TIRANE - Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për mediet ka dënuar injorimin që kryeministri Rama i bëri Erisa Zykajt duke thënë se këto sjellje të Ramës dëmtojnë imazhin e vendit dhe janë të përsëritura kundër lirisë së shprehjes.

Reagimi i PD ka ardhur pas incidentit të ndodhur pak ditë më parë kur kryeministri Rama refuzoi ti përgjigjej gazetares shqiptare në Bruksel Erisa Zykaj.
 
Më poshtë deklarata e plotë e PD
 
Kryeministri i vendit vizitoi së fundi Brukselin dhe i vetmi lajm që krijoi nga qendra e Evropës ishte fyerja e gazetares shqiptare Erisa Zyka.

Edi Rama manifestoi arrogancë dhe ofendoi korrespondenten e njohur pikërisht në zemrën e Evropës së vlerave, aty ku liria e shprehjes dhe komunikimi kanë strehën e tyre.

Është po ky kryeministër që ofendon e agreson opozitën, Presidentin e vendit, gjyqtarët e drejtuesit e medieve në mënyrë periodike në Tiranë. Ofendimet janë tashmë kostumi i Edi Ramës.

Partia Demokratike dënon këto sjellje të kryeministrit që dëmtojnë imazhin e vendit dhe janë akte të përsëritura kundër lirisë së shprehjes.

Edi Rama nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së tij me qëndrime të tilla antievropiane, por ai është frymëzuesi i dhunës verbale e fizike ndaj mendimit ndryshe, fjalës së lirë e opozitës.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)