TIRANË- Akuza të pavërteta i quan Presidenti Bajram Begaj 7 shkeljet që Grupi i Partisë Demokratike renditi në kërkesës që depozitoi në Kuvend për shkarkimin e tij. Në një deklaratë të ndarë zyrtarisht për mediat, Presidenca thotë se pret që Kuvendi të hetojë rreth këtyre akuzave me profesionalizëm dhe transparencë të plotë.

Për Begajn, ky hetim nga Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet bërë si obligim ndaj postit më të lartë të kreut të Shtetit, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe  interesit të publikut. Begaj thotë se ka zgjedhur që ta ushtrojë detyrën e tij i pandikuar nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.

"Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe  interesit të publikut", thuhet në reagimin e Begajt. 

Begaj nuk jep komente mbi punësimin e të birit në një kompani që sipas akuzave nga PD, merrte tenderë nga Presidenca, dhe as mbi pretendimet për përfitimet e tij nga një spital privat.

“Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjërës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë”,-thuhet ndër të tjera në reagim.

Ndërkohë, pas reagimit të Presidentit, ka ardhur përgjigjia e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili në rrjetet sociale ka publikuar dokumentet që sipas tij tregojnë se djali i Bajram Begaj paguhet 30 mijë euro në vit nga kompania e sigurimit të Presidencës. Sipas Bardhit, djali i Begajt nuk jeton fare në Shqipëri, por në Gjermani ku punon si mjek në një spital.

"Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit", shkruan Bardhi. 

PD e depozitoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e Presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje për Partinë Demokratike janë arsye që Begaj të mos jetë më kreu i shtetit. Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht. 

Deklarata e plotë e Presidencës

Publiku është njohur sot me një nismë të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës nuk komenton nismat politike të asnjerës palë, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me neutralitetin e funksionit të lartë kushtetuese. Ai ka zgjedhur të ushtrojë mandatin presidencial, i pa ndikuar në asnjë rrethanë nga sulmet për interesa politike, apo nga fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik.

Presidenti i Republikës respekton të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, edhe kur ato marrin pozicione të kundërta me pozicionet që mban Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së tij kushtetuese.

Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës nga detyra është instrument kushtetues i Parlamentit. Parlamenti është i lirë dhe sovran ta ushtrojë sa herë që e gjykon të përligjur. Presidenti i Republikës ndjehet i obliguar t’i përgjigjet parlamentit me gjithë seriozitetin dhe ndershmërinë që imponon kjo procedurë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit por si detyrim ndaj të vërtetës dhe  interesit të publikut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:21
Gazment Bardhi nxjerr dokumentet: Djali i Begajt paguhet 30 mijë euro në vit nga kompania ku sigurohet Presidenca

 

Pas deklaratës të Presidentit Bajram Begaj për kërkesën e PD-së që kërkon shkarkimin e tij, ka ardhur menjëherë reagimi i kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ky i fundit, në një postim në rrjetin social Facebook, Bardhi ka publikuar dokumentet që sipas tij provojnë faktin se djali i Begajt paguhet 30 mijë euro në vit nga kompania ku sigurohet Presidenca.

Madje, djali i Presidentit as nuk jeton në Shqipëri, por në Gjermani ku punon si mjek në një spital.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Si gjithmonë, Bajram Begaj foli, por nuk tha asgjë!

Çfarë e pengoi Presidentin të pohojë se djali i tij paguhet pa qenë fare në Shqipëri nga kompania me të cilën Presidenca ka kontratë për të gjitha prokurimet e institucionit? Sado që të shmanget e të përdridhet Presidenti i çnderuar, përgjigja është vetëm një: Korrupsioni dhe përfitimi i paligjshëm i Presidentit!

Fotot më poshtë janë marrë nga dokumente zyrtare të deklarimit të pasurive dhe nga Thesari i Shtetit.  Një shpjegim i shkurtër i tyre: I biri i Presidentit jeton në Gjermani, ku paguhet nga një spital si mjek. Por, 6 muaj pas emërimit të babait president, paguhet edhe në Shqipëri nga kompania e sigurimeve, me të cilën ka kontratë prokurimi presidenca. Pagesa është 30 mijë euro në vit.

Ky është vetëm një nga rastet skandaloze për të cilat kemi kërkuar shkarkimin  e Presidentit të çnderuar Bajram Begaj. Ka edhe të tjera. Prandaj, Kuvendi nuk mund të mbyllë sytë përpara korrupsionit, që nis nga maja e shtetit.