Financimi rus 500 mijë dollarë për Partinë Demokratike, ka hapur një luftë të re mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Edhe pse Berisha e ka marrë gjithmonë në mbrojtje ish-kryetarin e partisë për këtë çështje para se ai ta përjashtonte nga grupi pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, Berisha ka dalë sot në një konferencë për mediat duke ‘larë duart’ nga kjo akuzë shumë e fortë që rëndon mbi partinë më të madhe opozitare në vendi. Berisha ka thënë se Basha është fajtor i madh dhe prej kësaj dosjeje ka qenë gjithmonë peng.

Berisha u shpreh se për dosjen fillimisht e kishte njoftuar në vitin 2018, ambasadori amerikan Donald Lu i cili i kishte dhënë përpara dosjen me shkrimin e gazetës Mother Jones. Ish-Kryeministri tha se fillimisht kishte besuar Bashën.

“Në dosje, përveç artikullit të revistës dhe një flete se Nick Muzin ishte i regjistruar si lobist i Bashës, nk kishte asnjë dokument tjetër. Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit”, tha Berisha.

“Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin. Këtë e kam denoncuar si akt nga foltorja në foltore”, ka vijuar ish-Kryeministri.

Gjithashtu ai tha se më pas është informuar se Basha e kishte mashtruar dhe nuk kishte bërë mbledhje fondesh në diasporë.

“Pas këtyre informacioneve, burimi i parave mund të ishte rus, siç thoshte revista. Bazuar në këto informacione, më 4 prill të vitit 2022, kam denoncuar para jush financimin rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes nga Edi Rama”, tha Berisha.

Sipas tij rikthimi i kësaj çështje, provon atë që ai vetë ka denoncuar disa herë, provon se Basha është mbajtur peng me këtë dosje dhe duhet të japë përgjigje për origjinën e këtyre parave. Në fjalën e tij para gazetarëve, ish kryeministri sqaroi se do të ngrihet një Komision auditimi dhe do të kërkojnë të kryhet hetim i plotë.  Berisha theksoi se nuk rezulton askund që paratë kanë shkuar për PD ndaj thotë se e gjithë përgjegjësia i mbetet vetëm Lulzim Bashës që është përfshirë në këto sanksione.

“Nga informacionet paraprake që kam, nga fondet që Biniatta ka dorëzuar te Nick Muzin, nuk kanë kaluar asnjë prej tyre nga arka e PD-së dhe fondet e PD-së. Për këtë arsye, përgjegjësia nuk është e PD, por është individuale e Lulzim Bashës dhe atyre që janë përfshirë në këto sanksione. Duke u distancuar nga kjo aferë kryekëput e ish-kryetarit të PD, dhe duke u zotuar se do të ngrejë një komision auditi për të bërë transparencën e plotë, kërkojmë hapjen e një hetimi të plotë për të larguar çdo dyshim që lidh PD-në me dosjen ruse”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët se kur është informuar për faktin që Basha e ka mashtruar siç pretendon ai, ndërkohë që më parë e ka mbështetur me pasion duke thënë se ‘gjithçka janë shpifje’, Berisha tha se në fillim të këtij viti ia kanë thënë disa emigrantë shqiptarë nga diaspora se nuk kishin dhënë para për PD.

Para disa ditësh, SHBA publikoi një raport ku bëri me dije se në 2017, Partia Demokratike ka marrë 500 mijë dollarë nga Rusia. Kjo detyroi edhe ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim që të bëjë bashkë përfaqësuesit e partive politike në Shqipëri, e të vërë theksin se financimi rus është rrezik për demokracinë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:06
Thoshte se financimi rus i PD ishte trillim i Ramës, Berisha: I besoja Bashës! Më informuan emigrantët shqiptarë për mashtrimin

 

Sali Berisha është shprehur se i besonte Lulzim Bashës kur në një intervistë në vitin 2018, i cilësonte si trillime lobimet ruse. Berisha u shpreh se gjithçka ndryshoi kur po merrte informacione nga emigrantët shqiptarë se Lulzim Basha merrte financime nga Rusia.

“I besoja asaj që më betohej Lulzim Basha, por nisën të më informonin emigrantët shqiptarë nga diaspora. Këtë e kam deklaruar në foltore. Besoj se duhet të ketë qenë fillimi i këtij viti ose pak më vonë. Më parë nuk e kam ditur. Më parë e kam quajtur peng se ishte nën hetim për larje parash. Dosja duhet të jetë hapur 2 vjet përpara. Pra, kur me erdhën njoftime se nuk janë paguar para nga diaspora, mendova që Mother Jones ka pasur të drejtë dhe më ka mashtruar sepse kishte dalë një zinxhir gënjeshtrash. Unë sapo e mora vesh, krijova fond informacioni të vazhdueshëm. E denoncova publikisht për fonde ruse 6 muaj më parë. Nuk kam folur për dosjen ruse derisa kam pasur informacione. Kam pasur dhe informacione të paverifikuara, por nuk mund të merrem me to”, tha Berisha.

Ora 12:50
Berisha-Bashës: More pjesë në skenarin e shpalljes time 'non grata' për të shpëtuar lëkurën tënde! Kudo të shkosh, dosjet e tua shkojnë para

 

Në konferencën për shtyp, Sali Berisha e cilëson sërish Bashën si “peng” të Edi Ramës dhe thotë se firmosi për skenarin e shpalljes non grata duke menduar se do shpëtonte lëkurën e tij.

Megjithatë tregon se në një bisedë i kishte thënë se kudo të shkojë Lulzim Basha, para tij do të shkonin dosjet e tij.

“Ai ishte peng i Edi Ramës, së dyti i kam deklaruar më herët se si ai firmosi për të larguar Berishën nga PD dhe morri pjesë në skenarin e të shpalljes sime non-grata për qëllimet e tij. Paska qenë keqësisht i kapur dhe mendoi se në atë mënyre do shpëtonte lëkurën e tij. Por unë i thashë, e vërteta vonon por nuk harron. I kisha deklaruar atij: Lulzim, kudo që të shkosh, para teje shkojnë dosjet e tua. Nuk dua të bëj profetin, por këto ja kam thënë. Këto janë akte që nuk janë kompetence e Bashës apo e Ramës, por të sigurisë madhore kombëtare, tjetër punë se i ka në dorë Rama dhe bën si do. Bëhet agresion i madh ndaj vendit, dhe nuk mblidhet as këshilli i mbrojtjes kombëtare, as komiteti. Ai çfarëdo gënjen e mashtron, sillet sikur është nën çifligun e tij në Surrel”, tha Berisha.

Ora 12:44
Berisha me 2 standarde për SHBA: Në rastin tim nuk kanë dokumente! Për Bashën kanë nxjerrë dosje me fonde 500 mijë dollarë nga Rusia

 

Sali Berisha ka sqaruar përse mban qëndrime të ndryshme për SHBA pasi nuk merr parasysh shpalljen e tij non grata, por i beson faktit që PD është financuar me 500 mijë dollarë nga Rusia.

“Në rastin tim, është deri tani një vendim si në materia, pa asnjë fakt apo dokument. Ju nuk keni parë qioftë dhe një fakt të vetëm dhe unë kam deklaruar se fakti i vetëm që paraqitet, unë marr vendime ndaj vetes time por dhe kam thënë, edhe 100 vite të kërkoj, nuk do të gjej një të vetëm. Kur e kam thënë, ka qenë vetëm Sali Berisha që e dinte dhe një mik i imi, jo në Shqipëri. Unë kam barazuar dhe fëmijët e mi. Deri sot nuk ke parë një dokument të vetëm.

Në këtë rast flitet me emra për personazhe ruse, për kompani ruse në Skoci, për fonde 500 apo 600 mijë dollar, për një dosje të mbyllur nga Edi Rama me mashtrime. Janë kaq shumë dokumente, për të cilat nuk ka asnjë përgjigje. Ka vetëm mbylljen e një dosje pa hetim. Lulzim Basha deklaroi se fondet i kam në diasporë. Cili prokuror shkoi në diasporë për të bërë hetimin? Cili prokuror shkoi për të marrë në pyetje Nick Muzin? Nga dolën 500 mijë dollar? Këta nuk dinin gjë, nuk kishin asgjë, por kryetari e dinte. Kryetari u mor peng nga Edi Rama. E pyeta a ke zbatuar rregullat e transaksioneve? Plotësisht tha. Ato vërtetojnë larjen e parave. Në fakt nuk ka sqaruar asgjë. Në arkë nu ki ka kaluar, në banka jo. Nga mbijnë ato para? Nga qielli. Nuk ka asnjë krahasim mes tyre dhe i them që sa herë kam ftuar para jush SPAK të hetojë cdo gjë. Kam deklaruar se jam gati të votoj heqjen e parashkrimit dhe do ta heq sapo të vij në pushtet që cdo ministër ta dijë se s’ka parashkrim”, tha Berisha.  

Ora 12:39
Berisha: Basha ishte pengu i Ramës, kur iku mori çdo gjë me vete, edhe hard disqet! Deputetët që më mbështetën mua atëherë bënë veprim historik

 

Fondacionet ruse dhe skandali i lobimit të PD-së, e kanë bërë Berishën edhe njëherë të nxjerrë brirët e tij ndaj Lulzim Bashës. Edhe pse ishte vetë ai që e solli në kryesinë e partisë Demokratike pas dorëheqjes së tij, ish kryeministri u shpreh se në momentin që u përça partia demokratike direkt pas shpalljes së tij Non Grata, deputetët demokratë bënë zgjedhjen e duhur që kaluan nga ana e tij. Madje Berisha këtë vendim të deputetëve e cilësoi si historik dhe se këta të fundit duhet të ndihen krenar.

‘Tani, do jem i hapur me ju, kërkesa për një audit do merret dhe është shumë i drejtë. Por Basha ka marrë çdo gjë me vete, nga hardisqet, gjithçka, kjo është e vërteta por partia do ta krijojë atë. Mbi bazën e hetimit mendoj unë të dënueshëm ka marrë Rama me mbylljen e dosjeve. Unë e kam quajtur Bashën peng para jush, demokratët që mbështetën Berishën duhet të ndihen krenar se bën një veprim historik.’- tha Berisha.  

Ora 12:20
Sulmet kibernetike të Iranit, Berisha: Akt zuzar! Rama e nisi lojën kriminale! SHBA dhe NATO të ndihmojnë Shqipërinë

 

Sulmet kibernetike iraniane në Shqipëri, skandali i publikimit të të dhënave personale ishin kryefjala e konferencës të përjavshme për shtyp të Sali Berishës. Ish kryeministri i cilëson sulmet si akt zuzar ndërsa edhe në këtë rast gjen fajtor Edi Ramën. Sipas Berishës, loja kriminale nisi prej kryeministrit me publikimin e të dhënave të qytetarëve.

Një thirrje e kishte dhe për SHBA e NATO, duke i kërkuar që të ndërhyjnë në mënyrë emergjente për të ndihmuar Shqipërinë në përballjen me sulmet kibernetike.

“Regjimi iranian ka sulmuar dhe e vërteta është ka davastuar sisteme digjitale të vendit, çmimin e madh për të cilin e paguajnë shqiptarët në shërbime, në sigurinë e tyre dhe jo vetëm shqiptarët. Sulmi që filloi me portalin e-albania kaloi në sistemin TIMS më vonë me mesk dhe adams pa asnjë lidhje me portalin e-albania dhe dje është shtrirë në sistemin e gjendjes civile.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet që përfaqësojnë një dhunim të sovranitetit të vendit, një aggresion në një infrastrukturë me rëndësi kritike për shërbimet dhe sigurinë e cdo vendi. Duke theksuar këtë, dënoj pa hezitim qëndrimin e papërgjegjshëm, plotësisht të papërgjegjshëm të qeverisë së Edi Ramës, i cili filloi zyrtarisht lojën kriminale në sistemet dixhitale të vendit duke nxjerrë për patronazhistët të dhënat personale, duke nxjerrë target në një mbështetje për krimin, duke nxjerrë rrogat në goditje për biznesin, duke nxjerrë telefonat, kartat e ID e kështu me radhë. Shtoj se për të gjitha këto akte të shtrira në vite, në Shqipëri nuk ka asnjë të dënuar, asnjë të dënuar apo të burgosur.

Dënoj tenderat korruptiv të ndërtimit dhe mbrojtjes së këtyre sistemeve. Përpjekje për të shkatërruar sistemet në Kosovë kanë qenë të mëdha, por mbrojtja e tyre ka qenë e shkëlqyer. I bëj thirrje NATO-s, SHBA me specialist të fushave të ndryshme të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer aggression. Partnerët tanë të bëjnë ndërhyrje emergjente se Irani nuk do të mund ta fitojë këtë betejë”, tha Berisha.