PD i ra vlera monetare me daljen
në opozitë, PS hyri në borxhe

PD i ra vlera monetare me daljen<br />në opozitë, PS hyri në borxhe
TIRANE - Viti që lamë pas ka qenë i vështirë për Partinë Socialiste nga ana financiare, ndonëse nga ana politike i siguroi ardhjen në pushtet. Partia qeverisëse në pushtet është në borxh me bankat. Raporti vjetor financiar është depozituar nga kryefinancieri i Partisë Socialiste, Gent Gazheli,  në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku rezulton se gjendja e saj financiare në fund të vitit është  me minus 8.8 milionë lekë, pasi ka marrë Over Draft në bankë në vlerën (10.000.000 lekë) si dhe me 5 milionë fatura telefoni dhe kancelari të papaguara.
Pra, në total rreth 13.8 milionë. Financimi nga  buxheti i  shtetit përbën rreth 60%  të të ardhurave,  ndërkohë që  donacionet zënë 27%, kuotat e deputetëve dhe të tjerë 5.3%  dhe të tjerat 7.7%. Në fillim të vitit  2013 gjendja e saj financiare ka qenë 1.169.645 lekë. Për këtë qëllim, Partia Socialiste kërkon me ngulm prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shpërndajë fondet e buxhetit të shtetit të parashikuara për vitin 2014, pasi sipas saj, situata financiare tregohet edhe nga raporti.  PS ka përfshirë në raport edhe shpenzimet dhe donacionet për fushatën zgjedhore.
 
TE ARDHURAT
Të ardhurat gjatë vitit që lamë pas për Partinë Socialiste kanë qenë në vlerën 166.512.151 lekë. Pjesa më e madhe e financimit është mbuluar nga buxheti i shtetit në vlerën rreth 72.8 milionë lekë, ndërsa financimi për fushatën e 23 qershorit ka qenë në vlerën 26 milionë. 10 milionë lekë janë tërhequr nga ky subjekt nga banka në formë Over Drafti. Qiraja nga ambientet e kësaj force politike kanë qenë rreth 4.2 milionë. Nga tabela e pasqyrimit të financimit të Partisë Socialiste rezulton se deputetët e PS-së kanë kontribuar në vitin që mbyllëm vetëm 8.9 milionë lekë, ndërsa 44.5 milionë lekë kanë qenë donacione nga individë të ndryshëm ose subjekte private.
Nga donacionet, pjesa dërrmuese e saj, ose rreth 43.5 milionë është përdorur për fushatë në zgjedhjet e përgjithshme që e sollën këtë forcë në pushtet, ndërsa rreth 1.8 milionë për karburant  për fushatën përmes kuponave. Gjatë vitit 2013 , për PS-në kanë dhënë donacione  me shuma 500 mijë lekë  vetëm dy persona. Për donatorët e fushatës së 23 Qershorit është raportuar nga auditi në KQZ sipas listës së dhurimeve. Në raport sqarohet se të gjithë dhuruesit kanë nënshkruar deklaratën  e  mospasjes  konflikt  interesi  në përputhje me nenin 89 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008  të “Kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. Në të gjitha rastet dhuruesit kanë respektuar kërkesën ligjore sipas së cilës dhurimi nuk mund te jetë më shumë se 1.000.000 lekë për çdo rast, ndërsa thekson se nuk ka pasur sponsorizime në para nga persona juridikë vendas apo të huaj.
 
SHPENZIMET
Shpenzime e përditshme për stafin apo personelin që punon për Partinë Socialiste në vit shkon në 35.9 milionë lekë, ndërsa 1.3 janë për energjinë elektrike. Shpenzimet për celularë shkojnë në 3 milionë lekë. Si forca më e madhe në vend dhe me aktivitete të shumta, rreth 12 milionë kanë shkuar për hotele, dieta dhe udhëtime. Fushata për zgjedhjet ka shkuar në 187 milionë lekë, ndërsa sallat e marra me qira 2.9 milionë lekë. Vetëm për fushatë, pagesa ndaj kompanive celulare ka qenë 2 milionë lekë, ndërsa shpenzime të tjera kanë arritur në vlerën e 28 milionëve.
Për të gjitha shpenzimet, vetëm 5.6% janë likujduar nëpërmjet arkës dhe janë të dokumentuara me fatura tatimore dhe kuponin e kasë.  Ndërsa 94.4% e shpenzimeve janë  likujduar  me bankë me dokumentacion të rregullt tatimor. Siç shihet, shpenzimet janë  të pa paguara  në vlerën 123.008.270 lekë. Nga materiali i auditit të fushatës i cili është pranë KQZ  rezulton se 107.105.373 lekë janë të pa paguara. Pra përveç 10 milionëve që është marrë overdraft në bankë, PS ka të pa paguara edhe 5.9 milionë lekë shpenzime telefonike dhe kancelari.
 
PS SHTOHET ME 3 MIJE ANETARE TE RINJ
Ndryshe nga situata financiare, PS shfaqet në rritje sa i përket numrit të anëtarëve. Partia Socialiste figuron që të ketë deri në 31 dhjetor 105.160 anëtarë të regjistruar. Në të gjithë vendin janë të ngritura 4920 organizata, ndërsa asamble të bashkive dhe të komunave 385. Krahasuar me një vit më parë, anëtarësia e socialistëve është shtuar me rreth 3 mijë anëtarë. Në vitin 2012, që nuk përkonte me një vit zgjedhor, anëtarësia ka qenë 102 155 anëtarë. Por edhe numri i organizatave të kësaj force është rritur gjatë 2013-s, kjo e lidhur ngushtë edhe me  zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ku përgjithësisht forcat politike ristrukturohen dhe vënë në punë të gjithë makinerinë e tyre. Në vitin 2012 kanë qenë 4856 organizata. Pra , janë shtuar rreth 64 organizata më shumë.
 
Raporti: NË OPOZITË, PD-së I BIE VLERA MONETARE
Krahasuar me një vit më parë , vlera e Partisë Demokratike kushton 106 milionë lekë më pak. PD e justifikon me ndryshimin e godinës, edhe pse sipërfaqja e saj është më e madhe.
 
Viti 2013 ka qenë edhe viti i mbrapshtë për Partinë Demokratike. Jo vetëm që humbi pushtetin duke kaluar pas 8 vitesh në opozitë, por ka pësuar një rënie drastike edhe në vlerën e saj monetare. Më raportin e përgatitur nga i ngarkuari i Kryesisë së PD-së, Keltis Kruja, rezulton se pasuria  në fund vitit është  127.008.712 lekë. Kjo është një përgjysmim i vlerës, nëse do ta krahasojmë me vitin 2012, kur PD ishte në pushtet. Në 2012-n rezultonte se pasuria e saj ishte 233.5  miliardë lekë. Në argumentin e paraqitur nga PD-ja për këtë rënie drastike të vlerës së saj, vlera e re është si rezultat i dorëzimit të ish- godinës së PD-së, sipas VKM-së nr. 651, dt.16/8/013 , “Për kalimin në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme,të pasurisë të paluajtshme “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë” me qëllim pajisjen e Subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë me ndërtesë për seli qendrore. Por , ajo që ngre pikëpyetje të shumta është vlerësimi që PD i ka bërë vlerës së godinave. Ndërtesën e vjetër të saj, PD e vlerëson me 168.7 milionë lekë, ndërsa çuditërisht,  ndërtesën e re të SHQUP-it e vlerëson me 29 milionë lekë. Duhet thekuar se sipërfaqja  e ndërtesës së re është shumëfish më e madhe se sipërfaqja e godinës së vjetër. Në raportet e depozituara në KQZ, ndryshe nga raporti i PS-së që ka përfshirë edhe financimet e fushatës në zgjedhje, PD ka paraqitur vetëm  veprimtarinë e saj financiare  vjetore.
 
TE ARDHURAT
Të ardhurat e PD-së kanë qenë më të larta krahasuar me një vit më parë. Nga 65 milionë lekë , të ardhura  kanë arritur në 94 milionë lekë. Pjesa më e madhe është financim nga buxheti i shtetit. Duke qenë forcë e parë politike, vjet PD siguroi pjesën më të madhe të “tortës”, të ndarë nga KQZ.  Buxheti  saj krahasuar me vitin 2012 do të rritej me 30 milionë lekë. Edhe deputetët do të tregoheshin më dorëlëshuar nga PD për vitin që lamë pas duke paguar rreth 4.2 milionë lekë. Të ardhurat e anëtarësisë, sikurse të gjitha subjektet e tjetra politike, zënë një vlerë tepër modeste. Kuotat e anëtarësisë për PD-së, zënë vetëm 1.5 milionë lekë.
 
SHPENZIMET
Në total shpenzimet e Partisë Demokratike të realizuara gjatë vitit 2013 janë 61.395.663 lekë. Në vitin që mbyllëm, demokratët janë treguar më të kursyer me shpenzimet  duke i ulur ato me 4 milionë lekë. Pagat dhe sigurimet shoqërore kanë qenë me 13 milionë lekë, ndërsa blerjet e ndryshme arrijnë në vlerën 38 milionë lekë. Sipas tabelës së shpenzimeve të depozituara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se PD ka bërë investime të rëndësishme në  blerjen e mobiljeve të reje. Me kalimin në godinë e re te ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, demokratët janë detyruar që të shpenzojnë 11 milionë lekë për mobilim dhe orendi të zyrave.  Duke qenë një vit elektoral, një tjetër  përqendrim i shpenzimeve të demokratëve kanë qenë edhe mjetet motorike për të cilat kanë  shpenzuar jo pak, por 15.7 milionë lekë.
 
Marrë nga gazeta Shekulli
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS