PD denoncoi se Ergys Agasi është aksioner i klubit të futbollit “Dinamo City” krijuar në 2021-shin për financimin e ndërtimit të akademisë “Durrah City”, për nxjerrjen e talenteve në bashkëpunim me Manchester City-n. PD thotë se Agasi u bë ortak pak para se të fitonte tenderin 10 mln euro.
Zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në PD, Genta Vangjeli, tha se kjo Akademi po ndërtohet në Spitallë, në të njëjtin territor, ku duhej të ishte “Eco Park”, projekt për të cilin PD ka dorëzuar kallëzim në SPAK.
Deklarata e plotë e PD
Të nderuar qytetarë, sot do t’ju prezantojmë një tjetër projekt ku lidhet emri i Edi Ramës, Ergys Agasit, investitorëve arab të portit të Durrësit, dhe Spitallës, zona e Eco Parkut të famshëm.
Në datën 26 prill 2023 është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit midis Manchester City Football Club ltd (MCFC), Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Durrësit, nëpërmjet së cilës do të krijohej një partneritet futbolli, një shkollë futbolli për lojtarët dhe një Akademi Elitë.
Madje në qershor të vitit 2023 është përgatitur edhe projekt-ideja arkitekturore e kampusit të akademisë së fondacionit ‘Dyrrah City Football Academy’ nga studio ‘Marco Casamonti and Partners’.
Një muaj më vonë më 28 korrik 2023 është miratuar urdhri i MAS nr. 422, për krijimin e fondacionit me emërtimin ‘Dyrrah City Football Academy’, me qëllimin kryesor çeljen dhe menaxhimin e një akademie elitare të futbollit në qytetin e Durrësit.
Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 580, datë 11 tetor 2023, Edi Rama vendos që pronat shtetërore me sipërfaqe totale mbi 200 mijë m2 në zonën kadastrale nr. 8517, Bashkia Durrës, në Spitallë, të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës.
KUJDES!
Kjo është pikërisht e njëjta zonë kadastrale 8517, ku ndodhet edhe Eco Park-u famëkeq, aty ku u shpenzuan 19 milionë euro për mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve – një çështje nën hetim por pa asnjë vendimmarrje konkrete.
Më 29 tetor 2023, janë nënshkruar edhe dy marrëveshje konsulence për infrastrukturën, menaxhimin dhe programet futbollistike, me afat deri më 30 Qershor 2028, ndërmjet fondacionit, Durrës Marina, City Football Services Limited dhe Manchester City Football Club Limited.
Më 2 shkurt 2024, fondacioni shpall ftesën për propozim për zgjedhjen e klubit që do të financojë ndërtimin e kompleksit, me vlerë 10 milionë euro, me afat ndërtimi 24 muaj. Në këmbim, klubi fitues do të përfitonte të drejta mbi lojtarët e akademisë për 120 muaj.
Dy muaj më pas, më 24 prill 2024, fondacioni shpall fitues propozimin e vetëm të paraqitur, nga ‘Futboll Club Dinamo City’ sh.a., një klub i krijuar në vitin 2021.
Çuditërisht, pak ditë para shpalljes së fituesit, në dokumente shfaqet Ergys Agasi i cili bëhet pjesë e pronësisë së këtij klubi.
Ekzakt më 31 mars 2024, Agasi blen 30% të aksioneve kundrejt vlerës 220 mijë euro.
Komente












