Shqipëria radhitet e fundit në një raport të Agjencisë Europiane të Mjedisit, për cilësinë e ujërave larës.
Sipas raportit, gati 19% e plazheve, liqeneve e lumenjve, janë me cilësi të shkëlqyer, 38% me cilësi të mirë, 23% mjaftueshëm, dhe po aq, 23% me cilësi të dobët.
Sipas PD-së, kjo situatë vjen prej mungesës së investimeve nga qeveria dhe pushteti lokal.
Deklarata e deputetes Ina Zhupa
Raporti i fundit i bërë nga Agjencia Europiane e Mjedisit dhe Komisioni Europian për cilësinë e ujërave larës, e kanë nxjerrë Shqipërinë në fund të këtij raporti. Është një alarm për cilësinë e ujrave tonë, të liqeneve, lumenjve dhe të deteve dhe është një rrezik për jetën e qytetarëve, për shëndetin e qytetarëve por edhe turistëve që zgjedhin Shqipërinë.
Kjo tregon qartësisht pushteti lokal dhe pushteti qendror nuk kanë investuar në atë që duhet të ishte pastërtia e ujërave larës. Bashkitë më problematike sipas raportit është pikërisht Bashkia e Sarandës ku ne ndodhemi, Bashkia e Vlorës, Bashkia e Durrësit dhe Bashkia e Pogradecit. Siç duket nuk e kanë prioritet që të kujdesen për mjedisin, por kanë prioritet të ndërtojnë në zonat pranë liqeneve, deteve dhe lumenjve.
Të mos kujdesen se ku do të hidhen këto inerte, ku shkojnë ujërat e zeza apo t`i pastrojnë këto burime ujore. Ndërkohë anatemojnë gjithë ditën protestën që po dëmton turizmin por në fakt vetëm po i jep fytyrë më demokratike Shqipërisë.
Ndërkohë ato që e dëmtojnë realisht turizmin janë investimet e munguara dhe angazhimi i munguar i qeverisë edhe i pushtetit lokal, e dëmtojnë këto raporte që e nxjerrin Shqipërinë në fundin e shteteve europiane, në fakt aty ku nuk e meriton sepse nga natyra duhet të ishte në krye të cilësisë së ujërave larës. Ndaj përpara se të flasim për turizëm cilësor do të duhet të investojmë në turizëm cilësor, gjë që qeveria shqiptare nuk e ka bërë dhe nuk po e bënë.
Komente








