PD: Kapurani i LSI 205 mln lekë
debitor! Deputeti: Sulme politike!

PD: Kapurani i LSI 205 mln lekë<br />debitor! Deputeti: Sulme politike!
TIRANE - Partia Demokratike dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pirro Kapurani kanë replikuar sot, në lidhje me akuzat e bëra nga selia blu sipas së cilës në një fabrikë tullash e tjegullash qytetin e Korçës e cila është në pronësi të  vëllezërve të deputetit të LSI, nuk është marrë asnjë masë edhe pse ajo rezulton debitore në shumën e 205 milion lekë.
 
Sipas deputetes së PD, Albana Vokshi në aksionin e OSHEE-së po veprohet me standarde të dyfishta pasi kjo fabrikë nuk preket nga askush për shkak se pronar janë dy vëllezërit e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pirro Kapurani.
 
Por ky i fundit i kontaktuar me telefon nga A1 Report i ka cilësuar akuzat e PD-së si sulm politik. Kjo pasi siç shpjegon ai, firma e vëllezërve të tij ka bërë një kontratë me OSHEE për të likuiduar detyrimet.
 
Nga ana e saj Operatori i Shpërndarjes, në një komunikatë për shtyp, ka sqaruar se kjo fabrikë  është në listën e debitorëve, dhe se i është ndërprerë energjia elektrike që më 29 dhjetor 2014, dhe që prej asaj kohe, energjia elektrike vijon të jetë e shkëputur. 

Por në një reagim tjetër zyrtar, Partia Demokratike e ka cilësuar kriminal deklaratën e OSHEE-së, pasi sipas saj, për 35 mijë lekë debitor, i burgosuri në burgun e Rrogozhinës, u vetëvar, ndërsa për 205 milionë lekë debitor, nuk merret asnjë masë. 

Kapurani për A1 Report: Akuzat e PD, sulm politik
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pirro Kapurani i kontaktuar telefonikisht për A1 Report tha se firma në fjalë është në pronësi të Vëllezërve të tij Vasil dhe Mihallaq Kapurani dhe se akuzat e PD bëhet për të sulmuar politikisht deputetin.

Kapurani sqaroi se firma e vëllezërve të tij ka bërë tashmë një kontratë me OSHEE për të likuiduar detyrimet.

OSHEE: Fabrikës i është ndërprerë energjia elektrike që më 29 dhjetor 2014
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike, ku kjo e fundit shprehej se nuk ka trajtim të barabartë në aksionin e OSHEE, pasi një fabrikë tullash e tjegullash në Korçë ka 205 mln lekë fatura të pashlyera, por ajo nuk preket pasi është në pronësi të dy vëllezërve të deputetit të LSI, Pirro Kapurani.
 
Përmes një komunikate për shtyp, OSHEE hedh poshtë akuzat e PD-së ndërsa sqaron se biznesi së cilës i referohet opozita në akuzën e saj, i është ndërprerë energjia elektrike që më 29 dhjetor 2014, për shkak se është debitore.
 
Po ashtu sipas OSHEE-së edhe gjatë rikontrollit në këtë zonë, në këtë fabrikë vijon të jetë me energji elektrike të ndërprerë.

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike hedh poshtë akuzat e ngritura sot publikisht nga Partia Demokratike përmes deputetes Albana Vokshi. Sa i takon kontratës së një biznesi që i referohet në deklaratë Partia Demokratike, OSHEE deklaron se kjo kontratë ka qenë pjesë e listës së debitorëve kryesore që është dërguar për ndërprerjen e energjisë elektrike. Rajoni i Korçës në bashkëpunim me Drejtorinë e Tensionit të Lartë ka bërë ndërprerjen e klientit nga nënstacioni që në datën 29 dhjetor 2014. Në datën 9 janar, klienti është verifikuar sërish dhe energjia në këtë subjekt vazhdon të jetë e ndërprerë deri në likujdimin e plotë të detyrimeve. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i bën thirrje Partisë Demokratike që ta lërë të rimëkëmbet kompaninë që ajo vet rrënoi për tetë vitet e qeverisjes së saj.” shprehet në komunikatën e saj OSHEE.

Por në një reagim tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Eenergjisë Elektrike, nënvizon se energjia elektrike në fabrikën e tullave dhe tjegullave nuk do të rikthehet pa lidhur kontratën për shlyerjen e debisë, ashtu siç veprohet me të gjithë klientët e tjerë. Ndërsa sa i përket deputetit të LSi-së Kapurani, OSHEE sqaron se ai nuk është debitor dhe as ka qenë ndonjëherë,

“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sqaron sërish opinionin publik dhe përsërit faktin se fabrikës së tullave që përmendi sot PD në akuzën e saj i janë prerë dritat qysh në dhjetor dhe nuk do t’i lidhen deri në nënshkrimin e marrëveshjes me OSHEE - praktikë kjo e rregullt ligjore e kompanisë për të gjithë debitorët. Ndërsa deputeti Piro Kapurani nuk rezulton debitor i OSHEE dhe as rezulton të ketë qenë i tillë më parë. Nëse fabrika në fjalë është e vëllezërve të zotit Kapurani, ndërprerja e dritave njësoj si për gjithë të tjerët tregon se OSHEE ka filluar të shpëtojë nga influenca politike e së shkuarës dhe përpara ligjit janë të gjithë të barabartë!” shprehet OSHEE

PD: Reagimi i OSHEE kriminal, në burg për 35 mijë lekë, pë 205 milion jo!
Partia Demokratike përmes një komunikate zyrtare ka dënuar reagimin e OSHEE-së duke e cilësuar kriminal. Sipas selisë blu, për fabrikën në fjalë edhe pse është debitore 205 milion lekë për energji elektrike të papaguar, nuk merret asnjë masë. Ndërsa kujton rastin e vetëvarjes së Qamil Zelës në burgun e Rrogozhinës, i cili u vetëvar pasi ndodhej në qeli si debitor për 35 mijë lekë.

"Partia Demokratike dënon me forcë reagimin kriminal të OSHEE. Banditët e Edi Ramës çuan Qamil Zelën drejt vdekjes për 35 mijë lekë. Deputetët e Rama-Metës me 205 milionë lekë detyrime asnjë masë. Kjo është fytyra e së keqes që duhet shkulur me rrënjë." thuhet në reagimin e PD

PD: Deputeti i LSI Kapurani 205 mln borxh energjie dhe nuk ndëshkohet

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve