Në një njoftim për mediat partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është shprehur e indinjuar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 21 qershorit pasi siç shpjegon ajo nuk ka arritur të gjitha objektivat e veta elektorale. Kryetari i PBDNJ-së shton në njoftim se para dhe gjatë zgjedhjeve kjo parti u gjend përballë sulmit të medias dhe strukturave shtetërore që u implikuan në proces.

“Partia Bashkimi për të Drejtat  e Njeriut nuk arriti objektivat e veta elektorale në zgjedhjet e pushtetit vendor të 21 qershorit. Para dhe gjatë këtyre zgjedhjeve u gjendem përballe një sulmi të paprecedentë dhe njëkohësisht të paarsyeshëm nga një pjese e konsiderueshme e medias. Në të njëjtën kohe nuk kishim përballë vetëm parti politike apo edhe struktura qeveritare, por edhe struktura shtetërore të cilat në mënyre antikushtetuese u implikuan në proces dhe ndikuan në rezultatin zgjedhor”- shprehet  në njoftim Vangjel Dule
 
Dule shton gjithashtu se  partia dhe ai si kryetar merr përgjegjësinë e plotë lidhur me rezultatin zgjedhor duke shtuar se kjo do të jetë temë debati në kongresin e ardhshëm të PBDNJ-së.

"Ky fakt duhet të na preokupoje të gjithëve sa jemi sinqerisht te interesuar për demokracinë funksionale, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe ato të minoriteteve në veçanti. Veçse kjo nuk mund të eklipsoje përgjegjësitë tona politike. Si struktura drejtuese, dhe unë si kryetar në mënyre të veçante marrim përsipër përgjegjësinë e plote politike të rezultatit zgjedhor. Kjo, së bashku edhe me parametrat e tjera respektive do jene objekt analize dhe debati në strukturat drejtuese të PBDNJ-së të Kongresit të saj të ardhshëm, si edhe të një dialogu të gjere në radhët e anëtarësisë, simpatizantëve, atyre qe për njërën apo tjetrën arsye janë larguar prej saj por edhe gjithë atyre që e shikojnë PBDNJ si strehe të idealeve dhe interesave të veta politike”- përfundon njoftimi

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)