Partia Demokratike po hyn në një spirale të re kundërshtish të paqarta ndaj ligjit për Teatrin, duke kundërshtuar edhe procedurën e miratimit të tij, edhe prishjen e Teatrit të vjetër. Në debatin skandaloz në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, si dhe në takimin e Lulzim Bashës me artistët në mbasdite, Partia Demokratike konsideron tashmë skandal që shumica pranon dekretin e Presidentit dhe bën njëkohësisht amendimin e disa neneve, bazuar në rekomandimet e Bashkimit Europian.
Zyra e Parlamentit bëri të ditur për shtypin disa raste të tjera të ngjashme, kur kjo praktikë ishte aplikuar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë, përfshi dhe kohën kur Kuvendi drejtohej nga PD në pushtet.
Po ashtu, takimi i Bashës me artistët rikthen fokusin tek beteja kundër prishjes së Teatrit dhe largon fokusin nga beteja ligjore për Teatrin, duke e rikthyer atë në pikën zero. Problemi që ka pasur qysh në fillim ligji, është pikërisht përcaktimi në ligj i kompanisë “Fusha”, si ofertuese për ndërtimin e Teatrit, dhe ligji i ri lë formalisht të hapur mundësinë që dhe kompani të tjera të bëjnë ofertat e tyre.
Tërheqja e Partisë Demokratike nga beteja ligjore dhe kapja e saj përsëri pas disa prej aktorëve dhe procedurave të miratimit të ligjit, e zbeh betejën e saj politike dhe e bën pa kuptim fitoren që festoi pas rekomandimeve të Bashkimit Europian.
PD kishte kohë të ndërhynte në amendimin e ligjit, të krijonte më shumë garanci për garë dhe nxitje të biznesit për të konkurruar, mund të luftonte më shumë për efiçencën e projektit dhe gjëra të tjera që lidhen me procesin e tenderimti të ndërtimit. Por ligji nuk ka ndërmend të ruajë Teatrin e vjetër, siç po sillet PD. As rekomandimi i Bashkimit Europian nuk ishte për ruajtje të Teatrit të vjetër, por për mnyrën si do të tenderohet Teatri i ri.
Ditën që BE dha rekomandimet, Lulzim Basha bërtiti fitore. Tani ose nuk ka kuptuar përse bërtiti atë ditë, ose nuk di çfarë të bëjë sot. Rekomandimi i BE ishte i tillë që i jepte të drejtë PD nga ana ligjore, dhe i jepte të drejtë qeverisë të ndërtonte një Teatër të ri.
BE nuk mbron Teatrin e vjetër dhe as që rekomandon që duhet bindur dhe aktori i fundit, anëtar i PD, për këtë çështje. Ndaj PD duhet ta ndajë mendjen në betejën për Teatrin, nëse do përfshihet në betejën e ndryshimeve ligjore që rekomandon BE, apo në kundërshtimin e prishjes së Teatrit.
Nëse do të fokusohet tek kjo e dyta, do t’i duhet të presë ca, dhe nuk e ndihmon për revolucionin e shtatorit, se procedurat mund të zgjasin më shumë se mendon Basha. Dhe deri atëhere, revolucioni i vjeshtës, mund të ketë mbetur në vjeshtë./TemA/