Ish-kandidati për kreun e PD-së, Bujar Nallbani dhe analisti (ish-themelues i PD) Fatmir Merkoçi janë ‘përplasur’ në studion e emisionit ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, për qëndrimet e ndryshme që kishin për situatën në PD.

E vetmja pikë ku Merkoçi dhe Nallbani u bashkuan, ishte se PD sot ka problematika të shumta dhe nuk është e aftë për t’u rikthyer në pushtet.

Ndërsa për mënyrën e organizimit të PD-së dhe pjesën organizative, të dy të ftuarit kishin qëndrime të ndryshme. Merkoçi tha se jo vetëm Berisha, por edhe pretendentët e tjerë për postin e PD-së nuk kanë ndonjë vizion për fuqizimin e partisë.

Nga ana tjetër, Nallbani ishte më i ashpër me kupolën drejtuese të PD-së, teksa deklaroi se funksionarët e lartë të kësaj partie, por edhe të LSI-së (sot PL) janë përfshirë në ngjarje të rënda, deri te eliminimet fizike.

Sipas Nallbanit, sot PD ka vdekur dhe gjithçka rrotullohet rreth Sali Berishës dhe 40 deputetëve të tij.

Nallbani: Unë mendoj se PD ka vdekur. Sepse janë katandisur kokoshi një thelë, s’ka ku shkon më keq dhe gjithçka është betonizuar te Saliu me 40 deputetët e tij. Ti Fatmir përfaqëson llumin e PD-së.

Merkoçi: O djali ça përfaqësoj unë?

Nallbani: Mua m’u dha përgjigje si anëtar i PD-së, si po u jepet shumë të tjerëve tani. Edhe Evi Kokalarit.

Merkoçi: Po pse ça ka bërë Kokalari për PD-në? Kur e mori Berisha e vuri në krah?

Nallbani: Po pse mo kush ka bërë, ka bërë Saliu me 40 deputetët e tij? Ti je benjamin i mbrojtjes i asaj partie.

Merkoçi: Partinë e mbroj unë, se është parti që kam themeluar unë, jo ti. I 8 dhjetorit jam unë.

Nallbani: Në bulevard kam qenë unë, jo ti.

Merkoçi: Partia hapet në strukturë, në fraksione. Partitë e majta nuk lejojnë fraksione, të djathtat lejojnë fraksione. Këta në vend të lejojnë fraksionet, merren me përjashtime. Edhe këta që dalin për të kandiduar nuk kanë asnjë lloj vizioni. Prandaj PD ka rrëshqitur në qendër.

Nallbani: Po t’i afrohemi lidershipit të PD dalin goditje pas shpine, dalin njerëz armiq, dalin diku aq të rrezikshëm sa edhe eliminohen. Te PD dhe te LSI gjithmonë ka pasur goditje pas shpine. Eliminime fizike bëhet fjalë. Ku janë këta që kanë vdekur. Për rastin Cez-Dia vdiq një ambasador në Çeki. U vranë 2 bodiguardë që vodhën floririn e Kërrabës. Te Mali me Gropa kanë shkuar disa të tjerë të vrarë që përgojohen përditë. Edhe në 2022 këta u rrahën me leva, me shkopinj në selinë e tyre. Kominist është Berisha, jo Rama.

Merkoçi: Po prandaj shkoi PD në atë pikë. Rama ka vizion për të vjedhur. Më thuaj një zhvillim ti mua. Rrugët e rrëzuara, tunelet e prishura.