Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte edhe drejtuesi politik i kësaj partie në Elbasan, ka reaguar pasi demokratët humbën në zgjedhje. Me një shënim në Facebook, Bardhi ndalet edhe te vrasja e Pjerin Xhuvanit që e cilëson si ditën më të vështirë në jetën e tij, ndërsa akuzon PS-në për nxitje dhune. Pjerin Xhuvani u vra nga shoqëruesi i Gazment Bardhit, Arbër Palekaj.

"Për fat të keq, nga nxitja e Partisë Socialiste për dhunë, në këtë rrugëtim pati edhe ngjarje shumë të rënda. Si drejtues i fushatës së Partisë Demokratike në Elbasan, 21 Prilli ka qenë dita më e vështirë e jetës time. Humbja e jetës së një prindi dhe plagosja e 4 qytetarëve të tjerë, është një ngjarje që më ka tronditur thellë, pavarësisht rrethanave sesi ka ndodhur dhe përgjegjësi e kujt ishte. Çdo njëri prej nesh, përpara se të jetë politikan, është njeri, dhe tek unë qënia njeri është shumë herë më e fortë sesa roli si politikan. Zgjodha të mos i përgjigjem asnjë prej provokimeve dhe akuzave monstruoze të të vetmit përgjegjës për ngjarjen, Taulant Ballës, që edhe një ngjarje të rëndë, ku ka humbje jete dhe plagosje të qytetarëve, kërkonte ta përdorte për të përfituar politikish. Ky lloj politikanësh, nuk ka në fokus njerëzit, por vetëm veten dhe përfitimet personale. Janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të ruajtur pushtetin e paligjshëm", shkruan Bardhi.

Po ashtu ai hedh akuza ndaj PS për blerje votash dhe shantazh.

"I jam mirënjohës nga zemra atyre që na besuan. Mirënjohje pa kufi për të rinjtë e të rejat, për ekipin, për strukturat e PD, për demokratët që luftuan e rezistuan deri në fund, në një terren ku manipulimi, blerja e votës dhe kërcënimi ishin në maksimumin e vet. Jam i bindur që Elbasani e ka forcën për ta nxjerrë të keqen nga vetja, dhe nuk do të nënshtrohet megjithë makinerinë e mbrapshtë që përdoret për pushtet e interesa personale. Unë e kolegët e mi do të jemi në krah të këtij qyteti e në krah të qytetarëve, në çdo rrethanë dhe në çdo moment, për ti kthyer besimin që na është dhënë", thotë Bardhi.

Kujtojmë se vrasja e Pjerin Xhuvanit zbuloi edhe skandalin se PD kishte ngritur një grup të armatosur për mbrojtjen e votës në 25 prill, "Struktura për Mbrojtjen e Votës" (SMV). Lajmi u  bë publik me zë dhe me figurë nga vetë Bardhi që po ashtu bëri me dije se Arbër Paplekaj, që vrau Xhuvanin te paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.