Juristja Alesia Balliu është shprehur se Partia Demokratike sot është në një gjumë letargjik dhe nuk prodhon as ide apo të ngrejë kauza të drejta, por vetëm bën zhurmë kot.
Komentet Balliu i bëri në emisionin ‘Studio Live’ me moderatorin Ermal Qori në Report TV, ku tha se protesta e 10 shkurtit është thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha për mbijetesë politike.
Ajo shtoi gjithashtu se lidershipi i PD-së është shumë ‘i lodhur’, teksa shtoi se nuk mund të ketë një front të gjerë opozitar nëse Partia Demokratike nuk riformatohet.
“Opozita nuk është duke bërë atë që duhet, pasi është në një gjum letargjik dhe prodhon vetëm zhurëm. Nuk është se prodhon ide të qarta sesi partia opozitare duhet të vijë në pushtet, pasi nuk ka një kauzë reale dhe të drejtë. Dhe në mungesë të kauzës së drejtë dhe reale nuk mund të japë një reagim dinjitoz ndaj çdo akuze apo afere që mund të akuzohet pala tjetër, që është qeveria.
Nuk mund të krijohet një front i ri, nëse PD nuk riformatohet. Nëse PD nuk ndryshon lidershipin e lodhur dhe të vjetër, nuk mund të ketë një bashkim apo ide ndryshe, nëse ti riciklon figurat e vjetra që kanë humbur besueshmërinë. Ti sot ke një pafuqi politike për të vepruar. Prandaj po e thërret edhe protestën e 10 shkurtit. Protesta e 10 shkurtit thirret nga Sali Berisha për mbijetesë politike. Jo se Sali Berisha do bëjë ndryshimin. Cikli i tij politik ka përfunduar”, tha mes të tjerash Balliu.
Balliu foli edhe për çështjen Balluku, për të cilën tha se modeli i zv.kryeministres është kthyer në papërgjegjshmëri për PS-në.
Kjo pasi sipas Balliut, akuzat ndaj Ballukut nuk shihen si individuale, por shihen si akuza që prekin direkt Partinë Socialiste.
Ajo gjithashtu kërkoi nga Kuvendi që të respektonte standardet e drejtësisë, për të pranuar heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Padiskutim që kjo i ul pikë mazhorancës, sepse modeli i Ballukut është kthyer në një papërgjegjshmëri për Partinë Socialiste, sepse akuzat që janë ndaj saj nuk shihen nga qytetarët si akuza individuale, por si akuza në të cilat bashkëqeveris PS. Dhe kjo e dobëson padiskutim Ramën dhe nuk e tregon të fortë përballë saj, duke mos-respektuar standardet që ata vetë kanë kërkuar nga institucionet e drejtësisë”, shtoi Balliu.
Komente












