U festua sot 34-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, ku morën pjesë drejtues dhe aleatë të saj.
Të pranishmit kujtuan vitin 1990 kur lindi partia e parë opozitare pas regjimit komunist, në një sistem të ri pluralist dhe tranzicionin politik. Mes tyre ishin edhe aleatët më të ngushtë, krerët aktualë të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Petrit Vasili, por edhe ish-drejtues të saj si Neritan Ceka.
Para të pranishmëve mbajti fjalim edhe kryetari i partisë Sali Berisha, nën akuzë për dosjen “Partizani” nga SPAK. Ish-kryeministri i thuri lavde aleatit të tij Ilir Meta që ndodhet i arrestuar, Ervin Salianjit i burgosur dhe madje dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, që sipas tij po përballen me ‘regjimin diktatorial’ me sakrificat e tyre.
“Dua të përshëndes aleatin tonë, presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deputetin Ervin Salianji, kreun e departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezin, për sakrificën në burgjet dhe persekutimin e regjimit të diktaturës”, tha Berisha ndër të tjera.
Ai kujtoi edhe elitën e PD-së që nuk jeton më, e që dikur sa ishin gjallë luftonin politikisht me të apo i kishte kundërshtarë. Berisha përmendi emrat e tyre duke u kujtuar cilësitë dhe që do shërbejnë si frymëzim për të fituar mandatin e tretë të PD-së në 34 vite, pas zgjedhjeve të 11 Majit 2024.
“Kujtojmë sot tribunin e lirisë, prijësin e pavdekshëm Azem Hajdari, që na kujton emocionet e themelimit të PD-së, kur kujton shembjen e kultit më te keq, kultit të Enver Hoxhës, hitlerit shqiptar. Kur kujton ata që nuk janë sot mes nesh, kujton Mandelën e Shqipërisë, Pjetër Arbnori, qendrestarin Ali Spahia, intelektualin e shquar Gramoz Pashko, mençurinë e Sokol Olldashit, mirësinë e Bujar Nishanit dhe virtytet e Gerti Bogdanit”, u shpreh ish-kryeministri, i cili pas një viti izolim në banesë nga GJKKO, ka nisur edhe fushatën elektorale.
Moment nga festa e 34-vjetorit të PD
Partia Demokratike, kujtoi 11 dhjetorin e 1990 kur 34 vite më parë u krijua forca e parë opozitare. Në ceremoni u nda edhe një mesazh i ish-deputetit Ervin Salianji, i cili ndodhet në burg.
“Jeni ju demokratët e palodhur që i jepni shpirt kësaj partie. Do doja të isha sot aty me ju. Fatkeqësisht Shqipëria sot është larg asaj që mendohej kur PD u krijua, e nesërmja për ne demokratët është sërish betejë, sepse shqiptarët çdo ditë e me shumë marrin rrugët për shkak të keqqeverisjes. Zgjedhjet po vijnë, do jemi bashkë për të festuar triumfin e së mirë mbi të keqen, asgjë nuk i ndal demokratët”, tha Salianji.
Nga arresti shtëpiak për aferën Partizani, një fjalim mbajti edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi. Përmes një videomesazhi ai sulmoi SPAK.
“Rama urdhëroi SPAK për ndjekjen penale të Berishës. Prokurorët politikë brenda tre javësh nisën hetime 30-vjeçare ndaj Berishës”, tha Malltezi.
Mesazhi i Ervin Salianjit
Demokrate e demokratë,
Miq, shokë,
Bashkëpunëtorë e kolegë,
I nderuar z. Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Dua t’ju përshëndes sot nga zemra çdo demokrat, të reja e të rinj, gra e burra në të gjithë Shqipërinë, me të cilët kemi vite që luftojmë e bëjmë beteja.
Jeni Ju demokratët e palodhur që i keni dhënë dhe i jepni shpirt kësaj partie, kësaj force politike.
Do doja të isha sot aty me ju, e qoftë dhe për disa orë t’i gëzoheshim bashkë rrugës që demokratët ndërtuan për shqiptarët. Fatkeqësisht Shqipëria sot është larg asaj që mendohej kur Partia Demokratike u krijua. E duke e ditur këtë e nesërmja për ne demokratët është sërish betejë ku duhet të zotërojmë rrugët, në qëndresë, rezistencë e protest pikërisht sepse shqiptarët fatkeqësisht çdo ditë e më shumë marrin rrugët për shkak të keq qeverisjes.
Nga ku unë jam, është vështirë të veprosh, por bëhet shumë e qartë se çfarë duhet të mendosh e ndërtosh.
Është kaq e qartë që goditjet presionet, represionet janë reflektimi i zi i gropës ku janë zhytur mes vetes socialistët e pushtetit e ku me këto forma e metoda të represionit kërkojnë të mbajnë pushtetin me forcë e me dhunë pasi nuk kanë asgjë që ti ofrojnë qytetarëve. Pasi bënë pakt me djallin dhe e shitën Shqipërinë në krim e korrupsion, sot përpëliten në frikë e në mjerim.
Është e qartë çdo çast që shqiptarët edhe kur na gjykojnë edhe kur na kritikojnë e bëjnë nën ankthin që presin që në të veprojmë. Të jemi më shumë , më të fortë sepse nga ne varet jeta e të gjithëve. Mos presim mbështetje nga ata që forcë nuk kanë, as mirëkuptim nga ata që fuqitë I kanë lënë.
Është e qartë që Ata na presin, që qytetarët na presin e NE boll kemi pritur! Sepse sot më shumë se kurrë jemi politikisht më të rritur, më të fortë, më të bashkuar!
Kur e kam nisur rrugëtimin tim në këtë forcë politike që ne gjimnaz me angazhimet që një I rim und të ketë nuk e kam menduar që sot në fund të vitit 2024 do ju përshëndesja nga një kabinë telefonike e burgut të Fierit ku po mbahem I dënuar për shkak të një denoncimitë një conference për shtyp, të një dëshmie e fajtuar, e provuar si e vërtetë ç’ka solli Brenda disa orësh dorëzimin e një trafikanti ndërkombëtar droge të lidhur me qeverinë në burgun e Italisë. Kjo nuk flet vetëm për mua por për ditët e vështira në të cilat Shqipëria po kalon dhe kur ka Shqipëria ditë të këqija kur kjo ndodh janë gjithnjë demokratët që duhet të gjejnë zgjidhjen, janë gjithnjë demokratët, që duhet të japin shpëtimin.
Dua të nxis sot të gjithë miqtë e mi, të angazhohen më shumë se asnjëherë më parë, për ta sjellë ndryshimin që i duhet vendit. Çdo minutë, çdo orë me pasion e përkushtim. Zgjedhjet po vijnë. Ne do të jemi bashkë për ta festuar triumfin e të mirës mbi të keqen. Asgjë nuk i ndal demokratët.
Zoti i bekoftë demokratët! Zoti e bekoftë Shqipërinë!