TIRANË, 1 Dhjetor/ATSH- I. Vata/-Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet me forcë transparencën ligjore dhe institucionale për krimet e komunizmit dhe përgjegjësitë për këto krime, në bazë të rezolutave të Këshillit të Europës dhe praktikave më të mira europiane.
"Dyshja Rama-Meta katër vjet më parë kundërshtoi me forcë Ligjin për Lustracionin të propozuar dhe të miratuar nga Partia Demokratike", ka deklaruar sot nënkryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Edi Paloka.
Ai pohoi se "kjo çështje është aktivizuar javët e fundit nga Edi Rama dhe marionetat e tij politike e mediatike për të zhurmuar të gjithë problematikën e keqqeverisjes, për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga braktisja e pashembullt e premtimeve elektorale dhe futja e vendit në krizë ekonomike".
"Partia Demokratike është e vendosur që së bashku me përfaqësuesit legjitimë të ish- të përndjekurve politikë të jetë në ballë të përpjekjes për zbardhjen e krimeve të komunizmit dhe përgjegjësive për këto krime", ka theksuar Paloka. /a.ke/









