Pasi kundërshtuan për shumë gjatë propozimin e socialistëve për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 45, si i njëanshëm dhe i kalkuluar elektoralisht pa marrë parasysh konsultimet me qytetarët, edhe Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht draftin e saj për reformën territoriale në Kuvend, me propozimin për 100 bashki.
Projektligji i depozituar më firmën e kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit, sipas demokratëve synon bashki funksionale, me më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe zhvillim.
“Ne nuk propozojmë më shumë bashki për të krijuar më shumë poste. Propozojmë bashki funksionale aty ku ato janë të nevojshme për të krijuar: më shumë afërsi, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe më shumë zhvillim.”
Depozitimi i nismës së saj në Kuvend, vjen në një kohë kur në komisionet parlamentare ka nisur diskutimi i propozimit të socialistëve që ul me 15 njësi vendore numrin e bashkive, e që pritet të votohet në seancën plenare të 8 tetorit.
Palët nuk arritën dot të prodhonin një reformë konsensuale territoriale edhe pse u ngrit një komision parlamentar i dedikuar për të ku u punua për disa muaj, por nuk u gjet dakordësia. Edhe ndërkombëtarët kanë bërë vazhdimisht thirrje që reformat e rëndësishme të kalojnë me konsensus.
Njoftimi i PD:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot zyrtarisht draft ligjin për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë. Pas përfundimit të një procesi të gjerë konsultimesh në të gjitha qarqet dhe marrjen e mendimit të qytetarëve, Grupi Parlamentar i PD ka propozuar që vendi të ketë 100 bashki dhe 12 qarqe.
Versioni i Grupit Parlamentar të PD shpjegohet me një relacion të argumentuar prej 168 faqesh, ku janë marrë në analizë të gjitha kriteret ligjore për ndarjen administrativo-territoriale.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk e konsideron Reformën Administrativo-Territoriale një betejë për numrin e bashkive. Çështja themelore është modeli i pushtetit vendor që Shqipëria dëshiron të ndërtojë. Ne nuk propozojmë më shumë bashki për të krijuar më shumë poste. Propozojmë bashki funksionale aty ku ato janë të nevojshme për të krijuar: më shumë afërsi, më shumë demokraci, më shumë përgjegjshmëri, më shumë shërbime, më shumë autonomi dhe më shumë zhvillim.
Nuk propozojmë 12 Qarqet për të krijuar një nivel burokracie. Propozojmë struktura që të krijojnë: zhvillim, koordinim, investime dhe mundësi të reja për territorin. Mbi të gjitha, nuk propozojmë një hartë që i shërben administrimit të pushtetit. Propozojmë një hartë që i shërben qytetarit, komunitetit dhe zhvillimit të territorit.
Mbi bazën e analizës teknike të ekspertëve, vlerësimit të përvojës së Reformës Administrativo-Territoriale 2014, konsultimit me qytetarët, dhe nevojës për një model të ri të qeverisjes vendore, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon: 100 BASHKI + 12 QARQET të mbështetura nga: Decentralizim Real; Autonomi Financiare; Kompetenca të Qarta; Përgjegjësi dhe Llogaridhënie; Demokraci Lokale; dhe Zhvillim të Balancuar Territorial.
Bashkëlidhur do të gjeni draftligjin dhe relacionin shoqërues të tij.

Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë









Komente
Komento