisë. Një grup i dytë shqiptarësh të Kosovës mbërritën me karrocë me kuaj të veshur si Ismail Qemali, Skënderbeu dhe Adem Jashari. Fillimisht ata vizituan muzeun e Pavarësisë ku u pritën nga drejtues vendorë dhe qytetarë të shumtë. Me emocion është pritur edhe grupi me katër kalorës të nisur nga komuna Hani i Elezit. Tre prej tyre janë pritur nga nënkryetari i Bashkisë Ilir Banushi.

NE ELBASAN SHPALOSET FLAMURI GJIGANT
Në Elbasan, qytetarë të shumtë si dhe të rinj nga Lëvizja Rinore për Integrim kanë shpalosur një flamur gjigant në qendër të qytetit. Ky grup të rinjsh do ta dërgojë flamurin e përmasave gjigande në qytetin e Vlorës duke ndjekur në mënyrë simbolike rrugën qe ndoqi 100 vite më parë Aqif Pashë Elbasani.

KORCE, HAP DYERT SHTEPIA E MARIGO POZIOS
Në Korçë shtëpia e Marigo Pozios, vajzës që qëndisi flamurin që u valëvit në Vlorë në 28 nëntor 1912, i është kthyer identitetit. Diçka që i mungonte prej më shumë se 70 ditësh. Në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, kjo ndërtesë në fshatin Hocisht të Devollit ka hapur dyert për të gjithë kureshtarët, por tashmë si një muze.

TOPALLI: MOMENTE REFLEKTIMI

Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Historisë organizoi sot konferencën “100 vjet pavarësi”. Kryeparlamentarja e ka cilësuar këtë 100-vjetor një moment reflektimi për të gjithë shqiptarët dhe shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që luftuan për ndërtimin e shtetit shqiptar. Ajo shtoi se meritojnë një mirënjohje të veçantë të gjithë ata që kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë studime historike për të paraqitur të vërtetat historike ashtu siç janë.“Nuk kemi folur për Dom Nikoll Kaçorrin, as për Lef Nosin. Në cilin vend të botës gjysma e firmëtarëve të pavarësisë e u arratis, burgos ose pushkatua. Ne shqiptarët e kemi bërë dhe këtë duhet ta themi për të kuptuar drejt historinë. Nuk e them këtë për t`ju mësuar në detyrën tuaj, e them për të kërkuar të falur në emër të shtetit të ri", nënvizoi kryetarja e Kuvendit.

POLICIA KALON NE SHËRBIM TË PËRFORCUAR
Policia e Shtetit që prej ditës së djeshme ka kaluar në Shërbim të Përforcuar. Policia ka marrë masa për të ruajtur sigurinë e jetës gjithashtu janë hartuar një sërë masash në varësi të çdo aktivitetit duke garantuar trafikun, sigurinë publike dhe shoqërimin e delegacioneve.

Masa janë marrë gjithashtu në drejtim të menaxhimit të fluksit të shtuar të lëvizjes, rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të aksidenteve rrugore, duke përforcuar shërbimet e policisë në akset kryesore rrugore, në veçanti në akset Morinë –Tiranë –Vlorë; Qafë Thanë –Tiranë –Vlorë dhe Kakavijë –Tiranë – Vlorë, si dhe duke shtuar prezencën e patrullave të policisë rrugore në këto akse.

RRUGËT QË DO KENË KUFIZIME LËVIZJESH
Gjatë ditës së sotme dhe nesër policia e Tiranës njofton se do të ketë ndalim të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit pasi do zhvillohen provat për paradën ushtarake që do të zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë përgjatë rrugës së Durrësit deri tek sheshi “Skënderbej” nga ora 19:00 deri në orën 23:00. Nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja e mjeteve nga sheshi “Rilindja” deri tek sheshi “Skënderbej”. në segmentin rrugor të rrugës “Bardhok Biba”. Nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i mjeteve në segmentin rrugor të rrugës “Urani Pano”. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga kryqëzimi i rrugës “Barrikada” me rrugën e “Dibrës”, deri tek sheshi “Skënderbej”.

Redaksia online
(sg/gre.m/eç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Energji e rinovueshme për objektet publike në Mirditë, BE mbështet realizimin projektit

Energji e rinovueshme për objektet publike në Mirditë, BE mbështet realizimin projektit