Përveçse sulm ndaj drejtësisë, opozita e sheh qëndrimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e Belinda Ballukut edhe si dëmtim të procesit të integrimit.

"Ky qëndrim do të provokojë zhbërjën e plotë të procesit të integrimit me Shqipërinë. Asnjë votë nuk do të ketë", tha Berisha.

Me urgjencë reagoi edhe kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, i cili thotë se Rama kërkon të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale sepse drejtësia po prek pushtetin e tij. Deklaratat e kryeministrit se tashmë nuk ka nxitim për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë, i quajti manovër politike.

“Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten. Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin. Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”, tha Bardhi.

Debatet përfshinë edhe komisionet parlamentare, ku deputetja demokrate Ina Zhupa kërkoi dorëzimin e imunitetit të Ballukut, deklaratë që hasi kundërshtinë e socialistëve.

"Vetë e keni lënë me 8 anëtarë se s’erdhi nga qielli. Imuniteti të ishte dorëzuar si ta pezullonte apo jo Kushtetuesja. Kjo është rruga, të mos pengosh drejtësinë", tha Ina Zhupa.

"E keni kthyer komisionin si foltore. Reforma është bërë falë PS-së, dhe është lideri juaj që shkon çdo ditë të hëne para SPAK e nuk lë gjë pa thënë dhe sot na dilni sikur mbroni drejtësinë. PS ka pritur vendimin e Kushtetueses, do të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve, ka një afat prej tre muajsh", tha Arkend Balla.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:15
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut/ Zhupa: Keni bllokuar Këshillin e Mandateve me vetëdije të plotë, prisni urdhrat e Ramës e s’pyesni për rregullore

1770470608_inazhupa.jpg

Deputetja e PD, Ina Zhupa thotë se kryeministri Edi Rama po pengon punimet e Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Zhupa thotë se pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Mandateve duhet të ishte mbledhur pa asnjë vonesë. Deputetja thotë se kjo nuk ndodh pasi nëpërmjet Belindës, Rama mbron dhe veten e tij.

“Kuvendi është kthyer me urdhër politik në kundërshtues të drejtësisë, në mburojë politike për anëtarët e qeverisë për të mos u hetuar, për të mos u arrestuar. Një Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht kur bllokon proceset ligjore të detyruara nga rregullorja. E keni bllokuar me vetëdije të plotë. Thatë do presim Gjykatën Kushtetuese, tashmë gjykata e pezulloi, ju vazhdoni dhe nuk e keni futur në rend dite. Këshilli duhet të ishte mbledhur sot, pa asnjë vonesë. Kurse ju prisni urdhrin e Ramës dhe nuk shikoni as rregullore, as Kushtetutë. Ju bllokoni drejtësinë, atë drejtësi që jeni përbetuar se nuk do ta ndaloni. Bledi Çuçi, si kryetar grupi kur ka qenë, është përbetuar se çdo kërkesë për imunitet do të ketë miratimin e padiskutueshëm të PS. Po kësaj radhe nuk mundeni, sepse e dini që ndodh efekti domino: po ra Belinda, bie Edi. Po e tërhiqni zvarrë sepse e dini që është fundi i mazhorancës”, tha Zhupa.

Ora 13:06
'Balluku'/ Rama paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion, Bardhi: Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit, qeveria dhe Kuvendi kundër drejtësisë

1770639674_bardhi.jpg

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi

Kreu i Grupit të PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, ndërhyrja që Rama pretendon të bëjë në legjislacion, lidhur me pezullimin e Ballukut, tregon se ai po mbron pushtetin e korruptuar.

Bardhi deklaroi se rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit dhe shtoi se qeveria dhe Kuvendi janë bërë bashkë kundër drejtësisë.

Reagimi i Gazment Bardhit

3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:

1. Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.

2. Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.

3. Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.

Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.

Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.

Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.

Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.