Prefekti i Fierit nuk legjitimohet për rishikimin e akteve individuale, por akteve normative të njësive vendore dhe nga dokumentacionet e mbledhjes duket se këshilli i qarkut është zgjedhur në procedura të vlefshme dhe Prefektit nuk i lejohet ligjërisht të ndërhyjë për këtë"- u shpreh Thimio Kondi, ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Në mbrojtje të prefekturës Fier ishte përfaqësuesi ligjor i saj, Periant Teta, i cili e mbrojti vendimin e gjykatës së shkallës së parë Fier si të ligjshëm dhe të bazuar në aktet administrative, por në fund të seancës ai u tërhoq nga padia. Në përfundim të seancës, gjykata e Apelit të Vlorës, drejtuar nga Vasil Hanxhari dhe anëtarë Gjinovefa Gaba dhe Iliaba Vezabi vendosi rrëzimin e vendimit të gjykatës së Fierit.
KRYETARI
Pas vendimit të djeshëm të gjykatës së Apelit të vlorës, Vangjel Ndreko u shpreh se gjykata kishte dhënë drejtësi për një shkelje të rëndë antiligjore të kryer nga prefekti i Fierit. "Këshilli i qarkut dhe institucioni i prefekturës ishin në çështje gjyqësore në Gjykatën e Fierit. Akt-padia ishte ngritur nga prefekti dhe mbledhja nuk duhej bërë nga ana e tij.
Ai kishte thënë se do ta respektonte vendimin e Gjykatës, por mbledhjen do ta bënte"-tha mbrëmë Ndreko në një intervistë për "Shqiptarja.com". I pyetur se çfarë do të thotë ky vendim i Gjykatës së Apelit për të, ai u përgjigj: "Do të thotë se Vangjel Ndreko është kryetar i këshillit të Qarkut. Prefekti u mundua të krijojë struktura paralele në këshillin e qarkut. Ai ka bërë një shkelje të madhe ligjore dhe është për tu ndjekur penalisht". Një ditë para vendimit të Gjykatës së Apelit të Vlorës, anëtarët e këshillit të qarkut, në drejtimin e prefektit të Fierit, Bujar Hasa, bënë rizgjedhjen e kryetarit, ndërsa jashtë vendit ku mbahej mbledhja socialistët u konfliktuan me përfaqësues të shumicës së djathtë, nën praninë e trupave të shumta policore. Deputetë dhe përkrahës të PS-së kundërshtuan mbledhjen e Këshillit të Qarkut për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit të qarkut, duke e quajtur atë të paligjshme. Në fund të mbledhjes Artur Shehu u zgjodh kryetar vetëm me votat e këshilltarëve të "Aleancës për Qytetarin".
Ndreko e komentoi mbledhjen dhe zgjedhjen e ish-rivalit të tij Artur Shehu, si një shkelje të rëndë antiligjore. "Po ai nuk mori anëtarët e këshillit që ishte konstituuar, por mori disa persona të tjerë, që nuk ishin asnjë lloj mandatimi. Ai bëri një fushatë të prishjes së këshillave, në kundërshtim me të gjitha ligjet, hoqi disa anëtarë këshilli të qarkut, që ishin nga "Aleanca për të Ardhmen" dhe me veprime mafioze, nëpërmjet kërcënimit për bukën e gojës".
Sipas Ndrekos mendohet se ai mori 55 vota, duke futur njerëz edhe nga jashtë, ndërsa në votimin e kryer në shtator ai kishte marrë vetëm 42 vota, përballë 53 që kishte marrë Ndreko. "Nuk e di se kë ka futur brenda, por di të them se të gjitha vendimet që janë marrë janë të kundraligjshme. Vendimi i djeshëm i gjykatës së Apelit në Vlorë na dha plotësisht të drejtë, sepse prishi vendimin e gjykatës së Fierit dhe i quajti të paligjshme vendimet e prefektit të Fierit", u shpreh Ndreko, ligjërisht kryetar i këshillit të Qarkut Fier.
(shqiptarja.com)