Partia Demokratike i kërkon Kuvendit mocion me debat për situatën e krimit në vend. Në shkresën drejtuar kryetarit Niko Peleshi, PD kërkon sqarime nga qeveria lidhur me masat e ndërmarra për të luftuar këtë fenomen shqetësues. Demokratët, në kërkesë, i referohen raporteve ndërkombëtare përfshirë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flet për pastrim parash në ndërtim.

“Në vitet e fundit, veçanërisht përgjatë vitit 2025, nga raporte të organizatave , institucioneve e mediave ndërkombëtare dhe shqiptare, Shqipëria është identifikuar si e ekspozuar ndaj krimit të organizuar, sidomos në trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, me ndikime mbi ekonominë, median dhe proceset zgjedhore. Raporti INCSR 2025 i Departamentit të Shtetit evidenton se korrupsionit, krimi i roganizuar, boshllëqet në kuadrin ligjor dhe pengesat në komunikimin ndër institucional e bëjnë Shqipërinë vulnerabël ndaj pastrimit të parave, ku kriminelët përdorin blerje pasurish të paluajtshme, projekte ndërtimi, asete virtuale dhe biznese të ndryshme për të pastruar paratë e pista”, thotë PD.

Duke përmendur edhe disa raporte të tjera, PD thotë se duhet të jepen sqarime për masat e marra deri më tani.

“Gjetjet e mësipërme tregojnë se fenomeni i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave mbetet shqetësues, me ndikime në ekonomi, media dhe integritetin zgjedhor. Në vlerësimin tonë, Kuvendi duhet të diskutojë mundësinë për një strategji kombëtare të luftës me tolerancë zero në këtë drejtim dhe masave që ka marrë qeveria shqiptare deri më tani. Prandaj, duke marrë parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentare mbi masat e marra nga qeveria për luftën me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar në vendin tonë. “, thuhet në kërkesë.