Partia Demokratike e opozitës ankimoi sot në Gjykatë Kushtetuese ligjin "për ndarjen administrativo-territoriale", i miratuar nga Kuvendi më 31 korrik.
Sipas deputetit demokrat, Oerd Bylykbashi, i cili dorëzoi në Kushtetuese kërkesën, ligji shkel rëndë Kushtetutën në disa nene të saj, duke nisur që me procedurat e ndjekura për miratimin e tij.

"Dorëzuam kërkesën për të rrëzuar si antikushtetues ligjin e ri 'për ndarjen territoriale', ndërkohë kemi kërkuar edhe pezullimin e këtij ligji.

Është një nga përpjekjet më të papranueshme në shkelje të Kushtetutës në shumë aspekte, jo vetëm një shkeljen e marrëveshjeve politike. Është shkelje e Kushtetutës qoftë në aspektin procedurial, duke shkelur çdo rregull, qoftë në aspektin e shkeljes së një sërë të drejtash që përcakton Kushtetuta", tha Bylykbashi.
Sipas opozitës ligji ka një qëllim të vetëm, që është kapja dhe fitorja në tavolinë e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

"Jemi përpara një ligji të miratuar nga mazhoranca me një nxitim të jashtëzakonshëm dhe një shkelje që ka një synim të vetëm; kapjen dhe fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Me këtë hartë kjo mazhorancë do të kërkojë që të mos bëjë asgjë më pak, asgjë më shumë, por të konsolidojë oligarkinë Rama-Meta që po kërkon të krijojë oligarkët lokalë", nënvizoi deputeti demokrat.

I pyetur nëse Gjykata Kushtetuese do të lërë në fuqi ligjin e miratuar në fund të sesionit kuvendor, cili do të ishte qëndrimi i opozitës në zgjedhjet e ardhshme vendore, Bylykbashi u përgjigj se 'me këtë hartë nuk mund të ketë zgjedhje'

ATSH