TIRANE-Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj se po betonizojnë kryeqytetin. Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj u shpreh se në qendër të Tiranës, aty ku dikur ishte hotel Vjosa "Tani është një hapësirë boshe, por shumë shpejt, do të ngrihet një nga përbindëshat e betonit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt".

"Bashkia e Tiranës e spastroi zonën nga ndërtesat historike, kur e gjithë  vëmendja e publikut ishte përqendruar tek një shkatërrim tjetër, ai i Teatrit Kombëtar. Gjithçka është vënë në dispozicion të kullës së re 25 katëshe, e projektuar nga arkitekti klient i Edi Ramës, Uini Mas, i cili ka deklaruar publikisht se punon me 3 njerëz në Shqipëri: Edi Ramën, Erion Veliajn dhe Vangjush Dakon. Dokumenti që tregon se është pikërisht Edi Rama, ai që i ka hapur rrugën këtij ndërtimi me këtë vendim. Nuk ka asnjë dyshim se janë të gjitha pastrim parash të krimit ose të korrupsionit" tha ish-deputeti demokrat.

 

Detajet e lejes se ndertimit te objektit qe PD-ja akuzon Edi Ramen dhe Erion Veliajn 

Bashkë me të ishte edhe zëdhënësja e selisë blu, Ina Zhupa e cila akuzoi se Erion Veliaj mashtroi qytetarët. "Kjo kullë do të zërë një sipërfaqe prej 38258 m2 të tokës që Bashkia Tiranë i ka marrë ish hotel Vjosës dhe pronës publike të bashkisë Tiranë. Kjo kullë do të jetë 25 kate, 5 kate nëntokësore dhe 85 metra e lartë. Erion Veliaj ka dalë para qytetarëve për të thënë se hotel Vjosa po prishet sepse këtu do të ndërtohet një stacion urbanësh modern. Këtu nuk kemi asnjë stacion modern urbanësh por përkundrazi kemi themelet e një kulle që po ngrihet në shërbim të atyre që janë paratë e drogës dhe paratë e pista".

"Lejen e ndërtimit e ka fituar një kompani e cila quhet “Ana. sh.p.k “, kjo kompani ka administratore zonjën Mirela Zaraliu. Kjo zonjë për të gjithë ata që nuk e njohin ka qenë administratore dhe pronare e një firme tjetër “Romario sh.p.k”. “Romario sh.p.k” është në hetim nga prokuroria shqiptare sepse rezulton një firmë e Edmond Begos. Edmond Bego është i njohur nga ju për aferat e zgjerimit të Lanës, për privatizimin e tokave publike, për lëvizjen me Taulant Ballën dhe për tenderat e mëdhenj publikë që ka fituar në mënyrën se si ata dijnë ti fitojnë, pa garë dhe me çmimet më të larta" tha Zhupa.

"Mirala Zeraliu është administratorja dhe pronarja e “Ana sh.p.k” e cila rezulton se është një kompani që nuk ka më shumë se 100 mijë euro fitime në ato që deklaronte vetë në Drejtorinë e Tatimeve për dy vitet e fundit. Atëherë kjo kullë me sipërfaqen që ka dhe me atë që përfaqëson shkon diku tek 20 milionë euro për tu ndërtuar dhe më pas me një transaksion shitje kjo kullë i shkon vlera diku tek 60 milionë euro. Prokuroria shqiptare ka për detyrë të hetojë Erion Veliajn si një lavatriçe e pastrimit të parave të pista, të hetojë lidhjet e tij me Edmond Begon dhe të hetojë se çfarë fshihet pas kësaj kulle që po ndërtohet në mes të qendrës" mbylli deklaratën Zhupa.